Home KRYESORE “Me sy nga Europa”

“Me sy nga Europa”

Nga Ahmet Mehmeti

Një libër që të fton të shohësh realitetin në sy. Ky është dhe misioni që i ka vënë vetes gazetarja e re dhe shumë e talentuar Era Çela ne librin publicistik “Me sy nga Europa”që sapo keni marre në dorë. Të kuptosh realitetin nuk është shumë e lehtë por është shumë e rëndësishme.

Pikërisht këtu qëndron dhe mjeshtëria e gazetares sonë që ka ditur te hulumtojë, përzgjedhë, grumbullojë, sistemojë, etj fakte, aktorë dhe faktorë të larmishëm për të pasqyruar dhe dhënë prirjet e ecurisë dhe zhvillimit te shumçkaje ka ndodhur dhe ndodh, e në këtë mënyrë na përgatit edhe për ato që priten të vijnë në të ardhmen.

Libri është konceptuar si një cikël intervistash ku “rrëfehen” personazhe qe i kane jetuar vete ngjarjet ose jane protagoniste / faktore të rëndësishëm për ate që dëshmojnë ose flasin. Një vlerë e madhe e librit është se personazhet e tij flasin në kohë reale, ndërkohë që vazhdon veprimi i ngjarjes, kur faktet janë në dinamikën e tyre te rrjedhjes, kur shkruhet historia imediatisht, drejtpërdrejt.

Kjo bie ne sy më bukur në rubriken e pare te librit “Ftesë në festën e kundërshtarit” qe i kushtohet politikës. Autorja ka vënë ballpërballë personalitete të rëndësishme dhe të respektuara të të gjitha ngjyrave të spektrit duke u dhënë hapsirën e duhur për tu shprehur. Lexuesi e ka shumë të lehtë të orientohet, të kontaktojë me personazhin dhe të marrë ate që kërkon prej tij, qysh prej titullit të shkrimit, që e fut menjëherë ne thelbin e përmbajtjes.

Në këtë mënyrë libri me anë rubrikash ku gëlojnë personalitete të fushave dhe profesioneve nga më të ndryshmet shpalos këndshëm një tematikë të larmishme duke filluar me politikën dhe vazhdon me jetën shoqerore, ekonomike, arsimore, kulturore, artistike, sportive, etj, etj. Vlen te përmenden disa nga rubrikat më të spikatura: “Koha për zbatimin e projekteve”, “Identiteti universitar i qytetit të Normales”, “Padrejtësive të së shkuarës po u vjen fundi”, “Kultura dhe arti na japin identitetin kombëtar dhe europian”, “Një jetë plot sfida” etj.

Problematikat e jetës vinë në këte libër me gjuhen e ekspertëvë të fushës, qofshin ata të qeverisjes, të profesioneve të ndryshme, te jetës politike-shoqërore, te arsimit, kulturës, mjedisit, mardhënieve ndërkombëtare etj. Ne libër flasin dëshmitarë pamorë, qe jo vetëm i kanë parë dhe përcjellë ngarjet dhe zhvillimet por edhe kanë dhënë e japin ndihmesën e tyre për çuarjen përpara të tyre, pra janë burime të dorës së parë, që me gjithë subjektivitetin e tyre historia aktuale flet me gjuhen e vet, pa ndërmjetës, dhe kjo merr vlerë të veçantë po te merret parasysh e kaluara jonë e afërt, e çensuruar dhe vetçensuruar.

Kjo i ka dhënë mundësi autores sone të nxjerrë në pah dhe ta riaktualizojë gjithçka me vlerë që nuk dihej deri tani nga e kaluara por qe përmban në vetvete jo vetëm kërshërinë por mbi të gjitha informacionin e dobishëm, faktet dhe zhvillimet. Libri përfshin një hapsirë gjeografike që merr nismën në Qarkun e Elbasanit duke e trajtuar ate në gjithanshmërinë e tij por nga ana tjetër ai shtrihet pa kufij, në të katër anët e vendit dhe të globit, atje ku kanë shkuar njerzit e tij, nga halli ose për të çuar arritjet e tyre shpirtërore, artin dhe kontributet e tyre të papërsëritëshme.

Megjithse libri i kushtohet aktualitetit ai nuk mbetet skllav i aktualitetit imediat por aspiron dhe jep aktualitetin e vlerave të pakontestuahme, te atyre vlerave të përjetëshme që ka krijuar dhe po krijon njeriu dinjitoz shqiptar. Era Çela di te gjej personin e duhur për çështjen e kërkuar, di të bëj pyetjen specifike për marrjen e informacionit për të cilin ka më shume nevojë lexuesi i saj .

Ajo e njeh mirë lexuesin e interesuar por di po aq mire ta nxisë lexuesin tjetër, ta ndihmojë ate për ta bërë më të ndjeshëm, më të ndërgjegjshëm për të drejtat e veta, për detyrat qytetare, ta përgatisë sot për të ardhmen. Ky është një mision delikat, i vështirë por shumë i bukur. Këtij qëllimi ajo ja ka dalë mbanë me shumë sukses, ku nëpërmjet shtatë rubrikave, gjashtëdhjetë e pesë intervistave dhe pesëdhjetë e dy personazheve të librit të saj na dhuron një enciklopedi të realitetit ku jetojmë dhe kontribojmë.

E bukura e këtij libri, për natyrën e tij, është arritja e harmonizimit të interesave nga më të larmishmet në një volum të vetëm, me një gjuhë të qartë e të pastër, ku çdo lexues ka shumë çfar të gjej e të kënaqet. Interesante është se ky libër vjen i publikuar më pare ne një nga gazetat më simpatike, siç është Gazeta “TELEGRAF”, e mirënjohur për vlerat e saj unike ne larmine e shtypit tone, ku Era Çela është një zë tashmë i mirënjohur, një gazetare e re me individualitetin e vet tashmë te spikatur.

Share: