Home KRYESORE Mendime rreth romanit “Ulurima e Ujkut” e shkrimtarit Ag Apolloni

Mendime rreth romanit “Ulurima e Ujkut” e shkrimtarit Ag Apolloni

Nga Rezart Palluqi

Kur lexova titullin “Ulurima e Ujkut” e bleva direkt librin. Ky titull mbart një ngarkesë ose përgjegjësi të madhe intelektuale dhe shpirtërore. Ndaj u bëra mjaft kurioz dhe u vura ta lexoj menjëherë. Në dy faqet e para pata përshtypjen se bëhej fjalë për një roman edukues dhe thashë: më në fund një roman që e ndan shapin nga sheqeri dhe mjegullën nuk e lufton me mjegull. Pak përpara se të bindem dhe konkludoj se ky roman është narcist -dhe ata mjegullën e luftojnë me mjegull- vura re disa paralele të mëdha midis “Ulurima e Ujkut” dhe novelthës së I. Kadaresë “Vajza e Agamemnonit”

Apolloni na paraqet dy lloj dashnoresh. Ato prej mishi me të cilat edhe kënaq epshet e tij. Dhe të dashurën imagjinare me të cilën komunikon në distancë.

Këtë e vërejmë edhe tek “Vajza e Agamemnonit. Suzana është dashnorja e epshit që personifikon edhe pjellën erotike komuniste dhe vajza e Agamemonit e cila na shfaqet si një imazh herë i dukshëm dhe herë i padukshëm i së kaluarës.

Thashë në fillim se ky roman mund të ishte edukues/orientues prej pasazhit të mëposhtëm ku autori i drejtohet si profesor dhe shkrimtar të dashurës së tij:

“Ky është i pari dhe i fundit libër që shkruaj me porosi sepse zakonisht më pëlqen të shkruaj atë që ma thotë shpirti dhe jo atë që ma kërkojnë të tjerët.

Shpejt zbulova se ky roman nuk është shkruajtur prej shtysës idealiste, ngaqë atë e mbyt fryma narciste e autorit. Ai i kundërvihet të tërë botës dhe vetë përpiqet të bëjë herë viktimën, herë autokritikun, mirëpo autokritika e tij nuk tingëllon bindëse, gjë që do të përpiqem ta argumentoj pak më poshtë.

Përmbledhur në dy rreshta: kemi të bëjmë me një roman autobiografik të përplotësuar me citate të autorëve, këngëtarëve të huaj që tentojnë të ilustrojnë ndodhitë e jetës së tij familjare/letrare.

Meqenëse Apolloni cek tematika të ndryshme edhe unë po i përqendroj mendimet e mia të grupuara dhe ndërlidhura konkretisht me to.

Në rrafshin erotik ose raportin gjinor, Apolloni e poshtëron femrën, ashtu siç e bën edhe Kundera. Ai nuk ka respekt për të. Ajo për të është një objekt seksual të cilin ai e përdor dhunshëm. E tall. E shtrydh seksualisht. E vret atë shpirtërisht duke i folur haptas për të dashurat e tjera.

Ai është edhe shumë armiqësor ndaj familjes. Natyrisht që martesa të kufizon lirinë, mirëpo ajo ka edhe të mirat e saj. Apolloni tallet me burrat e dashnorëve të tij. Këtë e vërejmë ndër të tjerash edhe tek burri i Hanës. Ai uron që ai të ketë vdekur në betejë dhe kënaqet me Hanën. Bukëshkelja me gra të martuara, parë thellë, përbën një krim ku shpesh fëmijët janë vikitma. Ndaj në këtë pikë, Apolloni reflekton një perversitet të paskrupullt që nuk e legjitimon asnjë lloj lirie njerëzore.

Raporti i tij me historinë është i dyfishtë. Ka momente që ai e vë Ballkanin me shpatulla mbas murit kur e përball me mendjen e tij të mykur mesjetare dhe luftnxitëse. Mirëpo qëndrimi i tij kritik zhvlerësohet ngaqë ai është pjesë e klaneve akademike dhe letrare kosovare. Apolloni mohon edhe disidencën brenda dhe jashtshqiptare të poetëve dhe shkrimtarëve gjatë diktaturës hoxhiste.

Në faqen 69 ai thotë:

“Ata madje nuk arritën të bëhen ndërgjegje e kombit pasi që gjatë diktaturës ata ose heshtën, ose u përshtatën. Madje edhe ata që patën fatin të arratisen nga ferri nuk denjuan të ngrenë zërin për të dëshmuar për krimet që panë këtu. Sikur së paku njëri të guxonte!

Apolloni mohon paturpërsisht disidencën e brendshme të Genc Krajës, Vilson Blloshmit, Trifon Xhagjika e shumë të tjerëve. Ai mohon po aq egër disidencën letrare të Bilal Xhaferrit në Amerikë, Arshi Pipa, Martin Camaj, Fan Noli e të tjerë. Këtë Apolloni e bën me porosi. Meqenëse shkrimtarët soc-realistë nuk u pranuan si disidentë, atëherë kjo nuk mund të pranohet për asnjë shkrimtar a poet tjetër paçka se ata e goditën me grusht diktaturën hoxhiste.

Citatet e autorëve të huaj që Apolloni ka futur në roman janë qepur me fije spango. Në fakt citatet e shkrimtarëve të huaj janë ato që vendosin rrjedhën e romanit. Citatet PRa, e kanë marrë peng romanin prandaj edhe ata jo vetëm që nuk e pasurojnë, por e varfërojnë, ngaqë nuk janë tretur harmonisht me rrjedhën e ngjarjes.

Edhe ndaj feve Apolloni është mjaft ekstremist. E them këtë për 2 arsye: autori flet në vetën e parë dhe tallja me fetë është sistematike në të gjithë romanin. Të mos besosh në Zot nuk do të thotë se të lejohet që ta përdhosësh aq egër atë. Turma ka nevojë për një plotfuqi. Edhe Evropa perëndimore që ia ka kthyer kurrizin Kishës ka përqafuar Zotin elektronik. Një celular sot, është shpesh më skllavërues dhe rraskapitës se sa FEJA për një besimtar që falet 5 herë në ditë dhe lexon përditshmërisht librin e shenjtë. Ateizmi i Apollonit është jo vetëm po aq terrorist sa vetë fetë terroriste, por edhe i njëanshëm, sepse aty ai godet kryesisht fenë islame dhe shumë shumë më pak atë të krishterë, ndërkohë që ortodoksizmi ballkanik është po aq terrorist sa edhe ISIS, vetëm se Kisha operon nën rrogoz…

Formula e romanit ka shumë defekte. Aty gjen shumë gafa që një autori të sprovuar nuk i falen.

Apolloni të gjithë familjen e shpall të metë, budallaqe dhe idiote, duke filluar nga hallat, dajat, tezet e deri tek nëna. Për babanë nxjerr mjaltë nga goja. Ai e ndjen shumë mungesën e tij mbas vdekjes së tij. I rrethuar prej rrethit familjar, sipas tij, “trutharë”, ai shpërthen: do të marr kazmën e shkoj ne varr dhe nxjerr babanë që andej dhe ulërij, “Baba ku më le midis këtyre idiotëve?”

Mirëpo pak më parë ai thotë se babai i tij shurronte nga ballkoni dhe shurra derdhej në kopshtin e fqinjit.

Një baba i tillë vetëm i mençur nuk mund të ketë qenë…

Dhe pak më vonë, nëna rreh vëllanë e Agut me rripin e pantallonave ngaqë ai kishte marrë notë të ulët në histori.

Si mund ta ketë bërë nëna këtë, ndërkohë që Apolloni e akuzon familjen e tij si indiferente ndaj dijes?

Në fillim Apolloni thotë se një herë ka dashur ta vrasë vëllanë e tij, ngaqë ky i fundit ishte shumë më i bukur se ai, ndaj edhe thithte vëmendjen e simpatinë e femrave fqinje. “E tërë familja më thirrte shëmtaraq”, thotë Apolloni. Mirëpo disa kapituj më tutje, Apollonin e thërret familja “bukurosh”. Edhe femrat po ashtu. Ja pra edhe një kontraditë tjetër.

Më tutje, Apolloni, një herë thotë se shpesh ndjehet shumë keq që është sjellë mjaft vrazhdë ndaj njerëzve që e kanë dashur, dhe se do te ishte i gatshëm që ta paguante, ndërsa një faqe më tutje thotë, se ai nuk do të pendohej kurrë për padrejtësitë që ka bërë.

Rrëfimi i Apollonit pra nuk është konsekuent dhe bie katericipërisht në kontrakditë me vetveten.

Apolloni bën një gabim të pafalshëm: në një roman autobiografik, ku autori rrëfen vetë, nuk ka vend për narracion dhe hiperbolizime të tilla. Ato pranohen vetëm nëse autori tregon për ngjarje që ai i ka përjetuar në moshë të njomë. Ngjarjet e tjera në moshë të rritur duhet të jenë me këmbët në tokë. Narracioni hiperbolizues për një të rritur, profesor dhe shkrimtar is Apolloni, pranohet vetëm në ëndrra.

Në rrafshin stilistikor romani sjell deri diku një risi: ndërthurjes e zhanreve të ndryshëm: ese, element autobiografik, dramë, poezi, rrëfim të lirë.

Ky roman me tru eseist dhe bark ekstremist përshkohet tejpertej prej një nihilizmi të rrallë. Bota nuk ndryshohet vetëm duke nxjerrë në pah dobësitë e saj por edhe duke mbajtur kundrejt dritës së dielit anët e saj të mira, sado të pakta qofshin ato. Apolloni fatkeqësisht fokusohet tmerrësisht në anët e errëta të shoqërisë shqiptare. Këtu ndeshim sjelljen e ngjashme diktatoriale si ajo e Enver Hoxhës, e cila trumbetonte vetëm vlerat pozitive të shoqërisë shqiptare. Ndërsa Apolloni nuk ka asnjë fjalë të mirë për shqiptarët. Gjithçka që bëjnë ata kërmon mut, shurrë, injorancë, marrëzi. Shkurt, këtij teksti i mungon ekuilibri dhe nuancimi.

Apolloni është i njëkahshëm edhe ndaj fqinjve uzurpues shqiptarë. Në fillim të romanit ai me të drejtë i akuzon shqiptarët që të keqen e kërkojnë vetëm tek fqinjte e tyre. Dhe për këtë e përgëzoj thellë. Mirëpo Apolloni i kursen krimet e fqinjve shqiptarë. Këtë e vërejmë kur ai flet për krimet e Serbisë në Kosovë. Nëse në pjesën më të madhe të romanit dominon ironia e mrekullueshme, kur ai lakon luftën serbe në Kosovë ai e FIK motorrin sarkastik dhe na e skicon sferën gjakatare të luftës serbe në Kosovë me ngjyra dhe frymë plotësisht gazetareske/ raportuese. Ai vetëm se raporton rëndom se çndodhi atëherë. Ai distancohet neglizhon ironinë që gjyshja e tij shpreh ndaj një këngë serbe.

“Këndoni këndoni, se Millosheviçi ju don shumë” – tall gjyshja nipërit e saj, ndër të tjerë edhe Agun.

Mirëpo Agu përgjigjet:

“Nuk e di çtë them për Milosheviçin por kjo këngë më pëlqen”

Përse e kursen Agu diktatorin serb Millosheviç dhe diktatorin shqiptar, Hoxha, e tall gjenialisht kur thotë: “ai e detyroi Shqipërinë që të flasë gjuhën e lagjes së tij”.

Këtu bie era filo-millosheviç. Ngaqë edhe më dashnoren e tij serbe ai reagon shumë butë, ëmbël dhe romantik, ndërsa ndaj dashnoreve shqiptare ai është sadist. Thuaj të jenë të rastësishëm dy dashuritë/simpatitë serbe të Apollonit?

Qëndrimi i tij kritik ndaj Shqipërisë i kalon caqet e çdo reagimi ose revolte intelektuale. Ja një pasazh që e ilustron këtë.

“Sa do të doja të isha steril në këtë vend që pjell vetëm egërsira”

ose pak më poshtë:

“Do të duhen edhe disa shekuj që shqiptarët të bëhen majmunë, sepse njerëz ata nuk do të bëhen kurrë”

Përshkrime të tilla burojnë nga laboratorët letrarë serbe dhe greke. Edhe unë jam mjaft kritik ndaj shqitarëve, por nuk shkoj deri në një ekzekutim të tillë racor siç bën Ag Apolloni.

Ose kur e këshillon të dashurën e tij:“

Mos i lexo tanët( shkrimtarët) sepse ata do të kontribuonin vetëm nëse hiqnin dorë nga letërsia.

Të heqësh dorë nga letërsia është sikur të thuash: mos fol më shqip!

Apolloni dënon edhe rilindasit tanë prej shterpësisë së shkrimtarëve soc-realistë.

Ekstemiteti i pacak ia merr në qafë Apollonit tre prej armëve më të rëndësishme që mund të zotërojë një prozator: guximin, ironinë dhe kulturën gjuhësore. Apolloni është nga njëra anë me fat që mbart në tru rezerva të mëdha guximi dhe ironie. Mirëpo nga ana tjetër ai i ngjan asaj lopës që mbasi ha bar të njomë, e shkelmon kusinë me këmbët e saj. Apolloni e përdor ironinë e tij të admirueshme për të vrarë vlerat e bukura. Ai pra, nuk e përdor ironinë për t’i hequr njeriut pjesët e kalbëzuara kancerogjene por e vret njeriun të tërë. Edhe guximi i tij i ngjan një demi të verbër që thyen brinjtë mbas murit. Guxim nuk përbën të hedhësh në erë një pallat të tërë sepse aty fshihen dy terroristë por të futësh dinakërisht në pallat dhe kapësh rob dy terroristët. Ja që, Apolloni e hedh të tërë arkën me mollë në plehra ngaqë aty ndodhën disa kokrra të kalbura. Por edhe sikur të gjitha kokrrat e mollëve të jenë të kabura, ne nuk mund të shkojmë deri aty sa ta presim të tërë pemën e mollës…

Ky konkludim është i dhimbshëm, sepse Apolloni ka kulturë gjuhësorë, guxon dhe mbart bagazhe letrare të jë një lexuesi të jashtzakonshëm. Mirëpo dhuntitë e lartpërmenduara letrare ai nuk di t’i përdorë për të krijuar një letërsi të ekuilibruar dhe nuancuar por e shkuilibron dhe bën këtë botë dhe e bën më bardhezi se ç’është!

E fillova këtë reçensë duke iu referuar titullit të romanit: “Ulurima e ujkut” dhe po e mbyll po me të.

Ulurima e Apollonit është narcistoide ngaqë ai përmend me të drejtë (mirë e bën, po po) 1001 të zezat e botës shqiptare, por harron të merret me vetveten. Ulurina lyp edhe sakrificë personale. Apolloni si në jetën reale, si në roman nuk është shkrimtar i përjashtuar apo persekutuar. Atëherë me çtë drejtë tenton të ulërijë Apolloni, kur ai është pjesë e klaneve të mbyllura letrare dhe indirekt edhe politike në Kosovë? Ulërima e tij nxjerr çjerrje artificiale që përkojnë me lotët prej krokodili të shkrimtarëve enveristë.

Pastaj, nuk mjafton që ta denoncosh shëmtinë e kësaj bote. Duhet edhe të japësh shembuj alternativë se si mund të dalim prej humnerës politiko-kulturore. Apolloni nuk arrin ta bëjë këtë as në teori. Ai vetë nuk sakrifikon në roman as duke vetreflektuar as duke u përplasur me të keqen jasht tij. Çdo kërcënim i tij është retorik, pak a shumë si ankesat e kafeneve shqiptare. Nuk ka asnjë përleshje fizike apo presion psikologjik në roman , as edhe një kërcënim konkret. Zemërimi i tij mbetet brenda trurit të tij, pak a shumë siç ndodh me kafenetë tona. Prostesta shqiptare nuk e kapërcen dot pragun e kafeneve.

Rrjedhimisht “Ulurima e ujkut” është e rremë, si në praktikë ashtu edhe në teori( roman) ndaj edhe ky roman mund të rititullohet: “Blegërima e një deleje që pandeh se fyti i saj nxjerr ulerima ujkonje.

Amsterdam, mars 2016

Share: