Home KRYESORE Po m’dha mirë. Po edhe po nuk m’dha…, prapë mire.

Po m’dha mirë. Po edhe po nuk m’dha…, prapë mire.

Nga Ilir Levonja

Eshte e trishtueshme të shohësh një burrë duke qarë. Madje kur mezi thotë që, po m’dha mire… Edhe po nuk m’dha prapë mirë. E ka fjalën për shtetin e tij. Ndërkohë e di që nuk merr asgjë. Por lodhja dhe fatkeqësia e kanë tronditur. Ka ndenjur gjithë natën, duke shikuar të përmbytej shtëpia e tij. Kursimet dhe puna e katër djemve në kurbet. Ndërkohë nuk është i sigurtë për asgjë. Ka ardhur nga zonat malore midis Myzeqesë dhe Elbasanit. Zuri një gropore afër lumit Shkumbin. Diku aty ku siç thonë myzeqarët që me gisht ta ngulësh fidanin, zë e rritet. Ose edhe macurrka e thatë mbinë prapë. Kaq bujare është ajo tokë e njelmët. Mirëpo ja që i teket edhe lumit e të bën hatanë. Çfarë të bëj njeriu i shkretë.

Greqia i falimentoi. Italia po përtyp veten. Gjermania ta bën në kokë. Më mire pranon sirianë se shqiptarë. Franca ka hallet e veta. Kurse Spanja kaq e kishte. Sidomos edhe me këtë punën e Katalonjës. Ku të mblidhet shtetari i shkretë.? Shteti i vet ka hallin e reformës në drejtësi. Përmbytja është bërë e modës. Madje edhe denoncimet, bëhen për grupet e interesit. Të atyre që lajnë hesapet e drogës dhe tenderimeve. Jo për bagëtitë që i mori Shkumbini. E ia bëri kurban detit në këtë fillim viti të hidhur.

Vitet e demokracisë, ishin një lëvizje e ndërsjellë. Në fund të fundit, pse të mos e provonin. Më mire pak pluhur e ujë në Myzeqe. Se sa të ngjitesh e të zbresësh monopateve të Shpatit apo Valshit në Elbasan. Kush ka shkuar atyre anëve, e ka të qartë dallimin. Por do apo nuk do njeriu. Sidomos udhëtari, pyet nën zë veten… Vërtetë jetohet këtej.? Brigjet edhe pse ngjajnë me Zvicrën, i ka zhveshur fraqi dhe errozioni. Shkozat skalafiten rrugëve ku vetëm kecat kalojnë. Se për rrugë normale, as që bëhet fjalë. Edhe pse atyre majave rron si një asterisk. Shenjë e kohës, një kishë që e zbukuroi Onufri. Por ne kemi këto prej xhami tani.

Sikur vetëm rrugë të kishin ato anë. Ta dini qielli i Zvicrës nuk do ishte kurrë më i bukur. Por kujt i ka rënë për pjesë.? Na ka rënë neve. Jo zvicerianëve. Neve që ndajmë tapi nga shtatë here në vit. Që i nëmim këta lëvizarakë. Këta shpatarakë.

Elbasan është emër i bukur. Megjithatë ngjitu katundeve të Shpatit. Ngjitu e të kuptosh se ekziston edhe një botë njerëzore që ne e kemi harruar. Ngjitu e pastaj gjyko se ka të drejtë apo jo ai bir nënë të zbresi në groporet e Myzeqesë.

Të paktën nga krahu kundruall, luginës së Drinit, edhe pse ngucas, ftohtit apo thepave ku rrinë varur akoma skelet e saurrelave çekë, lëviz jeta. Kurse në Shpatin e Elbasanit vegjeton vetveten. Kqyr botën poshtë në fushën ku los Shkumbini. Aq sa I lumturi njeri i bën amin korit të zogjve dhe erës së Krastës.
Kështu që Myzeqeja është parajsë.

Sot ky burrë, është në moshë. I vrarë dy here. Përqark i sillen katër djemtë. Ata që ai u përpoq të t’i mbajë nën një çati. Dhe ia arriti. Ia arriti duke dhënë këtej andej ndonjë vote, për hir të tokës. Për hir të ekzistencës. I lumtur që shtonte edhe ndonjë bagëti.

Mirëpo i pari i vendit del e thotë se po paguajmë gabimet e këtyre njëzet vjetëve. Këto lëvizjet e ikjet. Ardhjet apo nguljet.

Në fakt që e shikon si një gabim, si një plagë, si një marramendje demografike bën mire. Po pse pikërisht në kohë përmbytje.?

Nga ana tjetër, sillen shumë zëra që përflasin siguracionet apo më the e të thashë. Mbi shtëpinë, mbi pronën. Në fakt edhe kjo nuk është keq. Por në një vend ku vetëm të bërtasin dine. Ku mburren me një ekonomi të ”suksesshme” me rrogë vjetore prej 5% të popullsisë. Vetëm atyre që kanë privilegjin e administrates shtetërore. Të tjerët janë dhimbsurakë të një lëngate me emrin përkrahje sociale. Kurse ata tek privatet, po deshën aq apo kaq mire. Po nuk deshën, të pirdhen. Siguracionet janë edhe kulturë që vjen si rrjedhojë e një ekonomie reale. Jo e sojit shqiptar. Ku askush nuk e di se sa merr dhe sa paguan. Por të paktën di se sa ka. Dhe këto i mban poshtë jastëkut. Ose tonja të lidhura në xhep.

Kështu që, Të një ekonomie ku gjithkush deklaron jo aq sa ka, por sa i do qejfi të deklarojë. Nga ana tjetër, jemi vendi me çmimin më të lartë të shitjes së energjisë dhe karburanteve.

Gjithsesi, jemi tek ai elbasanasi nga malet. Ku në Çermë të Lushnjes. Lumi Shkumbin ia mori të gjitha. Vetëm për një natë, vetëm me një revansh. Tek ai burri që qan, i mallkuar nga fati.

Por duke qënë se nuk është i vetëm. Pasi gjithë Shqipëria është në ujë. Mjaftohet me mëshirën, po m’dha mirë. Po edhe po nuk m’dha…, prapë mire. Duke ua bërë edhe më të lehtë punën negociatorëve të reformës në drejtësi.

Share: