Home KRYESORE Po me Ditën e Verës ç’patën xhanëm?

Po me Ditën e Verës ç’patën xhanëm?

Nga Mentor Kikia

Dita e Verës nuk është një ditë feste me aheng, disko dhe pub. Ajo është më shumë se një ditë pushimi, për ata që punojnë në shtet. Dikur ajo ishte një ditë feste popullore, ku njerëzit me shumë se hanin, respektonin ca rite, që i jepnin asaj natyrën e një dite të veçantë, që e kishte bërë edhe ti mbijetonte shekujve. Unë kam lindur e jam rritur në një krahinë, ku këto rite zbatoheshin pa axhendë bashkie dhe ishin vërtet shumë të bukura. Sipas ritit, fëmijët mblidhnin lule dhe në çdo derë shtëpie duhej të vendonim nga një tufë manushaqe ose lule vere.

Respektohej riti i vezëve me ngjyrë, ndeshja me vezë, duhej ti dhuronin fqinjit dicka nga darka e natës së 13 Marsit. Duhej të zgjoheshim herët, që të bëheshim më punëtorë, fëmijët nuk duhej të ziheshin ditën e verës sepse ziheshin tërë verën pastaj, duhej bënim garë kush t’i shkonite fqinjit me herët në shtëpi, që ti merrte nisiativën gjithë verën… Edhe pse nuk njihej zyrtarisht si feste, në Elbasan, ajo e kishte fituar statusin e festës zyrtare dhe shkollat nuk bënin mësim më 14 Mars, por organizonim ekskursione. Pas 1990, festa u bë më masive, por sërish e ruajti natyrën e saj “konservatore”.

Por kur në mes u fut politika, dita e verës u bë si fushatë elektorale. Me vendim qeverie(të Fatos Nanos) festa u bë kombëtare. Që nga ajo kohë, festa më shumë se traditë është panair, takime politike, qoka zyrtare, aktivitete me dhe pa lidhje me ditën e verës, dhe përpjekje të sforcuara të bashkive për të prezantuar “kujdesin e madh për qytetarët”. Kjo nuk ka ndonjë të keqe, madje do të ishte mirë të organizohej edhe ndonjë paradë, apo shfaqe akrobacie me avionë sportivë. Të bësh festa është gjë e bukur, sepse harron hallet dhe në vendet e varfëra kjo është një manovër e bukur politike. Por këto s’kanë lidhje me Ditën e Verës.

Unë nuk jam nostalgjik për të vjetrën dhe e pranoj metamorfozen e gjerave, por Dita e Verës rezistoi deri sot sepse ishte e tillë, bazohej në ritet dhe traditën popullore, dhe si e tillë ajo po zhbëhet, duke u shndërruar në një festa tallava, me mish, raki, ballakume brumatriçesh dhe politike.

Share: