Home I pakategorizuar Për ata në Kosovë që e shohin të keqen e tyre nga...

Për ata në Kosovë që e shohin të keqen e tyre nga shqiptarë Shqipërie…

Nga Artur Nura

Se fundi ne Kosove kane filluar te artikulohen qëndrime politike te cilat kërkojnë një distancim nga Shqipëria te cilën po e shohin ndryshe se fundi! Kjo u vu re ne qëndrimet e kryeministrit te Kosovës Isa Mustafa ndaj komenteve qe vinin nga Tirana, apo politikaneve te Tiranes, kundrejt zhvillimeve politike problematike te Kosovës.

Se fundi gazeta, apo gazetare kane filluar te analizojnë e individë te caktuar te cilët kane zgjedhur për te jetuar ne shtetin e Kosovës dhe te cilët janë shume pak me ata/ato nga ne qe kane zgjedhur Europen si te ardhme. Gazeta Express e Kosovës shkruante se fundi, sikur te kish zbuluar “Amerikën”, se ne Partine e Albin Kurtit janë rekrutuar në mesin e aktivistëve partiakë edhe anëtarë nga Shqipëria.

Ne fakt, shkruhej për Arbër Zaimi, Boiken Abazin, Dejona Mihali e disa të tjerë te cilët padyshim i janë bashkëngjitur Lëvizjes Vetëvendosje për shkak te bindjeve te tyre politike krejt te njëjta me ideologjinë e kësaj lëvizje politike te majte. Ata, pavarësisht se ne një shtet tjetër qe është krejt normale për këto lloj lëvizjes majtiste, kane edhe një nxitje krejt te natyrshme për ta bere një zgjedhje te tille duke qene pjese e te njëjtit komb, per rastin atij  Shqiptar dhe jo Serb.

Gazeta Express ndërkohe edhe citon zyrtarë te qeverisë se Prishtinës qe thonë se anëtarët e Vetëvendosjes nga Shqipëria kanë ardhur në Kosovë për të shkaktuar probleme, ndërsa, askush prej tyre nuk përgjigjet, nëse ata kanë respektuar ligjet kosovare me rastin e qëndrimit dhe aktivitetit në Kosovë. Ky ngerc është i kuptueshëm se një qëndrim publik i kundërt do ishte kostum tejet i ngushte politik te cilin shoqëria e gjere e Kosovës nuk do ta përcillte me kënaqësi dhe kjo gjë do konvertohej edhe ne rezultate negative elektorale.

Në internet, por as në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, s’ka një biografi të këtyre personave që kanë ardhur në Kosovë nga shteti fqinjë thuhet ne gazetën Express duke forcuar këtë argument me një prononcim të  Bajram Gecaj te LDK’së, qe ka thënë se ata janë persona destruktivë njësoj si edhe partia në të cilën veprojnë, dmth VV.  Ndërsa, zyrtarët e PDK-së rezulton qe s’dëshirojnë të komentojnë qëndrimin e tyre në Kosovë dhe duket qarte se kjo ndodh sepse sigurisht e kane pjekurinë politike për te mos barazuar shqiptare te Shqipërisë me serbet e Serbisë te cilët janë ulur këmbëkryq ne Kosove…

Prof.Dr.  Enis Sulstarova shkruante sot se: “Beograd (Berat) Buzhala ndan shqiptaret e mire te Kosovës nga ata te këqijtë  e Shqipërisë qe po i hapin pune te pareve. Kjo është vetëm një kopje e mjere e dallimit “shiftar” dhe “albanas” qe bejne shovinistet serbe, veç ne këtë te fundit te mirët janë shqiptaret e Shqipërisë dhe te keqinjte ata te Kosovës qe i nxjerrin probleme sundimit serb. Djemtë dhe vajzat nga Shqipëria qe i janë bashkuar LVV e kane qëllimin e njëjte me rininë e Kosovës: çlirimin e republikës nga padronet e Beograd Buzhales dhe pengimin e planeve serbe për sabotimin e republikës.” 

Personalisht ndaj te njëjtën qasje logjike me Sulstaroven, por besoj se nga pikëpamja politike besoj se është tejet radikale siç janë qartazi edhe bindjet e treshes shqiptare te lart përmendur te Vetëvendosjes. Pse jo, duhet thëne se kjo treshe merret me organizim të protestave dhe aksioneve të kësaj partie dhe kjo është krejt normale përderisa ata nuk punojnë veçmas nga te tjerët e VV.

E vërteta është krejt e thjeshte, por me sa duket ata qe flasin kësisoj i shohim zhvillimet me sy hipermetropesh… Askush nuk mendon se, meqë Lëvizja Vetëvendosje ka ne programin politik bashkimin e Shqipërisë me Kosovën një veprim i tille është krejt normal dhe i arsyeshëm nga ana e tyre.

Duke i pare zhvillimet ne Kosove nga Tirana, sipas mendimit tim personal këta tre, apo me shume persona politike përfaqësojnë një pakice krejt modeste këtej Shqipërie. Kete e vërteton edhe pjesëmarrja krejt modeste ne organizimet e Vetëvendosjes ne Shqipëri. Këtej kufirit nuk ka një force politike te konsoliduar si Lëvizja VV. Personalisht besoj se vullneti popullor këtej kufirit për bashkim me Kosovën është ai qe e synon këtë hap historik vetem nen catinë e e Bashkimit Europian.

Por, ata nuk mund te akuzosh Arbër Zaimi, Boiken Abazin, Dejona Mihali e disa të tjerë kështu, vetëm e vetëm se po bejne zgjedhje sipas bindjeve te tyre individuale politike. Te paktën kjo nuk mund te ndodhe ne një shoqëri qe pretendon te jete demokratike. Ti shohësh zhvillimet politike ne Kosove kaq mbrapshësisht nuk zgjidh asgjë, veçse i komplikon ato. Për me tepër, kjo nuk zgjidh krizën politike e cila ka ngërdheshur Kosovën.  Padyshim diferencat midis Shqipërisë dhe Kosovës janë, aty ne Kosove dhe këtu ne Shqipëri, por ne mbetemi përjetësisht një Komb sipas vullnetit te Zotit, apo natyrës sipas bindjeve te çdo njërit.

Share: