Home KRYESORE Kur “vreri” tejkalon analizën për artin!

Kur “vreri” tejkalon analizën për artin!

Nga Luan KURTI

Libri poetik “Vrima” i autores Rita PETRO pati shumë kritika në media të ndryshme dhe në rrjetet sociale. Anatemimet shkuan deri në sarkazmë, ironi, vulgaritete dhe tallje. Sikur “Vrima” të qe herezia më e madhe në këtë vend, baraz me atë të Ozonit që ndikon ndryshimet klimaterike. Nga pikëpamja artistike libri është baltosur sepse ka marrë çmim të parë. Dhe këtu duhet ndalur.

A është bërë vlerësimi i drejtë? Cilët qenë në juri? Ka qenë rezultat i një konkurrence të ndershme apo janë të tjera parametra që kanë ndikuar? Këtu relativiteti lë vend për spekulime. Përvoja na ka treguar se këtu vlerat injorohen deri në shkallën e nihilizmit më ekstrem. Nuk kemi një “data-base” të gjithë poetëve dhe shkrimtarëve të pas 90-tës, të cilët mund të konsiderohen si “murgj” në “perandorinë e stepave”.

Monopolizimi i artit shkon krahas atyre të fushave të tjera të arsimit, biznesit dhe politikës, apo janë të varura pazgjidhshmërisht me këtë të fundit. Megjithatë për të mos ju larguar objektit të shkrimit: pse “Vrima” shkaktoi kaq zemëratë? Vlugu i liberalizmit që tejkalon edhe vetë erosin, po qe se konsiderohet i tillë subjekti apo gjuha e përdorur, ka kohë që është i pranishëm në media, në rrjetet sociale, në kinematografi, në këngët, në teatër, në politikë, e gjithandej.

Aqsa e kundërta duket si moralizim jashtë kohe. Të jetë xhelozi, shfryrje mllefesh ku i bihet “pragut” të dëgjojë “dera”, apo….? Puritanizmi shpesh nuk kryhet nga puritanët, por demagogët! Dhe mëtohet që qasja e tyre t’i serviret në pjatë argjendi publikut, si akt shpëtimi, një lloj censure apo ruajtje e masës së gjërave nga Zeus-(ët) ndëshkonjës kundër Promete-ianes Petro!

Share: