Nga PhD, Ledian Droboniku. Aktivist shqipON
Këtu pyetja nuk shtrihet mbi thjesht mbi mbiemrin (socialiste) por së pari mbi vetë emrin (parti) si motorri i ndërtimit të një demokracie parlamentare dhe jo direkte. Është shqetësuese sesi partia më e madhe e vendit, ka kaq alergji nga gara e brendshme sikur kjo ti ule dhe jo ti rrise vlerat një partie që aspiron demokracinë. Interpretimet “importuar pa pullë” prej ishullit britanik, janë ofendim për kulturën angleze si dhe fryt i një propagande sistematike dhe injorancës juridike dhe politike, pasi partia laburiste e rikuperon demokracinë në çdo moment të jetës së saj politike.
Mjafton të kujtojmë zgjedhjen e të gjithë strtukturave të saj nga qytetarët dhe jo të emëruara nga sipër, mjafton të kujtojmë se kandidatët e saj për deputetë nuk janë miqtë dhe besnikët e liderit por produkt i një proçesi demokratik brenda partisë, prandaj dhe një konfliktualitet i vazhdueshëm dhe konstruktiv brenda partisë.
Këtu po flasim për institutin e garës para se ti futemi përmbajtjes së garës, prej së cilës qytetarët kanë “mundësi zgjedhjeje” për një politikë më të mirë dhe jo “zgjedhja e së keqes më të vogël” si pacientë terminalë.
Por aktualisht përmbajtja është më shqetësuese se forma e saj.
Intelektualët dhe dashamirësit e majtë, shohin se si katandiset partia e tyre, si një vegël në duart e një grupi njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarin e mesëm apo të varfër shqiptar. Populli thotë “më thuaj më kë rri, të them se kush je”.
Por nga kush është rrethuar kupola e PS dhe Kryetari i saj? Vetëm me lekistë dhe lekarë në një vend pa ekonomi që prodhon varfëri!
Kush priste të kundërtën do të ishte thjesht një ëndërrimtar i marrë, nëse shihte aktin e ri-konceptimit të Partisë Socialiste, që “thuhet” se u ble brenda natës nga Kryetari i sotëm pasi më parë “delegatët” i rrëzuan programin.
Mavijosja nga brenda nuk do vonohej të shfaqej edhe jashtë, nga “hajdutët e erës së re” trendy, buzagas dhe mjeshtra të manipulimit sistematik.
Sfidantët e reformimit të partisë, edhe njëherë tjetër, nuk vijnë prej mijëra të rinjve socialistë që kanë mbaruar studimet shkëlqyeshëm por nga persona ngjitur pas pushtetit prej 25 vitesh. Sikur vlerë të ishte përjetësia në pushtet dhe jo qarkullimi i ideve dhe njerëzve.
Kështu që objektiviteti i garës in melius rrënohet që në fillim nga mungesa e alternativave reale, pa konsideruar romantikët dalë nga fabulat e injorancës.
Duhet guxim, mall i rrallë nga anët tona, për të pranuar se: partia socialiste nuk mund të demokratizohet sepse si partitë e tjera, nuk ka qenë kurrrë demokratike, por lojë perverse e klaneve kleptokratike dhe antikombëtare.
Në vijim, na duhet kështu të riformulojmë pyetjen: nëse kemi parti në Republikën e Shqipërisë që ngrihen sipas frymës së Kushtetutës dhe veçanërisht të nenit 9 të saj kur kërkon që partitë të organizohen demokratikisht.
Demokratizimi i partive nuk është diçka ekstra, por elementi përbërës (conditio sine qua non) i çdo partie në një Repupblikë Parlamentare, si neni 1 i Kushtetutës e dikton. Që do të thotë se: nëse nuk je parti demokratike nuk mund të jesh fare parti dhe si e tillë largohesh nga gara elektorale për marrjen e pushtetit.
Nëse Kushtetuta ka preferuar demokratizimin ndaj elitizmit, kjo do të thotë që partia duhet të formohet dhe kontrollohet nga baza dhe jo nga Liderri i lavdishëm si dikur.
Nëse partitë, humbasin këtë veti, ato transformohen në armiqtë më të mëdhenj të demokracisë sepse zaptohen nga interesa klienteliste në dëm të interesit publik dhe kombëtar.
Në një vend ku Kushtetuta i merr pushtetin popullit dhe ia transferon partive në një republikë parlamentare, kjo do të thotë që populli realisht shpërvetësohet nga sovraniteti i tij.
Në fakt partitë shqiptare, replikuan të njëjtën ADN të partisë së vjetër komuniste, e cila i shihte shqiptarët si banorë dhe jo si qytetarë sovranë.
Por a ka një zgjidhje?
Ku e kanë gjetur zgjidhjen popujt e tjerë tek “mirësia e liderrit” apo tek ndërtimi i institucioneve që pamundësojnë liderizimin e partisë?
Sigurisht tek institucioni, sepse janë ndarë para tre shekujsh nga kultura baritore pas liderëve dhe ndërtuan institucione që të mbrohen nga çdo lider sadist dhe maniak.
Krijimi i një shteti shqiptar të së drejtës, kërkon ndarjen përfundimtare ndaj modelit të partisë-shtet që i mbivendoset Kushtetutës dhe ligjit. Krijimi i pluralizmit nuk pengoi por transformoi në rotacion, vazhdimin e mendësisë komuniste mbi një parti që vendos për gjithçka dhe për këdo. Njësoj si më parë, institucionet dhe gjithë administrata vihen në shërbim të partisë së radhës dhe jo Republikës. Është partia që të gjen punë, të bën të pasur, të jep privilegje dhe të siguron pandëshkueshmëri.
Sundimi i partisë nga lart dhe jo organizim nga poshtë (qytetarët), ku udhëheqësi zgjedh strukturat dhe njerëz besnikë që i sigurojnë pushtet absolut është antidemokratik dhe duhet të përfundojë.
Kjo nuk mund të bëhet thjesht duke ndërruar peronat por vetë sistemin duke parashikuar rezerva kushtetuese për organizimin dhe funksionimin demokratik të partive.
Partitë duhet të rikthehen në frymën e Kushtetutës, ku luajnë një rol ndërmjetësuesi e kontrolli të qytetarëve mbi shtetin, ku prodhohen ide dhe përfaqësohen interesa për të ndikuar vendimmarrjen publike.
Për këto dhe më tepër, organizimi demokratik i partive duhet të rregullohet me rezervë kushtetuese dhe ligjore, dhe zbatimi i tyre nuk do u lihet në dorë më vetë partive dhe statuteve të tyre private, por do garantohen nga gjykatat shqiptare dhe KQZ-ja e zgjedhur prej qytetarëve, në një model që siguron pra atë që njjihet si “Konstitucionalizimi i partive”:
A. Parashikimi në Kushtetutë i Demokratizimit të Detyruar. Rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike do të bëhet nëse atyre u njihet një rol më i zgjeruar në vendimmarrje duke zgjedhur lidera të moderuar. (1. Qytetarët do të mund të zgjedhin direkt kryetarin e partisë dhe drejtuesit e tjerë lokalë. Zbatimi i parimit “një qytetar, një votë” nuk do lihet më në dorë të kryetarit, por do të jetë automatik. 2. Kandidatët për zgjedhje politike dhe vendore, nuk do të parapërcaktohen nga udhëheqësi, por do të votohen më parë nga qytetarët)
B. Kufizimi vetëm në Dy mandate, për çdo post drejtuesi. Kjo lejon ripërtëritjen e strukturave me njerëz dhe ide të reja si dhe pengon kapjen e partive nga grupime që punojnë kundër interesit të përgjithshëm.
C. Krijimi i një tavani për financimin. Që gara elektorale të jetë e ndershme duhet që ajo të mbështetet tek idetë dhe njerëzit dhe jo tek paratë e shpenzuara dhe blerja e influencave.
D. Transparencë totale. Krijimi i Drejtorit të thesarit të çdo partie që do jetë penalisht përgjegjës për çdo veprim financiar i të partisë publikuar online në përputhje me normat ligjore.
E. Futja e mandatit urdhërues, ku i zgjedhuri “nuk ia hedh lumit” me të marrë mandatin, por mund të shkarkohet në çdo moment nga qytetarët nëse minon raportin e besimit mbi të cilin u zgjodh.
Keto do tw ishin zgjidhje institucionale, por pushteti dhe qarku mediatik pervers pranë tij, shokon shqiptaret ende me kulture baritore, ose perhapjen e idese se shpëtimi vjen nga “dashamirësia e liderit aktual apo te ardhshëm”