Home KRYESORE Mozaik me gjak

Mozaik me gjak

Nga Edison Ypi

-Cilët janë ata xhaxhat atje lart mbi Muzeun Kombëtar o babi ?
-Është një pështirosje e pa shembullt propagantistike të cilën sa herë e shoh më vjen për të vjellë. Ja bija ime, ja pocaqia me ngjyra thurur me pllakëza, ku vetëm 1 % e Historisë 3000 vjeçare të Shqipërisë që përbën pjesën më kriminale dhe më të turpshme të asaj historie, zë 70 % të sipërfaqes. Errësira nga perëndimi. Drita nga lindja. Botës drejtuar armët. E gjitha si shpërthim, si yxhym.

Dhjetë meshkuj, tre femra. Asnjë normal. Të gjithë të çartallosur. Asnjë gjurmë besimi, përdëllimi, meditimi, vetëpërmbajtjeje, ose thjesht qetësie njerëzore. Meshkujt, ai i dyti nga e djathta, ai hermafroditi me pushkën drejt, ishte një bushtër llapaqene që i thoshin “Revolucionari”. Budallai me mustaqe me grushtin lart me granatë në brez, ishte një fshatar aq gdhë sa s’ta rrëfej dot. Tjetri, ai me mustaqe dhe flamur, që i thoshin “proletari” ishte një qen-bir-qeni që s’dinte të bënte asgjë veçse të llapte dhe të thurte intriga. “Proletari” që e quante veten “klasë në fuqi”, u thoshte vajzave gjith kapadaillëk; “O bushtra, mos përdorni pampersa mikroborgjeze, përdorni lecka proletare”, dhe ai zgërdhihej, e ato heshtnin.

Me rilindasin me papion që mban në dorë një letër të cilën ia kanë mbledhur tub që të duket si grykë pushke, një herë na gjeti belaja. Një kushëririt tonë i rrëshqiti goja u tha disa miqve se rilindasi besonte Perëndinë. Mbledhje pas mbledhje, po si e the, po kur e the, po kujt ja the, ke në kokë lakra të rrezikëshme mikroborgjeze. Ti shpirti i babit nuk e njeh atë kushëri se ta kemi mbajtur fshehur.

Në një nga ato mbledhjet i ndali së rrahuri zemra ulur në karrige tek e kritikonin. Po atëherë, xhaxhain e një mikeshës time që ishte historian, e internuan. E di pse ? Sepse u ngatërrua me atë ilirin me hark dhe shtizë, atë në cep nga e majta pranë atij kokëlakrës që nuk ngjan fare si shqiptar por si viking. Edhe xhaxhai i mikeshës, njëlloj si kushëriri yt që nuk e njohe kurrë, vajti tha diku se ilirët ndoshta nuk rrjedhin nga pellazgët. Kaq deshën akademikët shpirtkatranët dhe e kallëzuan dhe erdhën e prangosën.

E gjitha kjo është një pasaportë e turpshme çmendurie kombëtare për të cilën ca shejtanbudallenj po thonë ta lemë aty ku është që të dëshmojmë Historinë, që të kenë 甘të fotografojnë turistat. Pra, të vinë turistët para kësaj vrrome me çapaçulë të thonë; O Perëndi 甘të kemi bërë që na solle të shpenzojmë paratë në vendin e budallenjve vrasës. Nuk e heqin ose të paktën nuk e fusin brenda Muzeut që të vazhdojnë të qarkullojnë brenda kokave të shqiptarëve llumrat propagandistikë të së kaluarës kriminale. Unë, që thua ti bija e babit, nuk kam qënë gjithmonë si më sheh sot. Kur isha i ri dhe beqar isha i bukur. Një nga ato laviret komuniste që sheh atje lart, njëra të cilën unë s’e përfillja, bëri një veprim të ndyrë kundër meje, u ngrit e foli në një mbledhje për atë kushëririn të cilit i pushoi zemra ulur në karrige. Ajo u bë sebep që nuk munda të marr për grua atë që desha, por, si me biografi të njollosur, nga halli mora atë e cila për këta përbindëshat këtu ka simpati, mamin tënd. Kjo është arsyeja që ti sot duke mos qenë Bijë Pasioni nuk je dhe aq e bukur. Mos u mërzit. Njerëzit nuk mund të jenë më të bukur se kohët kur jetojnë.

-Mami, cilat janë ato tetat atje ?
-Ja shihi. Sytë në ballë i ke. Tre femra, të tria me pushkë në duar. Ajo nga e djathta ishte një rruspie aq e ndyrë sa s’bën ta dish sepse çekuilibrohesh mendërisht për gjith’ jetën. Ajo katundarja që e mban pushkën poshtë ishte një zuzare. Kjo në mes, që duket aq e pafajshme, ishte aq edepsëze sa një të tillë nuk do ta gjesh dot në asnjë film e në asnjë libër tërë jetën. Pafuqia dhe paturpësia, dhuna dhe përulja, padituria dhe padrejtësia, frikacakllëku dhe burracakllëku njerëzor, janë të gjitha atje.

Sipas autorëve, deri aty nga mesi i shekullit të kaluar shqiptarët nuk kanë pasur fare femra, nëna, motra, bija, kushërira, të dashura. As seksin nuk e kanë ditur çfarë ishte. Erdhi ua mësoi ai proletari në mes me xhaketën supit. Nga mesi i shekullit të kaluar e tëhu, po. Prej atëhere kemi femra. Tre femra. Të vetmet ndër gjithsej trembëdhjetë personazhet e këtij mozaqiku, kësaj rrënqethjeje antiestetike unikale. Ku shpërpjesëtimi i kohës është një ngërç Ainshtainian. Tre femra dhjetë meshkuj, ndërlikim Darvinian. Burra me mustaqe gra me pushkë, problem Frojdian. Proletar vetëm një kazmë e lopatë asnjë, hall Marksist. Asnjë i therur, pisk Stalinist.

Ka mbi njëzet milionë minuta që ajo paçavure rri atje lart. Edhe diçka që s’po më rrihet pa ta thënë. Po të mos ishte ai proletari i gërrditshëm në qendër, i cili, meqënëse më kishte qejf por unë s’ja varja, kundër meje sajoi një intrigë të ulët, nuk do isha martuar me babin tënd, atë budallanë me brirë që vjen këtu e loton sepse kjo pamje i pëlqen, por me një tjetër që i thoshin “me biografi të keqe”, dhe ti biri im, nuk do ishe kaq i pa qartë sa të më pyesje për këto spiridhiçkat këtu, por do ishe i fisëm, i bukur, shtatlartë, dhe koka nuk do të kishte dalë me qoshe. Është aq kriminale kjo pamje sa edhe pllakat e bulevardit i rrënqeth. S’ka të dytë në botë ky krim, kjo ligësi, ky mallkim, kjo shëmti, kjo mënxyrë, kjo lemeri, kjo llaftari.

Share: