Home KRYESORE Kroacia do t’i japë fund emërimeve politike

Kroacia do t’i japë fund emërimeve politike

09.11.2015., Zagreb - Ilustracija na temu moguce koalicije izmedju SDP-a, HDZ-a i MOST-a. Photo: Davor Puklavec/PIXSELL

Ekspertët folën me mosbesim ndaj pretendimit të qeverisë se do t’i japë fund emërimeve politike në postet drejtuese të kompanive publike dhe se drejtorët nëpër këto kompani do të zgjidhen në të ardhmen me konkurs në bazë të meritave dhe jo në bazë të lidhjeve politike.

Kjo është pasoja e premtuar e një marrëveshjeje mes dy partive kryesore të qendrës së djathtë të cilat drejtojnë aktualisht qeverinë, Bashkimi Demokratik i Kroacisë, HDZ dhe Ura e Listës së të Pavarurve – MOST, e cila ka argumentuar me forcë nevojën për administrim profesional dhe jopolitik të kompanive publike.

Berto Salaj, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb tha se ai dyshonte se “çdo gjë do të ecte sipas planeve të MOST,” ose që menaxherët do të zgjidhen me të vërtetë vetëm përmes proceseve transparente.

“Edhe nëse ata kalojnë përmes garave publike, kjo nuk do të thotë se emërimet politike do të shmangen,” paralajmëroi ai.

“Ne kemi eksperiencë me qeveritë e HDZ në të shkuarën dhe ne e dimë se vetëm njerëzit me lidhje politike emërohen në pozicione të tilla, kështu që do të duhet të shohim nëse MOST është në gjendje të ndalojë përgjithmonë këtë praktikë,” tha ai.

MOST është një parti e re dhe e vogël e krijuar më së shumti nga ekspertë, të cilët kanë premtuar t’i japin fund korrupsionit politik. Ata garuan me një platformë të tillë në zgjedhjet e fundit, ku një prej prendimeve qe depolitizimi i administratës së kompanive nën pronësi publike.

Gjithsesi, HDZ u shfaq e lëkundur para kësaj ideje deri në mërkurën, duke mbështetur modelin ekzistues ku qeveria emëron drejtpërsëdrejti menaxhmentin e kompanive. HDZ argumentoi se kjo punë qe problematike pasi disa ligje do të duhet të ndryshohen për të vendosur modelin e ri,

“Ne jemi të vetëdijshëm për [nevojën] e profesionalizimit të menaxhimit dhe gjithmonë kemi mbështetur këtë ide [sistemin e konkursit,” deklaroi zëvendëskryeministri dhe kryetari i MOST, Bozo Petrov.

Tomislav Karamarko, zëvendëskryeministri tjetër dhe president i HDZ konfirmoi të mërkurën se menaxhimi në kompanitë publike do të emërohet tashmë e tutje përmes konkurseve.

Por Salaj paralajmëroi se “klientelizmi partiak” kishte rrënjë të thella në Kroaci dhe se kompanitë shtetërore janë parë gjithmonë si “çerdhe partie”.

Agjencia e financave të Kroacisë thotë se në vend ka rreth 1,40 kompani shtetërore, të cilat përbëjnë 1.5 për qind të të gjitha kompanive të regjistruara në vend.

Këto kompani realizuan të ardhura prej 22.3 miliardë eurosh në vitin 2015, rreth 30 për qind e xhiros totale të kompanive.

Të renditura sipas të ardhurave, nga të dhjetë kompanitë më të mëdha në vitin 2015, tri qenë nën pronësi shtetërore, Kompania e Energjisë Elektrike, HEP dhe dy kompanitë bija të saj, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatori i Prodhimit.

Në krye të listës është kompania energjetike INA, në të cilën shteti ka nën pronësi rreth 47 për qind të aksioneve. INA po i nënshtrohet një procesi ndërkombëtar arbitrazhi me kompaninë hungareze të energjisë MOL mbi të drejtat e menaxhmentit të kompanisë.

Përveç të ardhurave, kompanitë shtetërore kanë prona me përmasa të stërmëdha, me vlerë rreth 45.5 miliardë eurosh ose 41 për qind të të gjitha pronave nën pronësinë e bizneseve.

Ka një traditë të gjatë të partive në qeveri që ndikojnë mbi kompanitë shtetërore. Gjatë qeverisë së fundit të qendrës së majtë psh, menaxhimi i kompanisë së energjisë Plunacro u krye nga Partia Popullore e Kroacisë, HNS.

Gjatë dy qeverisjeve të qendrës së djathtë mes viteve 2003 dhe 2009, HDZ pati kontrollin mbi kompaninë e energjisë ndërsa dy aleatët në qeverisje, Partia Fshatare e Kroacisë dhe Partoa Social Liberale kishin secila kontrollin e kompanisë së ushqimeve Podravka dhe kompanisë së sigurimeve Croatia Osiguranje.

Bashkimi Europian i kërkoi qeverisë së Kroacisë në vitin 2015 të depolitizojë administrimin e kompanive publike. / BIRN

Share: