Home KRYESORE Deflacioni nuk është problem i ekonomisë sonë

Deflacioni nuk është problem i ekonomisë sonë

Nga Besart Kadia

Në dy vitet e fundit, kur të dhënat e INSTAT tregojnë për rënie të çmimeve të konsumit, ekonomistë me zë në vend nxitojnë për të ngritur alarmin për kërcënimin që i vjen ekonomisë sonë nga deflacioni. Por për arsyet e shpjeguara në këtë shkrim, deflacioni nuk përbën kërcënim për ekonominë tonë, ndryshe nga ç’mendojnë shumë ekonomistë vendës.

Javën që shkoi, disa lajme në televizion nxituan të amplifikonin rënien e inflacionit në shkurt në nivelin 0.2%, si kërcënim që vjen nga deflacioni. Sipas ekonomistëve, Banka Qendrore duhej të ulë më tej normën e interesit për të nxitur konsumin dhe kreditimin. Po sipas këtij interpretimi kjo do të ndihmonte familjet të konsumonin më shumë dhe firmat të rrisnin investimet në ekonomi duke nxitur kërkesën agregate. Nga ana tjetër, të tjerë shkruan për “dritë shumë të kuqe të ndezur” apo se “kjo çështje nuk duhet anashkaluar lehtë”.

Së pari, po ofrojmë për lexuesin interpretimin që i jep Banka Qendrore këtij fenomeni dhe si e sheh ajo të ardhmen e çmimeve. Në raportin e Politikave Monetare ajo shprehet se inflacioni do të kthehet në objektiv vetëm gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018. Banka e Shqipërisë ka një objektiv 3% të inflacionit vjetor dhe sipas saj, arsyeja përse gjatë vitit të shkuar çmimet u rritën nën objektivin e saj ka të bëjë me dy arsye kryesore: Niveli i papunësisë dhe niveli nën potencial i shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve të prodhimit. Ndërkohë që papunësia ndikon direkt në nivelin e konsumit vendës dhe si një variabël i rëndësishëm i rënies së kërkesës agregate, niveli nën potencial i shfrytëzimit të prodhimit tregon se dhe nëse kemi rritje të kërkesës në të ardhmen kjo nuk do të çojë detyrimisht në rritje të inflacionit në vend.

Duke analizuar këto të dhëna, Banka vetë synon të nxisë rritjen e kreditimin në ekonomi duke mbajtur normën e interesit të ulët, duke përmirësuar standardet ligjore për të ulur kreditë me probleme dhe duke përfituar nga fakti që shteti shqiptar ka marrë borxh ndërkombëtar dhe ka lejuar likuiditet në ekonominë vendëse që shërben si “stimul monetar në ekonomi”. Këto masa sipas Bankës do të çojnë në inflacion 3% vetëm në vitin 2018, duke mos përmendur riskun e deflacionit në ekonomi.

Por rënia e çmimit në 0.2% në shkurt të vitit 2016 nuk mund të interpretohet pa parë situatën ndërkombëtare, dhe thirrjet e disa ekonomistëve për të ndërhyrë me politika monetare kundër deflacionit janë të parakohshme dhe jo në reflektim të realitetit të ekonomisë botërore. Ministri i Financave Osborne e ka cilësuar vitin 2016 si vitin me pikëpyetjet më të mëdha financiare që nga kriza e vitit 2008. Këtë tremujor kemi parë panikun financiar në bursën e Kinës në janar dhe që u përhap kudo në Europe dhe SHBA. Po ashtu, vihet re rënia e rritjes ekonomike në Kinë dhe Brazil dhe luhatje të kursit të këmbimit apo të çmimit të floririt. FMN nga ana tjetër ka ulur pritshmëritë e rritjes ekonomike globale. Në këto kushte pasigurie, vihet re se pavarësisht lehtësimit sasior nga Banka Qendrore Europiane dhe nivelit minimal të normës së interesit, inflacioni pritet të jetë -0.1% në këtë muaj. Nga ana tjetër, vihet re një trend rajonal në çmime nën objektivat e bankave qendrore dhe në bazë të të dhënave Shqipëria ka inflacionin më të lartë në rajon me 2% në vitin e kaluar. Shtete të tjera kishin inflacion negativ si Maqedonia -0.3%, Kroacia -0.6%, Greqia -0.2% dhe Kosova -0.1%. Ndërkohë ne kishim rritje ekonomike më të ulët sesa Maqedonia, PBB-ja e së cilës u rrit me 3.5% dhe e Kosovës e cila u rrit me 3.4%. Pra ajo që vihet re është se rënia e çmimeve është problem rajonal dhe Europian. Por a mund të shpjegohet rënia e çmimeve për shkak të rënies së çmimeve në nivel ndërkombëtar? Të dhënat të paktën kështu thonë.

Në arenën ndërkombëtare dihet se çmimi i naftës ka rënë me 43% vitin e shkuar, duke arritur në 40$ për fuçi, e nga ana tjetër sipas të dhënave të FAOS (organizata e kombeve të Bashkuara për Ushqim) çmimet e ushqimeve gjatë shkurtit 2016 ishin 14.5% më të ulëta sesa e njëjta periudhë e vitit 2015. Ndërkohë çmimi i produkteve të tjera të eksportit të ekonomisë sonë si bakri kanë rënë në mënyrë të ndjeshme për shkak të rënies së kërkesës nga Kina, e cila konsumon 45% të kërkesës botërore. Këto ndryshime të çmimeve ndërkombëtare reflektohen më pas në ekonomi të vogla si Shqipëria që kanë një deficit të madh tregtar. Në shkurt të vitit 2011 ekonomia jonë pati rritje të çmimeve në mënyrë të befshme dhe atëherë u fol për shqetësimin e inflacionit të lartë (4.5%) që çoi dhe në rritje të normës bazë, me 0.25%. Por të dhënat treguan se rritja vinte si pasojë e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të ushqimit ( 15% krahasuar me vitin 2010).

Në fakt që nga ajo periudhë kur norma bazë e interesit ishte 5.25% dhe sot që ka arritur në minimumin e saj 1.7%, ka çuar në një ribalancim të kredisë së dhënë në monedhë vendëse krahasuar me atë në monedhë të huaj. Kështu portofoli i kredisë në lekë është zgjeruar duke rritur peshën në totalin e portofolit të kredisë për sektorin privat, nga rreth 28% në vitin 2008, në nivelin 43% në vitin 2015. Por pavarësisht uljes së rrezikut të luhatjes së normës së interesit Shqipëria vazhdon të jetë në nivelet më të larta të kredisë së keqe në rajon dhe në muajin janar 2016 të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë për rritje sërish të kredive me probleme.

Ndaj, deflacioni në Shqipëri nuk përbën problem dhe nuk duhet inkurajuar kurrsesi nxitje e stimulit të mëtejshëm të ekonomisë me uljen e normës së interesit apo me anë të “lehtësimit sasior” siç janë shprehur disa ekonomistë vendës. Çështjet e ekonomisë nuk kanë konsensus as në teori as në nivel ndërkombëtar ku p.sh. deflacioni shihet si problem, si nga monetaristët e Friedmanit dhe nga kejnsianistët që me anë të Krugmanit flasin se rënia e kërkesës agregate vjen për shkak të deflacionit.

Por ky interpretim do të shpërqendronte debatin e vërtetë në Shqipëri, e cila është e prekur nga mungesa e inovacionit, nga prezenca tejet e madhe e rolit të shtetit të korruptuar që tjetërson fonde publike dhe kontrata, që ka taksat më të larta në rajon dhe sistemin gjyqësor më problematik, që ka çështjen e pazgjidhur të pronës, një popullsi me informacionin më të ulët në çështjet financiare në botë dhe me një borxh publik të paprecedent në nivelin e 72% të PBB-së. Rënia e aktivitetit ekonomik në vend vjen për arsye të ndryshme, por ashtu siç mendojnë dhe ekonomistët austriakë ulja e normës së interesit do të jepte sinjale negative në ekonomi, ku kosto e ulët e çmimit të lekut çon në rritje të investimeve të këqija (mal investment) dhe që ekspozohen kur norma e interesit do të rritej sërish, duke na çuar në krizë ekonomike.

Share: