Home KRYESORE Besimi te gjendja ekonomike bie nga keq në shumë keq

Besimi te gjendja ekonomike bie nga keq në shumë keq

Nga Gjergj Erabara

Besimi i biznesit dhe konsumatorit pësoi një rënie drastike gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke rënë poshtë mesatares afatgjatë, bën të ditur Banka e Shqipërisë.

“Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 5.7 pikë, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve. Ecuria e këtij treguesi u përcaktua nga rënia e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku rënie më të fortë regjistroi besimi në sektorin e ndërtimit,” njoftoi BSH.

Sipas raportit, janë vlerësuar me rënie të gjitha aspektet e biznesit në sektorin e ndërtimit, ndërsa besimi te sektori i shërbimit ka pësuar rënie të vazhdueshme që nga fillimi i vitit 2015. Besimi në sektorin e tregtisë ra me 4.1 për qind. Por elementi më negativ është që në sektorin e tregtisë, rënia e besimit ka qenë edhe më e madhe për pyetjen mbi pritshmërinë për të ardhmen.

treguesi-i-besimit-ne-ndertimTreguesi i besimit të konsumatorit ra me 2.5 për qind me përkeqësim në të tre komponentët kryesorë – blerjet e mëdha, situata financiare aktuale dhe ajo e pritshme e familjes si dhe situata e të ardhurave/shpenzimeve.

Gjithsesi, mes konsumatorëve, pritshmëritë për muajt e ardhshëm vijojnë të jenë pozitive.

“Konsumatorët e vlerësojnë të përkeqësuar situatën financiare të familjeve gjatë tremujorit të parë të vitit krahasuar me një tremujor më parë. Ndërkohë, ata e perceptojnë lehtësisht më të përmirësuar situatën e përgjithshme ekonomike në vend për tremujorin në analizë, të reflektuar në rritjen e balancës me 0.9 pikë përqindje. Gjithashtu, konsumatorët shprehen se niveli i papunësisë pritet të bjerë në gjashtëmujorin e ardhshëm,” thuhet në raportin e BSH.

Banka e Shqipërisë kryen një vrojtim kombëtar duke pyetur biznesin dhe konsumatorët mbi atë se si e gjykojnë situatën aktuale ekonomike të tyre ose të vendit në tërësi si dhe të pritshmërive për të ardhmen.

Tendenca e besimit të biznesit dhe konsumatorit në gjendjen ekonomike të vendit ka qenë veçanërisht negative që nga viti 2011, ku pika më e ulët u shënua në tremujorin e tretë të vitit 2013. Pas një përmirësimi në fillim të vitit 2014, treguesi i besimit shënoi rënie dhe aktualisht gjendet  në të njëjtin nivel me fundin e vitit 2014.

Share: