Home KRYESORE Kerkesa e deputetit Mamo ndaj Beqajt

Kerkesa e deputetit Mamo ndaj Beqajt

PDIU shton një tjetër kërkesë ndaj qeverisë, për buxhetin e vitit të ardhshëm. Deputeti i Fierit, Omer Mamo i kërkoi sot Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të investojë për spitale dhe qendra shëndetësore në zonat naftëmbajtëse.

“Nisur nga fakti që qeveria ka vendosur të ndryshojë rregullat për koncensionarët e naftës, të ardhurat e buxhetit të shtetit rriten ndjeshëm. 75 milionë dollarë vetëm nga Bankers Petrolium.

Në bazë të ligjeve të vendit, një pjesë e rentës apo e  të ardhurave që mblidhen nga këto kompani, duhet të shkojnë në të mirë të popullsisë së zonës nëpërmjet pushtetit vendor.

Kërkoj nga Ministria e Shëndetësisë, që përmes buxhetit aktual, të përsosë, të ndërtojë dhe të rikonstruktojë qendrat shëndetësore dhe shërbimin spitalor në zonat naftëmbajtëse”-tha deputeti Omer Mamo.

Ai shtoi se këto zona kanë një numër të lartë sëmundjesh që vijnë nga ndotja ambientale, dhe kërkoi për ta ilaçe falas. Mamo theksoi dhe një herë kërkesën për të avancuar me projektligjin e depozituar prej tij, për vendosjen e statusit të naftëtarit.

“Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe të INSTAT tregojnë së në këto zona, sëmundjet e shkaktuara nga nafta dhe ndotja ambientale janë shumë të larta. Është shumë i lartë numri i të sëmurëve që jo vetëm kërkojnë ilaçe falas, por edhe shërbim spitalor më të specializuar e më cilësor.

Unë paraqita në kuvend një propozim për statusin e naftëtarit, dhe uroj që të gjej mirëkuptimin e ministrive të linjës për ta përsosur atë. Shpenzimet shtesë janë të vogla, ndërsa përfitimet e mijëra naftëtarëve janë shumë të mëdha. Ata janë më të goditurit nga disa reforma të vazhdueshme”-u shpreh deputeti Omer Mamo.

Në përgjigje të kësaj kërkese, në komisionin parlamentar të shëndetësisë, Ministri Ilir Beqaj i tha deputetit se dhjetëra milionë lekë do të investohen për ndërtimin  e spitalit të ri rajonal në Fier.

Share: