Home KRYESORE Në fillim është përcaktuar fituesi, pastaj është bërë konkursi!

Në fillim është përcaktuar fituesi, pastaj është bërë konkursi!

Artan Fuga letër mikes qe humbi konkursin!

E nderuar mike,
faleminderit për korrektesën tuaj kur më njoftoni se nuk keni fituar në konkurs. Mos u mërzisni ! Keni marrë pjesë në një konkurs së prapthi si çdo gjë në Shqipërinë e sotme. Pra, të jeni e sigurt që në fillim është përcaktuar fituesi pastaj është bërë konkursi.

Prej vitesh në Shqipëri ai që organizon konkursin, antari i jurisë të konkursit dhe fituesi i konkursit është i njejti njeri. Të tjerët janë skenografi. Konkurset në fakt janë të gjithë në skenografi.

Mjafton të shoh antarët e jurisë mbushur me miq, militantë dhe zyrtarë, ose shërbëtorë të miqve dhe nuk kam nevojë për asgjë tjetër.
Nuk ka dyshim se ka krijues të talentuar në vend që fare mirë mund të ishin fitues përpara teje. Ti e thua këtë me shumë sinqeritet dhe modesti. Bravo të qoftë!

Por, nuk e kam me kandidatët në konkurs, e kam me konkurset si të tillë, ku antarët e jurisë janë të gjithë miqtë e atyre që organizojnë konkursin, vartësit e tyre, dhe fituesit janë miqtë e miqve, gjithmonë.

Komunikata për shtyp e Pallatit ishte si e folura e një njeriu me temperaturë të lartë.

Krejt në jerm.

Pallati bën komunikatë shtypi me artin, dhe bën art surrealist me komunikatat e shtypit.

Konkurs për digë hidraulike, por atje flitej në fakt për tingullin e ujit që bije nga qyngjja drejt e në kokën e një qeni.

U lemerisa nga sinkretizmi i disiplinave që ka nisur të praktikojë pallati i ëndrrave dështake.

Harvard, hahaha-varja-hajd !

Pika har – varit të konkursit! Kërkojnë të mbulohen me Harvard kur cdo gjë është Hajd-varja. Ose Hard – varja !

Fituesit gjoja nga harvardi dhe hovardlliku i shtetit shqiptar që me juri me antarë të përjetshëm ku veç ndonjerit si kolorit maskimi të tjerët janë nga ata që lajnë me lecke korridoret e institucioneve, wc dhe marrin pluhrat e tavolinave të pluhrosura, është katastrofik.

Asgjë nuk merr inteligjencia krijuese shqiptare sepse paratë ikin jashtë te miqtë e miqve të miqve të partisë.

Ju mbajeni besimin dhe respektin për ato konkurse dhe institucione, shumë mirë bëni, këtu jemi në kontradiktë, mendimi im nuk është mendimi juaj, sepse jeni e re, kurse unë e kam pirë atë kupë helmi dhe sa herë më ftojnë o si kandidat para jurisë ose si juri para kandidatit u them : M’u qëroni sysh, qenie të pandershme !

Unë zakonisht i refuzoj këto konkurse sepse janë poshtruese, por ndonjëherë kam qejf për të parë cirkun e shëmtuar të radhës.
Refuzimi është pjesëmarrja më e mirë në këto konkurse.

Mos u mërzit se po të kishe fituar do të kisha një dyshim të madh për ty dhe atëhere as edhe një kafe nuk do të pranoja të pija me ty.
Refuzimi i këtyre maskaradave është qendrimi më dinjitoz.

Me respekt,
af

Share: