Home KRYESORE DREJTËSI PËR POPULLIN

DREJTËSI PËR POPULLIN

Nga Sokol Shameti

Çfarë po bëjnë me drejtësinë ata që kanë marrë përsipër ta ndreqin atë në emër të shqiptarëve? Paradoksalisht, shumë nga shqiptarët nuk ia kanë haberin. Po kaq paradoksalisht, të njëjtët shqiptarë duken tërësisht të mpirë për të vënë re edhe se ata që kanë marrë iniciativën ta drejtojnë drejtësinë tek ne, janë të njëjtët që duhen të mbanin përgjegjësi për shtrembërimin e saj deri tani e që në këto momente duhej të ishin duke kryer dënime burgjeve. Ironi më të madhe e fatkeqësi më të rëndë për një popull edhe ashtu fatkeq si shqiptarët, nuk ka.

Për ta organizuar shtjellimin në një mënyrë sa më sistematike, le ta nisim megjithatë atë duke vënë në dukje se i gjithë procesi i reformimit të drejtësisë, që pranohet gjerësisht se nuk funksionon, ka mbetur hermetik në përmbajtjen e tij. Ky fenomen është i përhershëm gjatë çdo diskutimi për vendime që prekin direkt interesat e njerëzve në Shqipëri, siç janë buxheti, reforma zgjedhore, taksat, privatizimet, modeli ekonomik, etj. Se kush është përgjegjës për këtë mënjanim të qëllimshëm të pjesëmarrjes qytetare mbetet ta shquajmë përballë dhe të mos ia kërkojmë gjurmët nëpër dëborë.

Reforma në drejtësi nuk është shtruar në asnjë moment për t’u kuvenduar në mënyrë kolektive nga të gjithë qytetarët, asnjë fushatë informuese nuk është bërë rreth saj. Qytetari dhe fshatari i zakonshëm shqiptar, i cili nesër do të jetë subjekt i drejtësisë së dalë nga kjo reformë, nuk di as edhe një detaj të vetëm se ku konsiston ajo, cilat janë ndryshimet që propozohen, si do ta përmirësojnë konkretisht këto ndryshime drejtësinë dhe lëre më pastaj të jetë ftuar të japë mendimin e vet nëse është ai dakord apo jo që këto ndryshime të bëhen. Brendia e kësaj reforme dhe në përgjithësi dijenia publike për atë çka demiurgët përkatës po kurdisin në zemberekun e saj, është mbajtur në diskrecion të plotë.

Ajo çka është hedhur për publikun si lëmoshë informative është thjesht ideja se mes PS, PD dhe LSI ka një mospajtim, por se çfarë, si, qysh dhe pse, kjo është lënë qëllimisht mister ose është prekur vetëm shkarazi.

Teksa avlëmendi i drejtësisë së re vazhdon të endet në heshtje, partitë dhe përfaqësuesit e tyre zyrtarë akuzojnë njëra tjetrën për dominim të tij. Moria e analistëve që gjallojnë falë debatit të vetëm që dinë të bëjnë ”“ atij rreth konjukturave partiake ”“ po shfokusojnë qëllimisht vëmendjen e njerëzve nga debati se kush ka tagrin për të bërë reformë në drejtësi, tek teknikalitetet e faktit të kryer që ofrojnë draftet partiake apo të ekspertëve partiakë ”“ po, dhe ata nuk e fshehin: partiakë. Shqetësimi i tyre kryesor është të mbajnë vazhdimisht si temë bisede partitë politike dhe liderët e tyre, si fusha e tyre e vetme e ekspertizës pa të cilën ata do të mbeteshin pa punë. Në një farë mënyre, edhe ata janë ekspertë partiakë me veprim në sektorin e medias. Tok me ngjyrat, tingujt, farfuritjet dhe xixat e tij, debati partiak për drejtësinë ngjan kështu me një marifet kllounësh që duan t’i tërheqin vëmendjen publikut nga një mekanizëm i mërzitshëm e brutal që rrotullohet në prapaskenë. Në fund të fundit, reforma në drejtësi nuk është një reformë e pavarur, por si çdo vendim defektoz që ka penalizuar Shqipërinë këto dekada, ajo e nisi dhe po e bitis si një aksion partiak.

Por a e ka tagrin klasa e partiakëve të vendosë ajo për rregullimin e peshores së drejtësisë së cilës i ka bërë vetë hile për vite me radhë? Jo vetëm sondazhe të pavarura por edhe të dhënat e pjesëmarrjeve në zgjedhje çdo katërvjeçar po vërtetojnë se legjitimiteti i këtyre partive që sot sundojnë tek ne është në rënie të pandalshme. Njerëzit që përfshihen në procesin zgjedhor janë përherë e më të paktë. Ky është barometri që tregon se sa peshë kanë realisht partitë në Shqipëri. Kjo është prova se partitë politike në Shqipëri, jo vetëm përfaqësojnë pakicën e popullit, por edhe kur ato fitojnë zgjedhjet, këto janë zgjedhje të fituara me anë të shumicës brenda kësaj pakice.

E vërteta pra është se partitë shqiptare nuk kanë më moralisht të drejtë të ndërmarrin veprime në emër të të gjithë popullit për sa kohë që jo i gjithë populli ka qenë pjesëmarrës në lojën që ato e quajnë “demokraci përfaqësuese”. Sipas të njëjtit moral, partitë e pakicës në Shqipëri nuk kanë të drejtë të vendosin për drejtësinë së cilës do t’i nënshtrohen të gjithë në këtë vend, si ata që e pëlqejnë sportin e votimit të partive si ata që janë të papërfshirë në këtë lojë.

Por pse ky vrap i ethshëm i partiakëve shqiptarë për ta zhgaravitur ata rregulloren e re të drejtësisë ndërkohë që kujdesen të fshehin me mëngë nga sytë e popullit atë që po shkruajnë? Sikurse druhet por edhe siç bën realisht sens, partitë dhe njerëzit e tyre të specializuar në ujdisje ligjesh, po përpilojnë një reformë që do të bëjë drejtësi për veten e tyre dhe jo për popullin. Po komisioni i Venecias, po ambasadori Lu, do të pyesin disa? Dëshira e tyre për ndihmë mund të jetë gjenuine por bashkëpunimi i tyre në rregullimin e drejtësisë shqiptare me këtë klasë politike të mirënjohur për padrejtësinë që e karakterizon, e minon qëllimin e tyre.

Edhe në një rast hipotetik, sikur qëllimet e mira të ndërkombëtarëve dhe draftet paraprake të certifikuara prej tyre të kenë qenë vërtet me fokus rikthimin e drejtësisë, përfshirja e këtyre partive të përlyera në faj me anë të ekspertëve dhe funksionarëve të saj në këtë reformë mund të ketë për mision vetëm ruajtjen e vetes nga pasojat e një drejtësie të drejtë dhe kurrgjë tjetër. Ajo çka këta liderë politikë të diskredituar mund të duan nga dokumenti i ri i drejtësisë s’mund të jetë gjë tjetër veçse minimizimi dhe relativizimi i rrezikut prej saj; vetëm shmangie e dëmeve; vetëm krijim i kleçkave të reja ligjore që do të shërbejnë si siguresa dhe garanci se abuzuesit e deritanishëm me pushtetin do të vazhdojnë të jenë të tillë edhe pas përditësimit të sistemit të drejtësisë.

Sikurse kanë konstatuar me të drejtë edhe vëzhgues të tjerë më herët, si Lubonja etj, reforma e shumëpërfolur në drejtësi është kësisoj e pengmarrë dhe e dështuar që në shpërgënj. Ajo po konceptohet si reformë drejtësie për politikanët dhe jo për popullin. Populli është shmangur me marifet nga çdo mundësi vendimmarrjeje për këtë reformë, duke u konsideruar pa debat si i pakualifikuar për të marrë vendime për veten, si dhe duke u intimiduar me anë të marketimit të shfrenuar të “ekspertëve” që janë vendosur në krye të procesit nga ana e shefave partiakë.

Rrugëdalja e vetme për një drejtësi të besueshme, të pastër, sovrane dhe të pakontestueshme është ajo e një sistemi ku populli të jetë sa më shumë pjesëmarrës. Jo vetëm reformë drejtësie e votuar me referendum nga populli, siç po mundohen të luajnë me bllofin kryetarë partiakë të diskredituar që kanë përfituar nga drejtësia e padrejtë e deritanishme. Ajo çka duhet është: popull që voton në referendum për një drejtësi ku edhe popullit i është dhënë e drejta t’i zgjedhë gjykatësit dhe prokurorët e vet.

Kjo alternativë që nuk figuron në asnjë draft, në asnjë propozim dhe në asnjë model të paraqitur nga “ekspertët” është fantazma së cilës i tremben më shumë se gjithçkaje pengmarrësit e deritanishëm të drejtësisë në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse ata bëjnë kaq shumë zhurmë, kaq shumë teatër dhe kaq shumë tym.

Share: