Home KRYESORE Mali i Zi në NATO dhe dominimi i kapitalit rus aty!

Mali i Zi në NATO dhe dominimi i kapitalit rus aty!

Nga Selim Ibrahimi

NATO është e vendosur që Mali i Zi të bëhet pjesë e Aleancës. Sot dhe nesër diplomatë të lartë të vendeve anëtare të Aleancës do të diskutojnë kërkesën e Malit të Zi. Sipas shtypit perëndimor, Mali i Zi një vend gjeostrategjik për Amerikën, do të marrë ftesën për anëtarësim përkundër kundërshtimit të Rusisë dhe partive politike të Podgoricës me orientim pro rus.

NATO po zgjerohet në jug të Evropës në kohën e konfrontimit të Turqisë me Rusinë pas rrëzimit të avionit rus nga forcat ajrore turke. Anëtarësimi i Mali të Zi është përplot sfida për shkak të investimeve direkte ruse në ekonominë e Malit të Zi. Megjithatë hyrja e ish-republikës jugosllave në Aleancën Veri-Atlantike është një grusht direkt kundër politikave të qeverisë së Medvedevit dhe të presidentit rus Vlladimir Putin.

Sipas statistikave qendrore të qeverisë së Malit të Zi, investimet direkte ruse nga viti 2003, prej 2 milion euro u rritën në 188 milion euro në vitin 2007. Banka Qendrore e Rusisë ka njoftuar se investimet e përgjithshme ruse në këtë shtet të vogël dhe strategjik për BE-në dhe Rusinë kanë arritur deri 1.1 bilion. Rusia është një ndër investitorët më të mëdhenj në ekonominë e Malit të Zi , duke u ndjekur më pas nga Serbia me (15,69 %), Ukraina me (6.56%) dhe Kina me (4%)

Në këtë kontekst korporatat ruse ishin pjesëmarrësit direk gjatë periudhës së privatizimit të kapitalit shtetërorë të Malit të Zi. Ftesa e NATO-s’mund të parandalojë influencën e Rusisë në Mal të Zi, dhe njëkohësisht ta reduktojë praninë e kapitalit bankar rus në shtetet fqinjë. Me rrezik potencial të destabilizimit paraqiten Bosnja, Kosova dhe Maqedonia.

Migrimi, ekstremizmi radikal dhe korrupsioni i politikanëve të lartë, mbeten faktorët kryesorë të përshkallëzimit të situatës në Ballkan. Pas hyrjes së Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë në prill të vitit 2009, Mali i Zi do të jetë republika e tretë që do ti bashkohet NATO-s. Maqedonia dhe Serbia jashtë zonës së sigurisë me kërcënime për tu bërë shtete “amortizatore” të interesave gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike.

Selim Ibraimi është drejtor i Qendrës për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim-Maqedoni (QSSZH)
Twitter:@studiessecurity

Share: