Home KRYESORE Shqiptarëve u kanë humbur heronjtë

Shqiptarëve u kanë humbur heronjtë

Nga Mentor Kikia

Unë i përdor rrjetet sociale për të komunikuar dhe ndarë mendime e ide me njerëz të njohur e të panjohur. Dhe padyshim për të parë, lexuar, aty edhe mendimet e të tjerëve. Dhe gjithë këto kohë, e vëçanërisht së fundmi, kam lexuar një mllef të përgjithshëm të njerëzve ndaj politikës në tërësi. Nuk po flas për fanatikët socialistë apo fanatikët demokratë, por për ata që i njoh e si njoh, por që, përtej kritikës, janë realistë në analizën që bëjnë dhe vlerësimet mbi kontributin e klasës politike në prodhimin e këtij mjedisi social dhe ekonomik, ku ka një inflacion shumë të madh pesimizmi e mungese shprese.

Por, përkundër kësaj fryme, na ofrohet një tjetër realitet. Anketa e Top Channel “Njeriu i vitit” është më seriozja në këtë fushë, për vleresimin e një individi apo grupi individësh për kontributin apo rolin që ka luajtur në shërbim të vendit dhe shoqërisë. Në garë futen 20 persona, ose grupe personash. 10 të propozuar nga qytetarët e 10 të propozuar nga departamenti i informacionit. Po cfarë ka ndodhur, kë ka propozuar “populli”?

Spo i rendis sipas votave që u kanë dhënë njerëzit, por ata janë: Edi Rama, Sali Berisha, Ben Blushi, Lulzim Basha, Erjon Veliaj, Sajmir Tahiri, Albin Kurti, Ambasadori amerikan Donald Lu, Kombëtarja dhe Xhani De Biazi. Sikur të mos kishte qenë kualifikimi kombëtares, padyshim që edhe dy të fundit do të ishin politikanë.

Anketa në fakt synon të promovojë njerëzit që me veprimet që kanë kryer kanë dhënë kontribute në shërbim të një kauze, kanë prodhuar një vlerë morale, kanë promovuar humanizmin si vlerë njerëzore etj. Unë nuk do ti futem fare diskutimit, nëse politikanët që kanë nominuar votuesit kanë apo jo kontribute për të qenë njeriu i vitit për 2015-ën. Por ajo që më shqetëson seriozisht është lista e gjatë e politikanëve që populli nominon cdo vit. Nuk e kam me emrat, por me faktin që shoqëria jonë njeriun më të shquar e kërkon patjetër mes politikanëve. Sepse cdo gjë në këtë vend rrotullohet rreth politikës. Ajo është materniteti ku lindin fëmijët, ajo është furra e bukës ku ushqehen njerëzit, ajo është lumi që vadit tokat, ajo është liqeni që na furnizon me ujë, është edhe pylli që na pastron ajrin, madje edhe vetë ajri që ne thithim.

Shqiptarët nuk përpiqen që heroin ta shikojnë edhe mes tyre, në njërin prejt tyre, që nuk ka dalë asnjë herë në televizior, por që me veprimin e tij ka promovuar vlera e kontribute më shumë se ata që dalin cdo ditë në ekrane, më shumë duke sharë njëri-tjetrin.

Në një kohë kur shoqëria është pushtuar nga interesat, cinizmi, egoja për para, mosbesimi, padrejtësitë, mungesa e humanizmit etj, nuk vlerësohet njeriu që jep pasurinë e tij për ti shpëtuar jetën dikujt tjetër. Në një kohë kur shumëkush këtu pasurohet duke shkatërruar pasurinë publike, nuk identifikohet ai që, i vetëm, me zërin e tij, arrin të shpëtojë dicka. Në një kohë kur në vend sundon kurrupsioni e padrejtësia, nuk identifikohet dot i ndershmi dhe njeriu që me kurajë mund të keqen, duke prodhuar modelin që i duhet administratës e shoqërisë, për ti ngritur moralin dhe besimin.

Njeriu i vitit nuk është ai që ka dalë më shumë në televizor gjatë vitit, por ai që ka shërbyer më shumë, qoftë edhe me një veprim të vetëm dhe një ditë të vetme.

Ky është tregues i varësisë që shqiptarët kanë prej politikës, por edhe një dëshmi që kjo marrëdhënie nuk ka për tu prishur lehtë. Sa më shumë e shajnë politikën, aq më shumë e adhurojnë. Sa më shumë i shajnë politikanët aq më shumë i shikojnë si perëndi. Këtu duhet para ndoshta edhe pamundësia jonë si shoqëri për të prodhuar alternativa të reja, edhe politike.

Botuar ne “Gazeta Shqiptare”

Share: