Home KRYESORE Cirk!

Cirk!

Nga Jonida Salku

Jam xhonglere!
Në gishta e duar ngatërroj gogla, birila,
hidh-e-prit si fjalë e hidhur, mbaj-e-mbro si fjalë e mirë,
në duart e mia sa e sigurtë dashuria…
Për një xhonglere nuk mund të jetë e vështirë.

Akrobate jam!
Ndjenja, ëndrrat, fryma, bota – në fije të perit,
rrekem të të arrij duke mbajtur ekuilibrin nëpër trarë,
varur në frikën time, kapur në dorën tënde,
pak më pak se fluturim, varur “për qejf” në litar.

Jam kllouni!
Me një gjysmë qeshje e një gjysmë qarje,
hiqem se dhe jeta është lojë, e nis ta tall,
se nëse ka lot, loti do përfundojë mbi një topth të kuq mbi hundë,
e pas do lërë një rrugthë makiazhi të bardhë…

Jam pantomimë e jotja dhe e vetes,
shndërrohem e sajohem në gjithfarë krijese,
i përkas këtij cirku-jetë ku as vetja s’më përket,
hidhem, tallem, luaj, varem, pa forcë rëndese,
pa menduar kush po qesh, kush duartroket.

Se në fund të fundit, dua të jem një dridhje,
një ndjesi e varur në një fije pe’,
një ngërthim plot frikë pas teje kapur si litarët e kësaj jete-cirk,
dua të jem një pshehrëtimë,
kur ia dal paq e them: “Sa mirë që je”!

Share: