Home KRYESORE MOS I RENDONI ME SHUME TE VARFRIT

MOS I RENDONI ME SHUME TE VARFRIT

Nga Alfons Cupaj

Në tregjet ndërkombëtare një fuçi naftë shitet me 27 dollarë, niveli më i ulët që nga viti 2003. Megjithëse rënia drastike e çmimit të naftës nuk është reflektuar siç duhet në vendin tone, pasi bëjmë pjesë në 5 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, sërish ka patur një ulje prej 20-30 lekë. Sipas një raporti të publikuar pak ditë më parë, hendeku mes të pasurve dhe të varfërve sa vjen dhe thellohet çdo ditë dhe vendi ynë ka pagën minimale më të ulët në Evropë.

Përkundrejt kësaj, me një politike absurde ekonomike, Bashkia e Tiranës miratoi rritjen me 10 lekë të biletës së urbanit, e cila nga dita e djeshme, nga 30 lekë bëhet 40 lekë, ndërkohë që aboneja e përgjithshme do u rëndoje qytetarëve të varfër të Tiranës edhe 400 lekë të reja shtesë çdo muaj. Praktikisht kemi rënie të çmimit të naftës dhe rritje të çmimit të biletës, kemi pagën minimale më të ulët dhe numrin më të lartë të papunësisë, por kemi taksa shtesë për të varfrit.

Shpenzimet e pasanikëve që lëvizin me makina të shtrenjta bien, ndërkohë të varfrit duhet të paguajnë për transportin e piset, të ngadaltë, të ngjeshur e që kuturbon nga era e qelbur, plot 6 milionë euro shtesë në vit. E njëjta politikë absurde u aplikua edhe me çmimin e energjisë, të cilin pretendojnë që e kanë ulur. Në fakt nuk mashtrojnë, çmimi i energjisë është ulur…por është ulur për të pasurit dhe është rritur për të varfrit. U thëm unë se si.

Çmimi i energjisë është rritur për studentet që rrinë në shtëpi me qera, për çiftet e reja, për familjet me 2-4 anëtarë, për mijëra të varfër që ngrohen me dru, që kondicionerin nuk e njohin, që për dushin vetëm sa kanë degjuar, që kompjuterit nuk i dinë as formën, që jetojnë vetëm në një dhomë të vogël, të ftohtë dhe boshe. Këto kategori nuk e kalonin kurrë kufirin e 300 kw, që me çmimin e fashës mbrojtëse paguanin 7.7 lekë për kw.

Ata tani, përfshirë edhe mua, paguajnë më tepër, të paktën 700 lekë të reja në muaj, pasi çmimi i ri është 9.5 lekë për kw.

Share: