Home KRYESORE “Njeriu i vitit” një epidemi certifikatash qesharake…

“Njeriu i vitit” një epidemi certifikatash qesharake…

Nga Mentor Kikia

Nuk ka asnjë dyshim që ne shqiptarët kemi një talent të rrallë për të krijuar parti dhe shoqata. Nuk e di nëse kjo buron nga që duam të jemi të gjithë kryetarë apo të gjithë protagonistë. Për frymë popullsie duhet të jemi rekord këtu në Shqipëri. Por edhe në vendet e tjera ku ka shqiptarë, si Itali, Greqi, Britani, SHBA etj, duhet të jemi komuniteti me më shumë shoqata se cdo komunitet tjetër. Cfarë bëjnë? Më shumë zihen mes tyre se kush i përfaqëson më shumë shqiptarët.

Por këtë vit rekordi do të mbahet nga epidemia e shpalljes së “njeriut të vitit”. Nja 100 njerëz viti, do të shpallen në Tiranë, nga mediat qëndrore, televizione, gazeta, revista mode, rubrika show bizi etj. Ndërkohë që “njeriu i vitit” është shpallur e po shpallet në cdo qytet. Njeriu i vitit i Kavajës, i Lushnjes, i Fierit, Vlorës, Elbasanit… gazetarët shpallin kryetarin e bashkisë, bashkia shpall gazetarët. Gazetarët njëri-tjetrin, ose kryetarin e dhomës së tregtisë, meqë ai paguan gostinë që shtrohet me këtë rast… mediat listojnë politikanët dhe qytetarët zgjedhin politikanin e vitit, qeveria zgjedh “Bletën punëtore të vitit”. Pastaj vijnë sportisti i vitit, artisti i vitit, shkrimtari i vitit, poeti i vitit, gruaja e vitit, nxënësi i vitit, prezantuesja e vitit, modelja e vitit… Madje një shoqatë i dha Blendi Klosit cmimin si ministri më i sukseshëm i vitit 2015, kur kishte vetëm 5 muaj në detyrë.

Nuk jam kundër nderimit të njerëzve që kanë dhënë kontribute, por këto certifikata janë bërë një epidemi qesharake, si ajo që na kapi disa vite më parë, kur shpalleshin njerëzit qytetarë nderi fshat më fshat.

Të kishte vërtet kaq shumë njerëz të sukseshëm ky i shkretë vend do të kishte bërë prokopi në ndonjë drejtim.

Share: