Home KRYESORE “The Economist” nuk eshte budallaqe…

“The Economist” nuk eshte budallaqe…

Nga Besart Kadia

Së pari, nuk ka asnjë gjë të keqe që qeveria të mundohet të promovojë ekonominë shqiptare në media ndërkombëtare. Çdo qeveri mundohet të ndihmojë imazhin e vendit të saj me anë të sponsorizimeve të udhëtimeve të gazetarëve të mediave prestigjioze, me anë të reklamave në televizion etj. Duke shkruar këto radhë më vijnë menjëherë në mendje reklamat e zjarrta të Azerbajxhanit, apo slogani i goditur Malaysia truly Asia apo Montenegro Wild Beauty etj. Me të njëjtën frymë u bë atëherë dhe spoti me vlerë 300 mijë dollarë për CNN dhe Euronews, nga ministri i Kulturës Ylli Pango. Në atë kontratë mundohej të promovohej bukuria shqiptare dhe jo politikat e qeverisë apo reformat ekonomike apo mundësitë për investim. Partia Socialiste në atë kohë, ishte kundra dhe deklaroi se kjo ishte një aferë korruptive. Hapi çështje dhe dosje duke tulatur çdo ministër në të ardhmen të guxonte të ndërmerrte një hap tjetër të ngjashëm.

Së dyti, vlera me të cilën po diskutohet për reklamën e paguar në revistën “The Economist” nga qeveria shqiptare, prej afërsisht 300 mijë euro nuk është ndonjë dëm i madh për buxhetin e shtetit shqiptar, mjafton të kujtojmë se në vitin 2007 mediat raportonin se Maqedonia kishte krijuar një buxhet prej 20 milionë eurosh për strategjinë e saj pesë vjeçare për të reklamuar Maqedoninë në mediat ndërkombëtare. InvestinMacedonia gjendej kudo, në Financial Times, The Economist, CNN, Bloomberg e BBC.

Thënë këto, gjithçka tjetër e thënë për “shkrimin” e publikuar nga revista “The Economist” është e shtirur, qesharake, gënjeshtër dhe vetëm çështje politike.

Njoftimi për shtyp i Ministrisë së Ekonomisë niset me një të pavërtetë. Në të thuhet se revista prestigjioze “The Economist”, në numrin e saj të fundit “ka botuar një artikull prej tetë faqesh, për Shqipërinë, apo sikurse e cilëson artikulli, vendin që udhëheq reformat në rajonin e Ballkanit”.  Shqipëria në 14 vitet e fundit që kam shfletuar këtë revistë, çdo javë nuk ka marrë dot më shumë se 1 faqe shkrim, që mbulohet kryesisht nga autori Tim Judah. Ky i fundit na paraqet më tepër si vend problematik Ballkanik pa ndonjë shkëlqim të veçantë nga vendet e tjera të rajonit. Pra tetë faqe artikull nuk ekziston, por edhe kjo nuk përbën problem. Problem përbën titulli i vendosur nga vetë qeveria për hapësirën publicitare që ka blerë.

Të thuash që Shqipëria është një vend lider në reforma, duhet ta bazosh jo në pretendime të kryeministrit të radhës por në të dhëna të institucioneve të pavarura. Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria gjatë vitit të fundit humbi 35 vende në raportin Doing Business të Bankës Botërore ku jemi në vend të 97-të në botë, krahasuar me Maqedoninë, e cila është e 12-ta në botë. Ne jemi të fundit në këtë indikator dhe kjo na bëka lider! Përsa i përket indikatorit tjetër të rëndësishëm të Lirisë Ekonomike, ne jemi të 63-tët në botë dhe kemi humbur 9 vende vetëm gjatë vitit të shkuar etj. Thënë këto, kemi rritje ekonomike të ulët dhe borxh publik të lartë e me sfida të forta në vitet e ardhshme. Ndaj argumenti se “The Economist” na cilëson si lider në reforma nuk është e vërtetë, pasi këtë gjë e bën vetë qeveria për veten e saj. Këtu publiku mundohet të gënjehet dy herë, dhe që e bën revista shkrimin por edhe që jemi lider në reforma. Dhe kjo është një gënjeshtër qesharake. Në fakt reklamohet qeveria dhe jo ekonomia.

Nga ana tjetër, ky lloj shkrimi nuk ka audiencë dhe thekson mungesën e profesionalizmit në zgjedhjen e bërë për të reklamuar Shqipërinë. Askush që do të vijë për pushime në Shqipëri, nuk e lexon se çfarë thotë kryeministri Rama për reformat dhe nga ana tjetër dikush që lexon “The Economist” dhe është investitor potencial e di që shkrimi në fjalë është i paguar nga qeveria dhe e injoron këtë shkrim si të anshëm. Ndaj audienca kryesore e këtij shkrimi që nga fillimi i saj ka qenë vetëm publiku shqiptar dhe kjo është vetëm çështje politike.

Fryma e dhënë në shkrim është e qartë që në fjalinë e dytë: tërë këto reforma të kenë një autor të vetëm dhe ky është kryeministri Rama. Në njoftim për shtyp gjithashtu shprehet kjo frymë ku vendos theks te fakti se: “Në krye të qeverisë, njëkohësisht shtysa më e rëndësishme për reformat, është Kryeministri Edi Rama, i pari Kryeministër që po reformon dhe modernizon realisht vendin”.  Në shkrimin e para dy javëve, autori i këtyre radhëve parashikonte se në çdo reformë të bërë këto vite dhe çdo iniciativë në të ardhmen do të ketë vetëm një aktor, regjisor dhe skenarist: “Ed Reformatori”. Por kjo iniciativë normalisht duhej të ishte e bashkangjitur dhe me projektin e qeverisë për të krijuar profilin e ri të Shqipërisë; për të cilën u organizua dhe konkursi ndërkombëtar: Albania go your own way.

 

Por teksa imazhi dhe makineria e propagandës brenda vendit po punon për t’i ardhur në ndihmë Ed Reformatorit, diçka jo e mirë po ndodh për Shqipërinë. Një valë jo e mirë dhe paragjykuese dhe me dëme të mëdha po ndodh në mediat ndërkombëtare këto dy javët e shkuara. Televizionet franceze raportuan se vrasjet në Paris janë kryer nga Kallashnikovë Shqiptarë, një shtet me popullsi mazhoritare myslimane dhe se sipas tabloidit paranojak britanik, “The Daily Mirror” miliardat e dollarëve të drogës shqiptare financojnë ISIS. Këto shkrime janë me zarar dhe me influencë në opinionet e këtyre shteteve.

Këto që janë shpjeguar në këtë shkrim, janë pak a shumë dhe debatet që qarkullojnë nëpër tavolinat e Tiranës, ku njerëz pyesin ndër të tjera: mirë qeveria jonë, por dhe “The Economist” bën nga këto gjëra? Ndaj duke huazuar Bill Clinton në fjalinë e tij ”˜It’s the Economy stupid’, po përgjigjemi se : It’s not “The Economist” stupid, por vetëm qeveria shqiptare.

Share: