Home KRYESORE 24 Marsi dhe populli i traumatizuar i Kosoves

24 Marsi dhe populli i traumatizuar i Kosoves

Nga Sali Bytyçi

24 Marsi na kujton ditën e parë të bombardimeve të NATO-s ndaj regjimit ushtarak, paramilitar dhe policor, shkurt gjenocidal, të Serbisë në Kosovë. Të njëjtën ditë kur filluan këto bombardime dhe kur në tunelin e gjatë e të errët u pa edhe një dritë, u intensifikuan edhe masakrat e Serbisë në Kosovë: u vranë, u dhunuan, u kidnapuan, u burgosën, u deportuan shumë njerëz, të moshave dhe të gjinive të ndryshme, në Kosovë, por edhe u dogjën shumë vendbanime dhe u vodhën shumë të tjera.

Populli i Kosovës është popull i traumatizuar. Një gjë e tillë është e vetëkuptueshme, sepse të kalosh nëpër trauma ashtu siç ka kaluar ky popull e të mos traumatizohesh është e pamundur. Ndërsa, sipas mendimit tim, terapia më e mirë për një popull të traumatizuar do të ishte organizimi i një shoqërie normale, të bazuar në etikë dhe sa më humane. Por, ndërsa NATO-ja e largoi regjimin kriminal serb nga Kosova, populli i Kosovës mbeti në dorë të një klase politike primitive, ekstremisht të babëzitur për fitime materiale dhe privilegje, si dhe të një shtrese të inteligjencies pa një fije etike, të interesuar për privilegje dhe për ta madhëruar sa të jetë e mundur më shumë vogëlsinë e saj të skajshme.

Mungesa e çfarëdo etike është hallka që e mban fort të lidhur unitetin në mes klasës politike të Kosovës dhe inteligjencies kosovare. Pikërisht në këtë unitet të paetikë në mes të klasës politike të Kosovës dhe inteligjencies së Kosovës duhet kërkuar diagnozën për gjendjen traumatike në të cilën sot ndodhet Kosova.

Prandaj populli i Kosovës vazhdon të jetë i traumatizuar sot, shtatëmbëdhjetë vjet pas bombardimeve të NATO-s: dikush ik në Evropë, dikush shkon në luftë në Siri, dikush vazhdon lojën e shërbimeve sekrete serbe në Kosovë, studentët në vend që të studiojnë kërkojnë hapësira për t’i kryer shërbimet fetare etj.

Shkurt, të gjithë mësyjnë në rrugë pa krye, sepse e pakrye është Kosova

Share: