Home KRYESORE Ç’faj ka Mimi Kodheli ndaj Isa Mustafës?

Ç’faj ka Mimi Kodheli ndaj Isa Mustafës?

Nga Artur Zheji

Zotni Mustafa, kryeministri i Kosovës, është në hall të madh politik. Ka të bëjë me një opozitë radikale dhe me numra të paqëndrueshëm në qeveri dhe qeverisje.

Ndonëse nuk shkëlqen për ndonjë fjalor të shquar, për teza politike apo për suksese menaxheriale, shfaqi dje, një fodullëk të papranueshëm për opinionin publik. Rrëfeu, rrëmbyer nga nervozizmi, dhëmbët dhe kthetrat e veta, ndaj një deklarate shumë normale dhe aspak politike, më shumë se sa miqësore dhe dashamirëse, të ministres Mimi Kodheli.

Kodheli, duke parë edhe ajo si të gjithë ne, me shqetësim të madh përshkallëzimin e përplasjes politike në Kosovë, ku përçarja dhe përplasja po kalojnë çdo nivel dhe po bëhen realisht të rrezikshme për qëndrueshmërinë e këtij Vendi, që ne shqiptarët përkëtej kufirit, e konsiderojmë si Atdheun tonë gjithsesi, hodhi në eter një kujtesë dhe një copëz histori të dhimbshme shqiptare, që lidhet me vitin e mbrapshtë’97.

Mirëpo, zotni Mustafa, sikur u pickua, nuk dihet pse dhe nuk dihet se nga çfarë konkretisht.

Do apo nuk do Isa Mustafa, apo kushdo tjetër, ne jemi të gjithë shqiptarë dhe as nuk na mbyllet dot goja dhe as që kemi ndërmend ta bëjmë një gjë të tillë. Eksperienca tragjike e vitit ’97, ishte dhe mbetet një Gjëmë që e rrezikoi Shqipërinë në mënyrë ekstreme, duke kthyer mbrapsht procesin e zhvillimit të saj, në mënyrë katastrofike. Një Gjëmë që nuk duhet të përsëritet dhe që të mos përsëritet duhet të studiohet, si një periudhë e errët e historisë sonë. Kudo në tokat shqiptare.

Më duket se deklarata e Mimi Kodhelit ishte krejt në të njëjtën linjë të logjikës historike, si e mendojmë të gjithë ne dhe nuk besoj se ishte ndonjë ndërhyrje në politikën e brendshme të Kosovës. Ai ishte thjesht një opinion. Dhe lirinë për të shprehur një opinion e ka gjithkush.

Përse i djeg dhe pse na turret të gjithëve zotni Isa Mustafa?

Të gjithë ne opinionistët shqiptarë, pavarësisht qëndrimeve të tyre ndaj qeverisë X apo Y, këtu në Tiranë apo në Prishtinë, janë në rezonancë të plotë, që burgosja e Opozitës,në Shqipëri apo në Kosovë, është një akt ekstrem, sido që të përligjet apo të justifikohet një akt i tillë. Dhe nëse kjo shkon në mbështetje të lirisë së Albin Kurtit, nuk është një mbështetje për Albin Kurtin, por për shëndetin e demokracisë kosovare dhe mbi të gjitha, është një mbështetje për qëndrueshmërinë e Kosovës, Atdheut tonë të përbashkët.

Por deklarata e Isa Mustafës, ngjan edhe si një deklaratë shumë dinake në të njëjtën kohë. Është një përpjekje, jo e pasuksesshme, për të politizuar opinionet publike për çfarë po ndodh në Kosovë, e më pas, përmes politizimit, t’i kanalizojë si qëndrime interesash të partive, e pra të cungta dhe të pilotuara, e pra, dashakeqëse ndaj LDK apo ndaj qeverisë legjitime të Kosovës. Kjo është një vetëmbrojtje e dëshpëruar dhe nuk e transformon dot, një Kryeministër në burrë shteti.

E drejta për ta ndjerë Kosovën si Atdheun tim, me të mirat dhe me të këqijat e veta, është një e drejtë themelore ngritur mbi shumë gjak dhe sakrifica. Të cilat nuk zhbëhen dot, për kolltukun kryeministror të askujt. Ngado që të vijë dhe kushdo që të jetë ai. Të drejtë që keni reciprokisht detyrën të ushtroni edhe ndaj Tiranës, në mënyrë të paparagjykueshme.

U ndjeva realisht i lënduar, nga përdorimi i rastit të ministres Kodheli, si një shantazh dhe për përdorimin e përgjegjësive politike e kombëtare për çka ndodhi në Shqipëri në vitin ’97, si një alibi, për të na mbyllur gojën, si të padenjë dhe të pa moral, në opinionet që vijnë nga Tirana.

Kjo është një tentativë për të na larguar, duke na “hequr” këtë të drejtë themelore: Opinionin dhe Dhimbjen kur shohim një katastrofë që mund të afrohet pakthyeshmërisht në Kosovë.

Share: