Home KRYESORE Klasa politike, helmi i shoqërisë shqiptare

Klasa politike, helmi i shoqërisë shqiptare

Nga Aurenc Bebja

Në Lindje apo Perëndim, përveç konflikteve gjeopolitike, feja në raste të shumta është faktor ndarës i shoqërive duke vështirësuar kështu bashkëjetesën mes tyre. Shqipëria, ky komb i vjetër evropian, deri tani mbetet shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare, por fatkeqësisht ka një problem tepër të madh me politikën, më saktësisht me klasën e saj politike, e cila çdo ditë përçan qytetarët e saj dhe u shuan shpresat për një jetë më të mirë.

Me gjithë ndërhyrjen e diplomatëve evropianë dhe amerikanë, Shqipëria bie në sy për politikën e saj të çrregullt e të çorientuar, që i ngjan më shumë një kopjeje sesa një modeli politik perëndimor. Politikanët shqiptarë, vullnetarisht ose jo, dallojnë se duan t’i vënë barriera progresit, zhvillimit dhe stabilitetit të vendit, me qëllim që të qëndrojnë sa më gjatë të jetë e mundur në karriget (kolltuqet) e tyre politike dhe kështu të kënaqin egot personale.

Është interesante të analizosh sjelljen e kandidatëve para dhe pas zgjedhjeve politike. Gjatë fazës ‘parazgjedhore’, ata/ato sillen si « engjuj » të vërtetë, të cilët i duan të mirën popullit, por në fazën ‘paszgjedhore’, demonët e tyre të vjetër rishfaqen dhe kështu ata/ato heqin maskat dhe bëhen « djaj ». Harrojnë premtimet e tyre elektorale, shpërfillin qytetarët dhe i distancojnë nga jeta politike. Fatkeqësisht, konsultimi apo debati publik në lidhje me projekte madhore apo çështje që prekin interesat e shoqërisë civile nuk janë të demokratizuar.

« Divide ut imperes » është një « formulë » e aplikuar në mënyrë perfekte në Shqipëri. Politika është e përhapur në të gjithë shoqërinë, si në shtresën e varfër dhe atë të pasur, si në klasën punëtore dhe atë intelektuale, si në mjedisin privat dhe atë publik. Klasa politike postkomuniste, si ajo komuniste dikur, ka arritur të infiltrohet në familjet shqiptare, qofshin ato në qytetet e mëdha apo në fshatrat më të izoluar të vendit. Qëllimi i saj është sigurimi i votës, por edhe krijimi i një lloj vartësie politike, e cila u mundëson të manipulojë më lehtë qytetarët.

Në disa raste, politikanët shqiptarë shkojnë më tej në mendimet e tyre politike. Gjatë muajit mars 2016, anëtarët e një partie në pushtet deklaruan së vinin partinë mbi Shqipërinë. Këto dalje publike tregojnë qartësisht dëmin që krijon politika në një shoqëri ende në tranzicion. A mund të ketë Shqipëria një të ardhme të sigurtë, kur klasa politike udhëheqëse mban apo toleron të tilla fjalime (qëndrime) ? A mund të kemi besim në udhëheqësa të tillë dhe a duhet që shqiptarët të vazhdojnë t’i mbështesin ?

Përsa i përket udhëheqësve të lartë politikë të vendit, shtypi i shkruar dhe televiziv evokuon shpesh akuza korrupsioni, krimi apo abuzimi me pushtetin, por si zakonisht, asnjeri nuk dënohet. Duket sikur sistemi policor (prokuror) dhe gjyqësor janë të « paralizuar », domethënë të paaftë të reagojnë ndaj politikanëve.

Cfarë të themi për seancat e të enjtes në Parlament (Kuvend), vend i cili është transformuar prej kohësh në teatrin e komedianëve « të talentuar », në cirkun e kllounëve, ku pjesmarrësit « shquhen » vetëm për skenat e turpshme të komunikimit. Aty, deputetët, të cilët kanë në dorë fatin e popullit, prodhojnë debate sterile, domethënë flasin por nuk dëgjojnë, shahen dhe akuzohen me njëri me tjetrin për çështje nga më të rëndat, pa propozuar apo gjetur rrugëzgjidhje për programin (premtimet) që janë votuar.

aurenc bebjaSi rrjedhojë, populli shqiptar, edhe pse e ka votuar apo rivotuar ndër vite këtë klasë politike, mbetet si gjithmonë viktima kryesore e saj. Shqiptarët nuk e kanë gjetur akoma antidotin i cili do t’i shpëtojë nga helmi apo virusi i kësaj lloj « specie » politikanësh. Duke shpresuar që vendi i shqiponjave të gjejë në një ditë sa më të afërt një lider të ri apo lidere të re politike, përse jo si kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i cili do të dojë dhe do të dijë të motivojë, të krijojë besim në popull, dhe të ketë vullnetin e plotë për t’a nxjerrë atë nga situata në të cilën ndodhet.

 Burimi : http://www.darsiani.com/opinion/

Share: