Home KRYESORE Vetëvendosje apo vezëvendosje?!

Vetëvendosje apo vezëvendosje?!

Nga Suzana Tahiri

Përditë e më tepër po bëhet e qartë se partia e tretë më e madhe në Kosovë dhe pikërisht formacioni politik “Vetëvendosja”, ka filluar të shndërrohet në njësit guerril duke mos kuptuar ende se janë të tjera kushte dhe rrethana që në asnjë rast nuk justifikojnë tjetërsimin e saj.

Teksa duhet përgëzuar për shpirtin e revoltës dhe për kritikat e parreshtura që i bëjnë qeverisjes, (opozita në demokraci është vlerë e pazëvendësueshme), ajo e ka tejkaluar misionin e saj duke u quajtur jo më “Vetëvendosje”, por “Vezëvendosje”, “Zjarrvendosje”, “Gazvendosje” dhe të tjera epitete që kanë në thelb elementin e dhunës.

Aq më tepër “VV” tejkaloi çdo normë humane, teksa arriti të përdorë si kamikaze edhe disa deputete femra në kohën kur do të zgjidhej presideti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sjellja në këtë mënyrë padyshim që e ka rrudhur në vetvete dhe vë në pikëpyetje masivitetin e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sepse edhe votuesit më fanatikë e kanë kuptuar se kanë votuar në Kuvend legjislatorë që t’i përfaqësojnë dhe jo që t’i vënë zjarrin institucioneve, të cilat mbahen edhe me taskat e tyre.

Përfytyroni sikur pjesa tjetër e elektoratit që mbështesin PDK, LDK dhe koalicionin qeverisës të përdorinin të njëjtat mjete të dhunshme ndaj kryebashkiakut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, që është përfaqësues i “VV” dhe merret me mend se kjo do të ishte një vetëvrasje e dyfishtë.

Në fund të fundit ka edhe një tregues tjetër që nuk flet mirë për bllokun opozitar dhe sidomos “Vetëvendosjen”, izolimin që po i vjen nga faktori ndërkombëtar, çka është një strandard për partitë e pacivilizuar dhe që i përkasin një kohe të tejshkuar.
Kauza e bashkimit kombëtar në këtë mënyrë siç pretendohet nga “VV” dhe nga disa të vetëshpallur ndërkombëtarë brenda dhe jashtë kufirit është thjesht një rudiment, sepse Shqipëria në NATO, Kosovë me aspiratë për NATO dhe familjen europiane, bën të mundur hapësirat më të mëdha që shqiptarët të jenë bashkë në dekadat e ardhshme.

Share: