Home KRYESORE Një selfie e munguar me Kryeministrin Rama ne Majami!

Një selfie e munguar me Kryeministrin Rama ne Majami!

Nga Ilir Levonja

Nga mesazhet me plot urime për një vit të mbarë. Nga dje në mëngjes më vine edhe plot të tillë edhe si formë njoftimi për mbërritjen e Edi Ramës këtu në Majemi. Disa më kujtojnë ndonjë nga shkrimet e mia ku kam qënë paksa i ashpër me ‘të. Disa më pyesin se, a e di se për çfarë ka ardhur? Për ndonjë ekspozitë personale? Apo për t’u tallur me lekët e popullit.? Ndërkohë të tjerë habiten përse hesht kur unë jetoj këtu. Përse hesht për këto pushimet e tia përrallore? Ndërkohë ca më pyesin se, e kam apo nuk e kam marrë vesh akoma?

1)Unë nuk kam asgjë me Edi Ramën, biles gëzohem që është këtu. Të kritikosh nuk është marrëzi, por dobi. Të pështysh e përdhosësh, shash, fyesh…, është tjetër gjë. Faqje jetë që nuk i përket qënies time. Dhe sigurisht do dëshiroja që kjo të mos ndodhte edhe mes politikanëve tek ne. Edhe tek Edi Rama.

Dhe dua të them edhe këtë tjetrën, sidomos për shtypin aprofesional. Për shtypin e selive pranë partive kundërshtare. Se nuk është kreja e luksit një pushim dy ditor në Majemin e latinëve të Amerikës së Jugut. Majemi nuk është paraqitje e kulluar e fotoshopëve në sportelet e turistëve. Tashmë në këtë sezon, për shkak të klimës së ngrohtë. Që ta themi më shqip, është një lloj llixhe si ajo e Elbasanit, ku shkojnë pleqtë tanë të ngrohin gjunjët.

Më shtrenjtë është të pushoh në ndonjë nga resortet e reja, në vendet e nivelit të tretë. Si Afrika apo Oqeania e mënjanuar, se sa në Majemin tradicional. Aq më tepër në këtë sezon, ku vine dhe e pushtojnë zogjtë e borës, kanadezët. Ashtu siç bëjmë ne me Elbasanin.

2)Do kisha kënaqësi ta takoja. Dhe sigurisht do e ftoja për darkë në shtëpi. Bashkë me time shoqe, ne gëzojmë. Kemi kënaqësi të ndezim grillën. Kënaqësi sidomos unë të hap shishen e verës dhe ajo ato të ujit. Të bisedojmë e kujtojmë. Do e ftoja në shtëpi dhe jo në restorant për faktin e virtytit të shqiptarit. Me të drejtën njerëzore se sa kohë që nuk i kam thënë qelbësirë, apo depozitë m, apo nxjerrur ndonjë video të fshehtë etj. Nuk e kam problem por kënaqësi të pi gotën e verës. Në fund të fundit, argumentave të mia, i bien kokës 1 million vota të popullit shqiptar. Dhe nëse ka ardhur të hapi ndonjë ekspozitë, do shkoja me dëshirë. Pavarsisht shijeve të mia, që përkojnë me paqen shpirtërore të një piktori lezhian si Pashk Përvathi. Dhe jo abstraktsionizmin e tij. Por në art, ekzistenca është e drejtë universale, pavarsisht apo jo qejfit tim apo tonit. Në shtëpi do e ftoja edhe për t’i treguar një landfill të përpunimit të plehrave. E kam as një sy larg dritares time. Na ndan një liqen si ai i Tiranës. E shoh gjithë darkave që bulërin nga dritat. Një dykodrionor i gjelbër aq sa kur fqinji më tha se është landfill. Dhe një përpunues e prodhues energjie, u habita. Kam bërë shkrime ato kohë për këtë përpunim dhe riciklim. Tamam atëhere kur Edi Rama në opozitë i kundërvihej ashpër një nisme ricikluese në Shqipërinë tonë. Vitet kalojnë dhe prapë habitem. Nuk ka pluhur, nuk ka kutërbime, nuk ka asgjë. Veç kodërzimet e gjelbërta plot bar të qethur që mbulohen e zbulohen, në brendësi të të cilëve fermentohen mbetjet, të vetmet pasi gjithçka përqark është fushë. Aq sa këtu kanë vite që po bëjnë kodra, apo male, me plehrat e përpunura. Ndërkohë tek ne edhe pse kemi lumenjë të rrjedhshëm, edhe pse kemi plehra me shumicë, vuajmë akoma nga mungesa e energjisë. Dhe po çmeritemi nga djegiet publike të landfillëve kancerogjenë. Këtë jua siguroj që do t’ia kujtoja.

Thenie-nga-Fan-Noli3)Tjetër gjë do i ofroja edhe një vizitë të shkurtër tek shtëpia e njërit prej ish Kryeminstrave tanë. Atij të vitit 1924, peshkopit erudit Fan Noli. Themeluesit të Kishës shqiptare, por që ne shqiptarët çuditërisht e lam përjetësisht në mërgim. Dikur për shkak të kundërshtive të ashpra politike mes nesh. Dikur prej luftrave … Dikur prej blasfemisë për njëri-tjetrin po prej nesh. Dhe sot prej qylit që aq shumë e vdesim. Dhe aq pa problem e kemi të shesim edhe krenarinë kombëtare. Të gjitha vendet i ngrenë kultet me dheun e tyre. Me djersën e tyre…, kurse ne mbetëm me sytë nga Konstandinopoja dhe fushat me rërë të beduinëve. Aq sa e mbushëm Tiranën me ibrikër çaji, duke u mburrur fushatave si arritje dhe thithje investimesh. Do ja tregoja këtë shtëpi duke i kujtuar se nuk kushton as sa gjysma e një apartamenti një dhomë e guzhinë në Tiranë. Nga ata të ndërtuarit me leje me shtatë vula fallco. Dhe që buxheti i shqiptarëve, qoftë i Tiranës, Prishtinës, apo edhe atyre të Maqedonisë… e ka vetëm një qime trupi. Në fund të fundit, peshkopi i shqiptarëve është.

Tjetër do i tregoja se gjithë Majemi ka në shpinë një kënetë. Atë të Everglajd-it. Një sipërfaqe e pamatë uji dhe kallamishtesh. Aq sa kur udhëton atyre anëve të kap paniku i një bote që të ka mundur një herë e përgjithmonë me hapësirën. Tabelat e rrugëve fije plumbi të këshillojnë ta kesh serbatorin plot. I gjithë Majemi është nën nivelin e saj. Një lloj ujdhese gjigande e bonifikuar gati në një sipërfaqe sa ajo e territorit të Shqipërisë. Një resort i botës siç e ka bërë Zoti. Ku për njëzet dollarë mund të shëtësisësh për orë të tëra mes natyrës dhe gjindjes së saj. Ne, ato pak laguna që kemi ua morëm shpirtin me pronarë që vriten si në filma western. Kjo këtu është rezervat e frymës së vërtetë shpezore, kafshësh dhe zvarranikësish. Një basen ushqyes për gjithë kanalet e lundrueshme në ujdhesat e Majemit dhe deri sipër. Por këto nuk janë bërë vetëm nga Zoti. Por edhe nga njerëz që dinë të shtrëngojnë duart. Të bëjnë marrëveshje. Të flasin, pasi pa folur nuk arrihet asgjëkundi.

4) Megjithatë një pyetje të drejt për drejtë do ja bëja. Për shkak të nismës së tij në luftën kundër informalitetit. A është Partia Socialiste sot, një zyrë punësimi? Nëse do më ironizonte, do qeshte dhe do fillonte e të tjera që i bën vetëm ai. Ta dini, nuk ka akoma reformë të mirfilltë aty. Madje këtë dua t’ua transemtojë edhe njerëzve mbarë. Nëse prisni të punësoheni përmes Partisë, në të cilën aderoni. Ai vend nuk ka për t’u rregulluar asnjëherë. Lëngata jonë vjen pikërisht prej kësaj strategjie. Ju mendoni se keni fituar. Në fakt jeni varfëruar më shumë.

A po na mashtron ne, Edi Rama duke thënë se po lufton informalizmin? A besoni ju se po e lufton dhe nga ana tjetër prisni radhën në listën e Partisë.? Pyesni veten. Se përgjigja është e thjesht…, ashtu sikur i dham një milion vota. Për ta sjellur këtu ku është. Ka po aty një milion vota për ta hequr. Dhe kjo quhet përgjegjësi qytetare. Puna është se tek ne ka një vlim marrok aq sa gjithçka është dhe i përket vetëm qeverisë. Dhe aspak e këtyre një milion votuesve. Përshembull nuk mund të bëhet opozitarizëm me aksidentet rrugore. Apo me një fatkeqësi si ajo e Drishtit në Shkodrën e pushtuar. Ku një i ri vret nga inati pse nuk i japin për grua vajzën. Kjo është një fatkeqësi që përpara se të na mbushi me mllef antiqeveri. Duhet të na bëj me turp. Duhet të kuptojmë se sa të lidhur këmbë e duarsh jemi. Së pari nga selfie-Ramavetvetja pastaj nga qeveritë. Vetëm tek ne gjithçka mund të përbëjë lëndë opozitare. Jo sot, por kështu ka qënë. Kështu është. Dhe duket sikur kështu do të mbetet. Dhe çdo gjë mund të quhet shanc për të denigruar shoku-shokun. Ndaj them se kjo është një marri kolektive, krahësh. Nga e cila duhet dalur. Por me sa duket, ose sipas kapjes sociale. Akoma është e pamundur. Shqipëria ka nevojë për përtëritjen e politikës. Dhe nëse nuk e bëjnë këtë partitë aktuale. O do lindi një pol i ri. Ose do vazhdojë gjëndja tërkuzë me të acaruar dhe nevrastenikë të së përditshmes. Me politikanë që rrahin gjoksin dhe kurrë nuk duan ta kuptojnë se ka një ditë që i thuhet edhe vetes mjaft. Dhe fatkeqja është kur akoma ka ithtarë që i brohorasin.

5)E fundit do e bëja edhe një selfie me Edi Ramën. Për të lënë përfundimisht të kuptoni se, Edi Rama nuk u bë Kryeministri i 33-të i shqiptarëve me grusht shteti, me juntë ushtarakë, me çfarë të them. Por thjesht me votën tuaj. Unë asaj i falem, jo lartësisë së Tij.

Share: