Home KRYESORE U Fronëzua Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit

U Fronëzua Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit

Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në mbledhjen e tij të datës 7 prill 2016, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, vendosi themelimin e dy mitropolive të reja: a) Mitropolinë e Shenjtë të Apollonisë dhe të Fierit, ku bën pjesë rrethi i Fierit, zona e Patosit dhe e Libofshës, të shkëputura këto nga Mitropolia e Beratit, Kaninës dhe Vlorës; b) Mitropolinë e Shenjtë të Elbasanit, ku bëjnë pjesë zonat e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, të shkëputura nga Kryepiskopata e Tiranës dhe Durrësit.

Gjithashtu, kjo mbledhje, në përputhje me Statutin, pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, ndërmori plotësimin e vendeve vakante të Mitropolive të mësipërme të sapokrijuara me anë të votimit të rregullt. Për Mitropolinë e Elbasanit, u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Krujës, Andoni (Merdani), deri tani protosingjel i Kryepiskopatës së Shenjtë. Hirësia e Tij ka mbaruar Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe në Fakultetin Theologjik të Universitetit të Athinës, si dhe ka marrë Diploma Master. Fronëzimi i Mitropolitit të ri u caktua të bëhej në datën 17 prill.

Të dielën,17 prill 2016, në Kishën e Shën Nikollës, në qytetin e Elbasanit, u krye fronëzimi i Hirësi Andonit. Edhe këtu ishte krijuar një atmosferë festive, që shtohej nga muzika popullore dhe vallet tradicionale të zonës. Kjo zonë dallohet për tradita të lashta të krishtera dhe ka një nga manastiret më të hershme orthodhokse, atë të Shën Joan Vladimirit.

Në orën 18.00, para kishës së Shën Nikollës mbërriti Kryepiskopi Anastas dhe Mitropoliti i ri, të cilët u rrethuan me dashuri e ngrohtësi nga besimtarë të shumtë. Në fronëzim morën pjesë dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë. Kishin ardhur me këtë rast të shënuar edhe klerikë e laikë nga të gjitha dioqezat, Prefekti i Elbasanit dhe përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë të zonës etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm edhe drejtues të komuniteteve të tjera fetare në qytet.

Kryepiskopi Anastas, Hirësi Andoni dhe anëtarët e sinodit të Shenjtë hynë në kishë të rrethuar nga dashuria e besimtarëve elbasanas. Pasi Hirësi Andoni zuri vend në fronin episkopal, Protoprezviter Joan Trebicka lexoi vendimin e Sinodit të Shenjtë, drejtuar besimtarëve të Mitropolisë së Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, ku njoftoheshin për vendimet e fundit dhe i ftonte të mbështesnin kryebariun e tyre. Në emër të besimtarëve të zonës së kësaj Mitropolie të re, stavrofor Gjergji Trebicka i uroi mirëseardhjen Hirësi Andonit e më pas Mitropoliti i ri mbajti fjalën e rastit. Ndër të tjera Hirësia e Tij tha:

“…I jam tërësisht mirënjohës Perëndisë që më dha mundësinë të isha pranë jush për një periudhë të konsiderueshme kohore, gjatë së cilës kam përfituar nga besimi Juaj i palëkundur në përkujdesjen dhe dashurinë Hyjnore, dhe keni mundur të përballoni momente të vështira e shqetësime të mëdha. Kam përfituar nga urtësia Juaj e thellë dhe përulësia, të cilat burojnë nga besimi në Perëndinë dhe dashuria për njerëzit, ku me durim përballoni sfidat e përditshme, por edhe çështje që tejkalojnë përmasat e shqetësimeve dhe angazhimeve lokale.

Sot Ju shikoni se si bijtë tuaj shpirtërorë këtu në Shqipëri, jo vetëm që janë rritur shpirtërisht, por edhe marrin detyra të rëndësishme, si dje në Fronëzimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikollës, ashtu edhe sot, në këtë ceremoni të fronëzimit të një tjetër biri tuaj, në detyrën e Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit. Për mua personalisht është një gëzim dhe ngazëllim që Ju të jeni i pranishëm dhe dëshmoni këto ngjarje të gëzueshme për komunitetin tonë dhe për qytetarët e këtij qyteti dhe të kësaj Mitropolie. Pas një periudhe të gjatë kohore, madje shekullore, kjo Mitropoli u ringrit dhe për këtë Ju keni meritën kryesore….

…Si Kryebari i kësaj Mitropolie të re ndiej mbi vete përgjegjësinë dhe bekimin në të njëjtën kohë për të punuar me mish e me shpirt për përparimin shpirtëror të besimtarëve dhe unitetin e Kishës së Krishtit. Për këtë arsye parashtroj angazhimin dhe përkushtimin tim, pavarësisht dobësive dhe kufizimeve njerëzore, por duke besuar në Hirin e Perëndisë, që i plotëson të gjitha dobësitë dhe kufizimet njerëzore, kërkoj me përulësi ndihmën Hyjnore, me lutje dhe besim se, Perëndia, i Cili na thirri në këtë rrugë, do të na japë edhe fuqinë dhe urtësinë e duhur për ta përmbushur me sukses misionin që na është ngarkuar…”

Në fund, të gjithë të pranishmit thirrën njëzëri “I denjë”, për Mitropolitin e ri dhe e uruan për suksese në detyrën e re.

Pas mbarimit të shërbesës, pati një pritje në mjediset e kishës, ku Hirësi Andoni mori përsëri urimet e hierarkëve, klerikëve, autoriteteve dhe besimtarëve të Mitropolisë së tij.

Share: