Home KRYESORE Vemendja shteterore e diferencuar ndaj Muzikes dhe Panaireve…

Vemendja shteterore e diferencuar ndaj Muzikes dhe Panaireve…

Nga Ina Kosturi

Muzika dhe problemet e saj në Shqipëri

Specifika si art i tingullit, skenës e momentit, i faktorit kohë dhe sfumimi deri në harrim i melodisë e veçojnë muzikën nga artet e tjera. Duket se tingujt e koncertit, ndryshe nga fletët e shkruara të një libri, apo telajos si dëshmi të gjalla, arkivohen me ndihmën e dokumentimit muzikor, e deri atëherë jemi të paqartë për atë që u shfaq në skenë e më pas u sfumua. Ngjashmërisht si kjo specifikë në Shqipëri problemet e artit muzikor sfumohen, humbasin, derisa heshtja thyhet nga të tjera shfaqje e tinguj për të sjellë duartrokitjet e rradhës.

Në Shqipërinë e halleve muzika jehon sërish, shpesh e fokusuar tek kënga, kjo gjini e thjeshtë muzikore, e provuar nga një pjesë e madhe e popullsisë për hobi. Larg saj, muzika serioze me operat, baletet, koncertet simfonike e instrumentale përjeton sukses në dy skenat e mëdha në Tiranë. Megjithë vështirësitë koncertet zaptojnë sallat, ndërsa përtej larmisë, spektatorit, suksesit, mungon tabloja e asaj që realisht ndodh, në një balancë midis gjinive të mëdha, veprave skenike, instrumentale, kompozitorëve, rrymave, debutimit të artistëve të huaj e atyre shqiptarë, krijmtarisë së hershme dhe të sotme, në një transparencë profesionale, bashkëkohore.

Duket se muzika tek ne, me karakterin e saj elitar të koncerteve shijon heshtjen përtej tingujve. I mungon fjala, debati, rrëfimi, dokumentet e shkruara, mbështetja, mendimi i personaliteteve të saj, krahasimi, përkujtimi i emrave të harruar, hulumtimi i veprave të vjetra dhe kritika për aktivitetet e sotme. Vazhdon qetësisht, thuajse në heshtje, me përkrahjen modeste të faqeve të shtypit të shkruar në modelin e lajmit, rituali i shfaqjes në skenat tona deri diku të vjetëruara nga koha, në ato pak skena ku aftësia dhe talenti sfidojnë kushtet atmosferike dhe fotot gati të njëjta dokumentojnë art të heshtur, në dëgjimin e vëmendshëm ku frymëmarrja dhe tingujt zëvendësojnë fjalën. Ndryshe nga të tjerë komunitete artistësh, muzikantët, kompozitorët dhe interpretuesit krijojnë e zhvillojnë aktivitetin në një botë gati të veçuar, në përpjekje për mbështetje si shoqata të vogla, thuajse studimi individual nga fëmijëria ka destinuar dhe të ardhmen si profesionistë, thua se organizimi në grupe të mëdha, në panele mendimi dhe kërkimi do ndikonte në individualitetin e gjithësecilit.

Në Tiranën kryeqytet të librarive, panaireve të librit, të ankesës së vazhdueshme për përmirësimin apo vëmendjen ndaj letërsisë, muzika jonë duket se ka humbur lidhjen e saj me këtë art që do ta bënte të pavdekshme krijmtarinë muzikore, interpretimin. Arti muzikor tek ne e ka humbur dokumentimin nëpërmjet letërsisë.

Dokumentimi i shkruar muzikor si analizë e veprave dhe interpretimeve është i rrallë, harruar në cepa librarish ku duhet të qëndrojnë librat muzikorë, përkthimet, studimet, tashmë të pakta, të çmuara, gati gjithnjë si iniciativa personale individësh. Ndërsa në Tiranën e zhurmshme nuk gjendet asnjë librari muzikore me partitura e parte operash, baletesh, koncertesh, simfonish, që shpesh gjenden jashtë Shqipërisë në vendet ku tregtohen instrumenta muzikorë. Nëse të nevojitet parti i Sonatave të Bethovenit në piano,”Apasionatën”, njërën nga sonatat më të njohura nuk mund ta gjesh askund në origjinal.

Ndoshta se bota muzikore është një botë e varfër shqiptare dhe se komuniteti i muzikantëve vazhdon traditën e fotokopjeve , apo të marrjes së parteve nga interneti. Mund të gjesh përkthime të letërsisë botërore, libra të ndryshëm të një spektri të gjerë, nga letërsia e vërtetë tek ato botimet e rëndomta që edukojnë mënyrat e të qënit të suksesshëm, nga gatimet tek veshja. Mund të shfletosh albumë luksozë pikturash të epokave dhe krijuesve të ndryshëm nga gjithë bota, letërsi të vjetër, të sapo dalë, të vlerësuar me çmime, ndërsa në gjithë këtë pasuri marramendëse titujsh, autorësh e kopertinash, për muzikën klasike zor se gjen diçka. Rrallë shfaqet ndonjë revistë muzikore e huaj, dhe kjo e gjendur rastësisht…

E njëjta situatë paraqitet dhe përsa i përket realizimit dhe shperndarjes se disqeve të muzikës serioze, duke filluar nga mënyrat e realizmit dhe deri tek shitja në tregun muzikor, të zaptuar tashmë nga kënga e gjithë niveleve, nga plagjiatura tek këngëtarë të sajuar suksesshëm në një botë injorante. Duket se arti muzikor përjeron tranzicionin, e më thellë jeton një socializëm të dytë në sistemin e sotëm kapitalist përsa i përket varësisë së krijmtarisë dhe interpretimit nga institucionet shtetërore, nga Teatri i Operës dhe Baletit, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar dhe Ministria e Kulturës.

Vënia në skenë e veprave të përmasave të mëdha muzikore kërkon përkushtimin e këtyre institucioneve, bashkë me to dhe krijmtaria e vjetër e harruar shqiptare, e humbur në epokën e izolimit, përfshirë dhe debutimin e artistëve. Arti muzikor përjeton tranzicionin e shoqërisë shqiptare, në dilemen e një etape të re të lirisë së mendimit dhe krijimit, bllokuar tashmë rëndom nga pamundësia për të shfaqur krijmtarinë, duke penguar kështu pasurimin e gjithë spektrit e tablosë muzikore shqiptare.

Ekzistojnë një sërë veprash të kompozitorëve shqiparë të panjohur apo të humbur, krijmtaria të cilëve kërkon vëmëndje si trashëgimi muzikore, si dëshmi e përparimit si komb, e ndoshta si detyrim përkujtimi e memorie historike e asaj që ka ndodhur në një periudhë dhe në vetë muzikën shqiptare. U debatua viteve të fundit për data të para historike të krijimit të gjinive apo zhanreve të rëndësishme të muzikës së kultivuar shqiptare, megjithatë kjo qasje me muzikën e vjetër shqiptare mbeti në tentativa apo veprimtari të veçuara si iniciativa individësh të përkrahura nga qeveritë respektive të tranzicionit, me paksa ngjyrim politik dhe pa jehonën e vërtetë të krijmtarisë të motivuar me shkrime, dokumente, debate televizive, në nivelin e dokumentimit shkencor, të gërmimit të arkivave dhe të lënies së një trashëgimie të shkruar, nëpërmjet analizave, vënies në skenë të krijmtarisë muzikore të një periudhe të gjatë, për të cilën u hesht, madje ju mohua krijmtaria.

U zbuluan vepra të vjetra kompozitorësh, emra artistësh që duheshin përkujtuar, portrete që duheshin pastruar nga pluhuri i një politike të një kohe të egër, po kjo zgjati një moment, pa patur vazhdimësi apo mundësi hulumtimi më të thellë në baza tërësisht profesionale. Muzika e vjetër shqiptare përbën atë pjesë të historisë së muzikës sonë deri diku të humbur, harruar nga e shkuara e realizmit socialist, e cila vlerësonte mbi praktikën e çuditshme krijuesit, kompozitorët, bazuar në veprimtarinë politike, o qasjen ndaj rregjimit, bazuar nga e shkuara e qëndrimi i individit lidhur me çështje të realizmit socialist. Kështu në mënyrë selektive, pa sens, u vranë me harresë kompozitorë shqiptare, vepra e të cilëve u dogj nga urrejtja shumëvjeçare e luftës absurde të klasave, të armikut apo tendencave të huaja.

Periudha pas vitit 1992 kërkoi detyrimisht një studim të thelluar për gjetjen e partiturave, shkrimin e një historiku apo vlerësimin me korrektësi dhe dinjitet të kompozitorëve që për vite dhe vite ishin dënuar me harrim. Përpjekjet për të kujtuar apo interpretuar këtë muzikë më shumë se një detyrim ndaj muzikës, historisë së muzikës, erdhën në kushtet shqiptare të modelit miqësor. Ngjashmërisht si dekorimet, muzika apo kompozitorët shpesh të lidhur me politikën e patriotizmin dhe momentet historike të jetës shqiptare, luftrat dhe ngjarjet më të rëndësishme, erdhën jo si një projekt apo nevojë për njohje dhe shkrim të historisë muzikore shqiptare.

Shpesh lindën si nevojë për përkujtimin e individëve, në kritere njohjesh apo personash të apasionuar ndaj x ose y kompozitori, sollën aktivitete të rëndësishme për momentin, po që nuk vazhduan më tej. U përkrahën, e më pas thuajse u harruan… Partet e rralla dhe të panjohura të muzikës shqiptare mbeten tek koleksionistët e apasionuar, në arkivat e të cilëve u shtresua dhe kjo pasuri e rrallë. U duk se politikat e Ministrisë së Kulturës ndër vite sinkronizoheshin me këto përpjekje, po gjithsesi ky përkujtim ndodhi vonë, me një ose dy koncerte të institucioneve kryesore që sollën krijmtari të vjetër shqiptare.

Emrat e Lec Kurtit, Thoma Nasit e të tjerë kompozitorëve u shfaqën pas një periudhe të gjatë heshtjeje, duke tronditur apo debatuar mbi datat e krijmtarisë shqiptare të operës së parë, simfonisë apo sonatës për violinë, duke hedhur idenë e muzikës sonë të mëparshme, duke tronditur deri diku ato informacione të krijmarisë muzikore të lindur gjatë periudhës së realizmit socialist, apo duke e injoruar vitin 1945 si vit të krijimit të gjithçkaje edhe në botën muzikore. Mungoi debati i vërtetë për krijmtarinë e asaj periudhe, apo krahasimi midis epokave të ndryshme të krijmtarisë muzikore shqiptare.

Ndonëse Ministria e Kulturës në politikat e saj në vitin 2012 synoi shfaqjen dhe interpretimin e kësaj krijmtarie, koncerti simfonik me rastin e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë u ndërtua tërësisht me vepra të realizmit socialist, çka tregoi politikën kulturore fasadë të një ministie me program të djathtë, dhe përtej saj indoktrinimin e madh në muzikë gërshetuar me varfërinë e veprave të sotme, apo pamundësinë për tablo të sotme të krijmtarisë muzikore shqiptare. Krijmtaria artistike e realizmit socialist, e inkuadruar në drejtimin e institucioneve të asaj kohe, të një psikologjie dhe mentaliteti krijoi në Shqipërinë e mbyllur mundësinë për krijmtari dhe interpretim. Trashëgimia e këtyre veprave, të cilat meritojnë vëmendje sot, nga rivënia deri tek njohja e kësaj krijmtarie është fryt i frymëzimit, përkushtimit, profesionalizmit të kompozitorëve shqiptarë, pavarësisht kohës kur u shkruan. Tematika dhe lavdia, madhështia me të cilën ju këndua sistemit, ndikoi në veprat muzikore, që ndryshe nga letërsia gëzonin më shumë liri.

Kjo gjuhë muzikore gati e pakuptuar mes tingujsh u ngjyros me parimet, dogmat dhe politikat e kohës, mori aromën, ritmet, kufizimet e saj. Artisti ishte i lirë të promovonte krijmtarinë në aktivitete tërësisht të komanduara, në investime për vepra të mëdha e gjini muzikore, që ngjashmërisht si parrulla e realizmit të gjithçkaje të krijuar me forcat tona, do ndikonte dhe në një gjuhë muzikore tipike të kohës. Ata që lejoheshin të krijonin, pra që jetonin normalisht në Shqipërinë të izoluar, u promovuan dhe përkrahën nga politikat shtetërore për ta paraqitur krijmtarinë në aktivitete të organizuara me përkushtim maksimal, në veprimtari të karakterit dhe politik , si muzikë e realizmit socialist, ku liria e kompozitorit cenohej nga tematika e deri tek meloditë.

Një pjesë e veprave, ashtu si vetë artisti humbën lirinë për të qenë moderne, në sensin më të gjerë të fjalës. Kompozitorët si dhe shkrimtarët ruajtën veprat nga ideologjia e huaj apo nga fryma e përparuar kontemporane e kohës, në frikë prej modernizmit dhe ngjarjeve të rënda në art, si një mënyrë kjo autocensure dhe vetëmbrojtjeje nga sistemi. Një pjesë e madhe e krijmtarisë e kaloi këtë trysni të kohës dhe ruajti identitetin kombëtar shqiptar, vepra që rivihen sot në skenë dhe qëndrojnë në fondin më të mirë të krijmtarisë muzikore.

Një pjesë tjetër u mbështoll tërësisht me motivet apo shpesh imazhin e një periudhe, idetë e së cilës sot ngjajnë qesharake. Të tjera krijime, njësoj si disa nga poezitë e poemat e realizmit socialist, ndonëse të krijuara me gjuhën muzikore prej shtatë notash apo tingujsh, në mënyrë të pavetëdijshme humbën gjatë viteve më pas, për shkak të tematikës apo himnizimit të simboleve të asaj kohe. Krijmtaria më e mirë reziston sot si shprehje e muzikës dhe karakterit shqiptar, i përballur me gjithë stuhitë e padrejta të historisë.

Tranzicioni do shfaqej me të tjera forma përsa i përket krijmtarisë muzikore, me individë artistë e krijues të lirë përsa i përket mënyrës së konceptimit e shkrimit muzikor, në një epokë tjetër varfërie, këtë herë të një varfërie të lirë, e cila mundësonte lëvizjen e individit, krahasimin me fqinjët e vendet e tjera të botës, duke ofruar me mundim mundësi bashkëpunimi, eksperience.

Nga kjo përballje me botën e lirë, sodisfaksioni dhe suksesi i muzikantëve shqiptarë do shfaqej si kurajo për më shumë përkushtim, si dëshmi talenti, derisa një pjesë e artistëve të larguar nga vendi të integroheshin në botën muzikore jashtë Shqipërisë. Nëse gjatë realizmit socialist partia dhe organizmat shtetërorë vendosnin cakun e suksesit, lavdisë, madhështisë, në tranzicion artisti i lirë po krahasohej me një botë të huaj, të cilën e kish ëndërruar. I sapo dalë nga izolimi, duhej të përballej vetë, pa mbështetje me problemet që do shfaqte kultura në Shqipëri. Largimi i kujdesit shtetëror apo ai organizim i përpiktë kohor në festivale dhe aktivitete të realizmit socialist, do ja linte vendin iniciativës vetjake, e cila me vështirësi mundësonte vënien e veprave të vogla muzikore dhe tashmë ndeshemi me fenomenin e krijmtarisë të kufizuar, të thjeshtuar.

Artisti i lirë për të krijuar, i çliruar nga autocensura e dikurshme do shfaqej ndryshe, me vetëkontrollin apo detyrimin për të shkruar në gjini dhe formacione të vogla. Nëse muzika e realizmit socialist mundësoi krijimin e operave, baleteve, simfonive, koncerteve simfonike, tranzicioni ynë, me shtet të pafuqishëm dhe politika kulturore afatshkurtra, të paqarta dhe çoroditura ofroi mundësinë e vënies në skenë të gjinive të vogla, kryesisht të muzikës së dhomës. Në këto krijme nuk mungoi përfshirja e teknikave të reja të kompozimit, të shprehjes, të individit të lirë i cili kthen vëmendjen nga bota dhe ajo krijmtari e quajtur moderne, që i mungoi Shqipërisë në ndrydhjen e saj për shumë vite.

Nëse muzika e realzimit socialist, apo më saktë e kompozuar në atë kohë ishte muzikë tonale, pra e mbështetur tek melodia, apo e shprehuar në një gjuhë më të thjeshtë tek klasikja, pas kësaj periudhe kompozitorët shqiptarë ju referuan dhe muzikës kontemporane, e cila dukej se kish vonuar ardhjen, njohjen, interpretimin dhe krijimin e saj në Shqipëri. Po jetonin kohën moderne dhe muzika është pasqyrë e realitetit. Thënia e një kompozitori të madh se Nju Jorku i jepte të tjerë tinguj nga cicërima e zogjve, duket se ju përshtat dhe kompozitorëve shqiptarë, të cilët po jetonin një periudhë lirie për të reflektuar, guxuar, eksperimentuar e krijuar krahës muzikës tradicionale dhe këtë muzikë të re, gati të panjohur, që ecte me kohën dhe përtej saj me modën botërore.

Kjo gjuhë e re po gërshetohej me muzikën dhe motivet tradicionale shqiptare. U krijuan një sërë veprash, një pjesë u interpretua në skenën shqiptare, ndërsa kjo krijmtari ndër vite dhe sot shëtit dhe debuton në skena prestigjoze botërore deri në konservatorë nga më te njohurit. Suksesi i kompozitorëve shqiptarë dhe muzikantëve ndeshet sot dhe përtej Shqipërisë, ku një pjesë e madhe artistësh, muzikantësh që emigruan debutojnë me sukses, nga Evropa e shumë më larg saj, në gjithë botën. Tranzicioni solli natyrshëm një numër të madh aktivitetesh të zhvilluara kryesisht në Tiranë, ku performanca e artistëve të huaj, e organizuar tashmë dhe kjo në festivale me mbështetjen e ambasadave të huaja, shpalosi nivele të larta interpretimi të muzikantëve të muzikës klasike të ardhur nga vende të njohura të botës , instrumentistë kariere apo këngëtarë lirikë dhe dirigjentë.

Fillimet e tranzicionit mundësuan dhe interpretimin jashtë vendit të muzikantëve shqiptarë të inkuadruar në orkestrat e T.O.B e R.T.SH , solistëve dhe korit, duke i shndërruar turnetë në vendet fqinje në shkolla të vërteta të interpretimit, të vlefshme për përparimin e ngritjen e cilësisë artistike të institucioneve kombëtare. Pak kësaj periudhe të parë, organizimi i aktiviteteve u instalua brenda vendit dhe së fundmi kemi arritur gati në izolim të instrumentistëve apo orkestrave, në pamundësi lëvizjeje jashtë. Ndërkohë interesi i artistëve, muzikantëve shqiptarë që emigruan po rritet për rikthime të mundshme dhe debutime në skenën shqiptare.

Share: