Home I pakategorizuar Shteti që nuk investon për rrjetin arkivor, gjen para gjithmonë për “bunkere”…

Shteti që nuk investon për rrjetin arkivor, gjen para gjithmonë për “bunkere”…

Dy fjalë për bunkerin e ditëve tona, aq të filmuar e fotografuar ditën e sotme.

Bunkeri është ndërtuar që të shërbejë si portë hyrëse në kompleksin e zyrave nëntokësore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke bërë kësisoj një çarje jashtë zyrave.

Kjo ndërhyrje veç të tjerave është anormale dhe pa lidhje me asgjë historike. Zyrat nëntokësore ndodhen në hapësirën midis MPB-së dhe Ministrisë së Transporteve, të ndërtuara pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Këto zyra u ndërtuan për t’u përdorur për kuadrot e MPB-së për mbledhje në situata lufte. Zyrat janë ndërtuar pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ato janë të thjeshta, të mobiluara vetëm me tavolina e karrige.

Dhomat nuk kanë pasur as portrete të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, as dokumente të varura nëpër mure, as citate nga ato që shihen në filma, apo raste të mëparshme.

Po ashtu në to nuk është zhvilluar kurrfarë hetuesie, gjyqi, aktiviteti apo çështje të këtij lloji. Ato nuk kanë shërbyer asnjëherë për asgjë dhe nuk mund të sillen sot si sillen si rast muzeumologjie.

Nëse dhomat e ftohta të zyrave nëntokësore mbushen me foto e me faksimile, kjo jo vetëm nuk do të jetë mënyra e duhur për të treguar kohën e komunizmit, por më shumë do ngjajë si një piramidë e re nëntokësore e ngjashme me atë piramidën e rrënuar buzë Lanës, fati i së cilës është ai që shihet.

Shteti ynë që p.sh. nuk investon qysh në “kohën e antikitetit” për rrjetin arkivor të vendit, gjen para gjithmonë për investime të kota, e të panevojshme si ky i këtij lloji. Nuk do tregojnë asgjë zyrat nëntokësore të MPB-së, pasi ato asnjëherë nuk janë vënë në funksion.

Share: