Home KRYESORE Ambasadori Amerikan i Ashpër ndaj Opozites: Nuk e Dëgjuat Sekretarin Kerry!

Ambasadori Amerikan i Ashpër ndaj Opozites: Nuk e Dëgjuat Sekretarin Kerry!

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, është shprehur sot shumë kritik ndaj deputetëve të opozitës të cilët edhe penguan mbajtjen e seancës së Kuvendit duke hedhur gaz lotsjellës. Në një dalje për media në hollin e Kuvendit, Delawie tha se deputetët sot vepruan në të kundërtën e mesazheve që kishin marrë dy javë më parë nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

“Shefi im Sekretari Kerry ishte këtu para dy javësh dhe inkurajoi që dhuna të mbahet jashtë Kuvendit. Është shumë zhgënjyese që njerëzit nuk e dëgjuan”, tha ambasadori amerikan. Fatkeqësisht, pengimi i Kuvendit për ta kryer punën normale nuk kontribuon në asgjë në përmirësimin e ekonomisë së Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas tij, ajo për të cilën kanë nevojë popullata në Kosovë janë çështjet ekonomike, papunësia, si të gjejnë një vend pune. Delawie gjithashtu kritikoi praninë në Kuvend të disa deputetëve opozitarë që gjenden në arrest shtëpiak. “Janë disa deputetë, një apo dy, që janë në arrest shtëpiak. Mendoj se njerëzit në Kosovë mërziten kur shohin se ata nuk i kryejnë obligimet e tyre ligjore njëjtë sikur të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Share: