Home KRYESORE Dy fjalë për letrat publike të “mësueses së Gregut”

Dy fjalë për letrat publike të “mësueses së Gregut”

Nga Mentor Kikia

Mësuesit në karrierën e tyre kalojnë “nëpër duar” mijëra nxënës. Zakonisht janë nxënësit që mbajnë mend mësuesit dhe jo e kundërta. Por mësuesja Entela Kasi, ndërsa shkroi një letër publike, ku denonconte probleme në mënyrën e drejtimit të shkollës ku ajo punonte, por edhe praktikën e emërimit të mësuesve në përgjithsësi, u identifikua si “Mësuesja e Gregut”, djalit të madh të kryeministrit Rama. Mesaduket, kjo për të tërhequr më shumë vëmendje politike, pasi Gregu nuk është Bill Gates, që ajo të krenohej apo identifikohej me të.

Ajo letër, e publikuiar në 25 Nëntor 2015, tërhoqi shumë vëmendje. Shumë lexues, në mediat online, e përgëzonin për kurajën e denoncimit të problemeve me të cilat përballet arsimi sot. Edhe unë e lexova atë letër dhe më erdhi mirë që ka njerëz me kurajë.

Unë i pëlqej njerëzit që rrezikojnë për të vërtetën, që nuk bëjnë kompromise për të denoncuar një çështje për të cilën ata mendojnë se është e drejtë. Ata që e bëjnë këtë, rrallë dalin të fituar, por fitorja më e madhe është fjala e thënë, e vërteta e bërë publike.

Unë mendoj se shoqërisë sonë pikërisht kjo i mungon, kurajoja e njerëzve për të ngritur krye. Unë mendoj se shoqërinë tonë e mundon pikërisht fakti i të bërit kompromis(pazar) për gjithëçka e për hiçgjë dhe pajtimi me realitetin, për një interes të çastit.

Mësuesja kishte vendosur kusht: Ose drejtoresha, ose unë. Ky është një bast i sigurt, i humbur. E ka fituar vetëm një tenor i famshëm në Operan e Parisit, nja 3 vjet më parë: Ose unë, ose drejtori- tha edhe ai. Meqë drejtorë ka shumë, por tenorë të famshëm shumë pak, u shkarkua drejtori. Por me mësuesit nuk besoj se ecën kjo punë.

Mësuesja kishte deklaruar se nuk shkoj në punë sa të jetë drejtoresha, dhe kaq. Ministria e refuzoi ultimatumin dhe ajo automatikisht ishte e shkarkuar. Pas një muaji e gjysmë i njoftuan vendimin e zevendesimit.

Tani mësuesja e bëri lajm vendimin e shkarkimit. Pastaj bëri dhe një letër tjetër ku përpiqej të sqaronte se ku kishin gabuar ata që e kishin shkarkuar… dhe sërish u bë protagoniste e mediave online.

Nuk dua të replikoj me mësuesen, kam një respekt të thellë për këdo që mban emrin mësues dhe njerëzit që vlerësoj më shumë pas prindërve, janë pikërisht dy mësues të mitë. Por, se si mu zhvlerësua modeli i njeriut rrebel që krijova kur lexova letrën e parë.

entela kasi 1Ta kishe lënë me aq! Nuk mund të bëjë më shumë një mësues se kaq. Ndërsa të tjerët paguajnë 5 mijë Euro një vend pune, një mesuese largohet në mënyrë demonstrative sepse refuzon mënyrën e drejtimit të shkollës, e më gjërë.

Ky ishte heroizmi. Tani s’ka më lavdi mësuese. Një njeri i dorëhequr s’ka pse ankohet për shkarkimin.
Kjo nuk është një replikë, por vetëm një vërejtje për një mësuese kurajoze.

Share: