Home KRYESORE Mjafton të kesh dy dhe shpëton!

Mjafton të kesh dy dhe shpëton!

Nga Luela Myftari

Koha edhe pse në marrëdhie të këqija me mua më mësoi shpejt se të kesh gjithmonë dy, shpëton.

Linda vetëm, por dy prindërit e mi më bënë me dy vëllezër. Isha vetëm tre vjeç e gjysmë kur dëgjova për herë të parë se të kesh dy është më mirë se vetëm një.

Para se të shkoja në shkollë kisha mësuar se një vëlla plus një vëlla bëjnë dy. Ndihesha mirë që e dija përpara të tjerëve. Fundja isha një mësim para të gjithëve.

Në bibliotekë merrja gjithnjë dy libra. Tani që jam rritur dhe jam regjistruar edhe në bibliotekën e lagjjes edhe në atë kombëtaren, sërish marr dy. Nuk është se i lexoj të dyja njëherësh, por gjithësesi do të kem edhe diçka tjetër për të lexuar.

Kur përfundova universitetin për letërsi, mendova të mos merrja leksione vetëm për artin. Më duheshin para për të paguar ciklin e dytë të shkollës, masterin, ndaj mësova të bëj edhe gazetari.

Pastaj nisa punën. Vetëm një herë më humbi artikulli (shkak ishte teknologjia) dhe mësova se asnjëherë tjetër nuk do të kisha vetëm një. Sa kohë të shkruaja do t’i ruaja materialet në dy kopje, një për të tjerët e një për vete. Në fund të ditës së punës merrja me vete dy tekstet, i lexoja shihja gabimet e shpëtoja. Çdo ditë rritesha më shumë. Çdo ditë e shpëtoja veten nga pak.

Po, po. Shpëton kur shefi të thotë që e ke bërë gabim ndërkohë që ka ndërhyrë vetë, kur të thotë që e ke keq dhe atë keq se bën dot mirë as vetë, kur duan të taksojnë gabime, kur duan të të mërzisin e kur duan të ta hedhin çdo shkronjë në erë me një buton.

Edhe nëse nuk e kundërshton, mjaft t’i vërtetosh vetes, që nuk ishe ti gabim.

Shpëton kur ke dy ide, në mos qofsh përtac, në fund të ditës një do ta kesh realizuar. Shpëton kur ke dy çakmakë. Shpëton kur ke dy fletore, një për detyra klase e një për ato të shtëpisë, mësueja s’do të të hajë kokën. Shpëton kur ke dy stilolapsa, në të ikën një fjali, të tjerat i ke aty, në bllokun e shënimeve që domosdo duhet të ketë të paktën një dyfletësh bosh.

Shpëton kur ke dy kontrata pune. Ka më pak mundësi të abuzojnë me ty. Shpëton kur rrogën e ndan në dysh, të paktën diçka nga pjesa e dytë do të kursesh.

Shpëton në fund edhe nëse je dy. Në qofsh e lodhur, e mërzitur, e acaruar, bën mirë të jesh dy. Do të të shpëtojë qoftë edhe duke ulëritur a duke u qurravitur. Në të do, do të dëgjojë.

Sepse të kesh dy shpëton.

Sy, veshë, këmbë, duar, gjinj, prindër, të gjitha dy.

Mjerë ai që ka vetëm një, qoftë ky edhe mendim.

Unë për vete kam dy.

Share: