Home KRYESORE Voce Zela

Voce Zela

Nga edison Ypi

Nga ulurimat e kongreseve, urratë e aksioneve, trokitjet e çizmeve të parakalimeve, shqiptarët do ishin shurdhuar ose çmendur nëse të gjitha këto nuk do t’i hidhte në hale 1 zë i vetëm, Voce Zela.
Voce Zela nuk ka qënë kurrë festival, vals, shi, lemzë, djalosh, fëmijë i parë, lumturi, atdhe, gërshet.
Voce Zela ka qënë, është, dhe përgjithmonë do jetë vetëm eter, shpirt, frymë, pa asnjë lidhje me materialitetin banal, mediokër, vulgar.
Voce Zela nuk ishte diçka që Shqipëria e fitoi kur lindi dhe e humbi kur zemra i ndali.
Voce Zela, ishte, është, dhe do jetë, një frymë e pashkatërrueshme, një Kumt Providencial, Mëshirë Hyjnore, që Shqipëria e ka pasur, e ka, dhe gjithmonë do ta ketë.
Voce Zela është ajo flakëza e qiririt që lëshon atë dritëzën e mistershme që nuk e lë terrin të bëhet krejtësisht i zi, nuk e lë udhatarin të humbi udhën edhe në natën më të skëtërrëshme.
Voce Zela është ajo arësyeja misterioze që edhe jetës më fatkeqe, i jep një shkak për të qënë deri në fund e dashur.
Voce Zela ishte një element kompensues, një faktor ekuilibrues, që nuk e la dëshpërimin të bëhej shkatërrimtar edhe kur proletarët ulurinin, fshatarët rënkonin, shkrimtarët shkarravisnin, këngëtarët zhurmonin, të dobëtit spiunonin, të talentuarit vuanin.
Për dhjetra vite Shqipëria ka qënë skëterrë dhe shqiptarët ishin lakuriqë nate, minj me krahë. Por shpresa nuk dha kurrë shpirt, mes tjerash, falë Voce Zelës.
Për të neutralizuar deridiku efektin vdekjeprurës të helmit që hidhnin festivalet, filmat, librat, Zoti u solli Shqipërisë dhe shqiptarëve Zërin e vet, Zërin e Voce Zelës.
Voce Zela është shembulli i altruizmit ekstrem për të cilën vetja, edhepse gjeniale, nuk ekziston.
E pafundme dhe e mbyllur si Universi, Voce Zela u paksoi shqiptarëve robërinë dhe u shtoi Lirinë.
Kur këndonte Voce Zela, dimrin e ngrohte, beharin e freskonte, dhimbjet i paksonte, sëmundjet i shëronte.
Voce Zela ende këndon; Psherëtin me zë të Saj, jet’ e trembur se mos vdesi.

Share: