Home KRYESORE Global Foods Limited ne kohen e Firmave Piramidale

Global Foods Limited ne kohen e Firmave Piramidale

Nga Ylli Dylgjeri

Ishte fillimi i vitit 97. Punoja në sektorin e Marketingut të gazetës Koha Jonë. Situata politike dhe ekonomike po rëndohej çdo ditë. Firmat piramidale po binin njëra pas tjetrës. Në zyrat e tyre shihje turma njerzish që prisnin në sportelet bosh me orë të tëra.

Në këtë situatë të rënduar, “Presidenti” i një firme rentiere, që quhej “Global Foods Limited” më kërkon në telefon për të pirë një kafe. Lemë një orar në hotel Rogner, si vendi më i sigurtë për të biseduar në ato kohë.

Nejse, i shkoj në takim në orar. “Presidenti” pasi më pyeti për gazetën në përgjithësi, e zotin Nikoll Lesi në veçanti, më kërkoj ti botoj një reklamë në faqet e Koha Jonë. Në atë kohë gazetë lider në tregun e shtypit të pavarur shqiptar. Presidenti më sqaron në bisedë se do t’ju paguaj cash, dhe pa kufizim çmimi e tarifash. Dakort – i them.

I prezantoj faqet, se ku mund t’ja botoj, duke i dhënë edhe sipërfaqen e botimit e ditët. Pas kësaj i kërkoj materialin publikues për botim.

Më thotë i habitur: Çfarë materiali do ti? Materialin do ta bësh ti- thotë!!! Unë kam lekët.
Ok- i them, po çfarë prodhon Ti te Globali….?
Gjithçka -më thotë! Tregëti globale.
Ok, i them, po shkoj ta shkruaj, dhe po ta sjell për aprovim teksin.
Jo-më thotë, kam besim, fute në gazetë direkt sa ta shkruash. Ashtu u bë.

Firmosi kontratën, për 10 faqe botim, dhe i pagoi lekët në cash. Të nesërmen reklama doli në faqet gazetës. Pas dy orësh, “Presidenti” më bën telefonatë dhe më përgëzon për publicitetin.

E pyes: Të pëlqeu?
Poo, shumë- më thotë, po nuk e kuptova mirë… Çfarë prodhoj Unë?

Ishte koha e piramidave.

Share: