Home KRYESORE Ruhu nga Xhaxhiu

Ruhu nga Xhaxhiu

Nga Edison Ypi

Intervistuesi dhe ai që do intervistohet, njëri më i lodhur e më i ngordhur se tjetri, flasin paraprakisht në telefon për të caktuar ditën, orën, temën e bisedës. Meqënse pyetjet i kanë ardhur në fyt dhe përgjigjet nuk i interesojnë aspak, intervistuesi i jep atij që do intervistojë edhe një listë pyetjesh aq të zbehta e të turbullta sa s’ka ku i kap as maçoku më i shkathët me thonjtë më të mprehët. Pas kësaj, ai që do intervistohet e ka të qarte se gjatë intervistës nuk do ndërpritet, nuk do kundërshtohet, me përgjigjet mund të livadhisi si t’i dojë kokrra e qefit duke shqiptuar çfardolloj broçkulle që t’i vijë në mendje. Kusuri dihet. Gjithçka tjetër është një pjerdhje mediatike aq e neveritëshme sa nuk e praktiojnë as televizionet e vendeve afrikane ku njerëzit vdesin nga uria. Megjithatë, pjerdhja në fjalë nuk është bosh nga brenda. Përkundrazi, është plot e përplot me lëndën më të vyer në funksion të së cilës është thurur gjithçka; mburrjen reciproke për njëritjetrin. Ngritje në qiell e mbi qiell. Për talente, merita, cilësi, ndjeshmëri të paqëna, për mysafirin që “i ka”, sa dhe për intervistuesin që po i vë në dukje dhe u jep peshën e duhur. Pa u përmbajtur aspak. Me fjalët më trashanike, më të qurrshme e më të paturpshme. Gjatë kësaj pështirosjeje, për kryesoren e kryesoreve, interesimin e publikut për çfarë po dërdëllitet, as që bëhet fjalë. Për biçimsëzët që bëjnë këto lloj intervistash publiku ose nuk ekziston ose është një derr i trashë që s’kupton asgjë, që duhet të bëjë atë që i përket, të hajë groshë Dibre, të mbulohet me jorgan të trashë, të flerë gjumë duke gërrhitur, të shohë ëndërra me lugetër.

Në këtë derexhe është katandisur e ashtuquajtura intervistë televizive që përsëritet pafund natë e ditë në të gjitha studiot televizive. Ku ka gjithçka. Pyetës, të pyetur, llomotitje, filmime, drita, ngjyra, dekore, sigla. Por mungon kryesori. Ai për të cilin televizioni ekziston. Ai pa të cilin televizioni vdes. Mungon ai i cili sapo ja ka hedhur sytë spirrës verbale së quajtur “intervistë” ka ndërruar me vrap kanal. Ose, në mungesë të ndonjë kanali tjetër me kakë rrjedhëse më pak kutërbuese, preferon teknologjinë e para një shekulli, atë të fillimeve të Çaplinit, figurës i ka hequr zërin, televizorin e ka heshtur, dhe po merret me diçka shumë më të dobishme se televizioni, edukimin e gruas dhe kalamajve përmes rrahjes.

I vetmi që klishenë kriminale të televizionit mburracak e ka sfiduar, i vetmi që shtegun e daljes nga bataku labirintik i televizionit me të ftuar dhe pa publik e ka gjetur, është Xhaxhiu.

Je politikan, studjues, shkrimtar, poet, valltar, instrumentist, dhe Xhaxhiu të ka ftuar në studio për një intervistë.

Ruaju, bëj kujdes, ji vigjilent.
Xhaxhiu të punon qindin, Xhaxhiu të heq tabanin, Xhaxhiu ta luan tepelekun.

Xhaxhiu të bën diçka që Xherxhnski, Gëbelsi, Koçi Xoxja, ajka e ekspertëve hitlerianë gestapoistë të monitorimit dhe manipulimit të opinionit, SS-ët më të thekur të kampeve të çfarrosjes dhe krematoriumeve, të gjithë ministrat e propagandës të të gjitha diktaturave, përfshi ata kubanezë dhe koreano-veriore, bashkë me prokurorët, gjykatësit, hetuesit, operativët, të mbledhur të gjithë bashkë kokë më kokë nuk do ta bënin dot.

Pa të thënë asnjë fjalë, vetëm duke të parë në mënyrë psikanalitike në sy, Xhaxhiu t’i ka përcaktuar të gjitha; tepricën e uthit në stomak, qëndrueshmërinë e kockave, numurin e syzeve, sasinë e dyllin në vesh, përqindjen e kolesterolit, çrregullimet mendore, masën e budallallëkut, gradën e kalbëzimit të trurit. Fill pas kësaj Xhaxhiu kalon në fazën tjetër. Ta gjen dhe ta thotë çfarë cilësimesh të ekzaltojnë më tepër; “gjigand”, “gjenial”, “madhështor”, “fenomenal”, “legjendë”, apo “korife”. Edhepse gjithmonë e ke ditur çfarë kollosi je, hutohesh paksa nga njëri, disa, apo batareja e superlativave të mësipërme. Por e merr veten shpejt. Kupton se përderisa ato cilësime nuk po t’i bën dokushdo por Xhaxhiu dora vetë, ti ato atribute i ke, ata tituj i meriton. Shtylla kurrizore të dridhet, truri të nxehet, mishi të fërgëllon, gjaku të zjen, sytë të shkrepëtijnë, veshët të oshëtijnë, ke rënë në jerm, në delir, në trans, po provon një orgazëm pa penetrim që s’e kishe provuar kurrë më parë. Dhe nis e ndizesh e derdhesh e lagesh e bëhesh qull në një lumë të pandërprerë budallallëqesh që i sjell në studio si sjell lumi kërcunjtë nga malet. E ç’rëndësi ka se atypëraty ti s’kupton asgjë. E kujt i plasi se vetëm pas nja tre muajsh ti nis e dyshon se Xhaxhiu të talli.

Tallja pra tallja, tallja është ajo që praktikon Xhaxhiu që të ftuarit t’ja zbrazi barkun dhe zorrët t’ja bëjë kukurrec.

Tablonë madhështore me të ftuarin prezent që vazhdon të dërdëllisë duke mos kuptuar se Xhaxhiu po e tall, ndërkohë që publiku edhepse është larg talljen e Xhaxhiut e kupton dhe e aprovon të tërën dhe qesh, këtë mpleksje gjeniale të kohë-hapësirës i vetmi në botë që ka inteligjencën, imagjinatën, energjinë, aftësinë, talentin, guximin, ta ideojë dhe zbatojë është Xhaxhiu.

I talluri aty, tallja tek publiku, kjo ndarje e hatashme, kjo çvendosje e përbindëshme, ky delokalizim i talljes i realizuar prej Xhaxhiut me gjakftohtësinë e një vrasësi, vendosmërinë e një kasapi dhe precizionin e një kompjuteri, është një metodë paksa e egër. Por aspak për faj të Xhaxhiut. Për faj të budallenjve që bredhin studio më studio të cilëve Xhaxhiu u demaskon shejtanbudallallëkun për t’i dhënë rolin dhe rëndësinë e duhur publikut.
Përdorimi me nikoqirllëk i budallallëkut të kallaballëkut, pra i lëndës së parë që gjindet pa asnjë mundim në sasira të pafundme dhe me kosto zero sidomos ndër shqiptarë, në kushtet e pamundësisë për të zgjedhur ndonjërën nga rrugët e shumta të Zotit, e kombinuar kjo me kalimin për vetëm pak çaste nëpër një rrugicë të djallit, është një gjetje fantastike merita e së cilës i talon e gjitha Xhaxhiut.

Ta pranosh ftesën e Xhaxhiut është të shkosh me këmbët e tua në thertore, në murin e pushkatimit, në gijotinë, pa urdhër arresti, pa vendim gjyqi, pa kapuç sipër kokës, pa xhelat, pa trung.

Ruhu nga Xhaxhiu.
Xhaxhiu të kafshon si fik, të qëron si mollë, të thyen si arrë, të shtrydh si limon.

Si ja ka arritur Xhaxhiu që talljen ta shndrrojë në një mjet vdekjeprurës më efikas se përqafimi i ariut dhe puthja e gjarpërit, këtë as vetë Xhaxhiu nuk e di. Ndoshta ngaqë aftësia për të tallur 1 budalla për të mirën e qindramijra të tjerëve, nuk është zeje, zanat, dije, shkencë, por diçka që nuk mund të spjegohet, nuk mund të artikulohet, Art.

Share: