Home KRYESORE Nje “armik” brenda familjes

Nje “armik” brenda familjes

Nga Anxhela Mancellari

Nuk ka vetëm “Mik”të familjes, por edhe” armik” të saj…

Goditja  e pandërprerë e krimit kundër bërthamës jetike të shoqërisë, vërtitet përsëritshëm, pafundësisht dhe me tri fjalë nëpër lajme: “Vrasje brenda familjes”. Të gjitha llojet e vrasjeve  – hakmarrja e gjakmarrja, ato për motive të dobëta e politike, për shkak të konkurrencës apo të pronës, vrasjet me pagesë dhe vetëvrasjet – e kanë plagosur dhe dëmtuar  rëndë shëndetin social, psikologjik, ekonomik dhe marrëdhëniet  në shoqëri.

Por më e dhimbshmja e të gjitha vrasjeve është krimi brenda familjes, sepse burri nuk vret dikë tjetër, por gruan – nënën e fëmijëve të vet, vëllai nuk vret dikë tjetër, por gjysmën e tij – vëllanë, fëmija nuk vret dikë tjetër, por “ata që ia bëne kokën” – prindërit, babai nuk vret dikë tjetër, por gjakun e vet – fëmijën, madje po shpeshtohen rastet  edhe të nënave që vrasin ata që u kanë dhënë jetë – pjellën e saj.

Nuk mund të thuhet më nëse është ose jo armiku brenda qelizës së shoqërisë, ai gjendet aty dhe është shfaqur kërcënueshëm duke e shkatërruar me egërsi bërthamën e saj. Si shpeshtësi, kjo lloj vrasjeje, është dendësuar në përsëritjen e vet sa, ende pa u harruar e mëparshmja, dëgjojmë për një  tjetër edhe më të kobshme. Po të skicohet një kurbë e mbështetur mbi rastet, përfundimi është frikësues.

Ky raport eshte aq i madh, sa qe çdo shtjellim mbi numrin e të vrarëve brenda një familjeje, s’ka nevojë as për një rast më tepër për të shpjeguar dukurinë tragjike. Fatkeqësisht  është shkuar deri  në përmbylljen e raporteve të krimit brenda familjes: sipas Biblës, Kaini vrau vëllain e tij Abelin – vrasja e parë brenda familjes, për shkak të pronës. Në raportet e krimit brenda  familjes shqiptare, më i shpeshti ka mbetur krimi i kryer nga Kain-ët tanë, domethënë vëllai vret vëllain. Ndoshta, në krye mund të ketë dalë krimi i burrit ndaj gruas.  Egërsia e krimit është rritur sepse  ka shpeshtim të rasteve kur djali vret babain. Edhe më keq ka ndodhur: djali vret nënën.

Por shoqëria është bërë dëshmitare e thuajse të pamundurës: prindi vret fëmijën. Madje, së voni, në më tepër se dy raste, njerëzit nuk u besonin veshëve, kur dëgjuan se vrasja barbare brenda familjes përgjaku edhe  thellësinë më të fundme të dhimbjes njerëzore: nëna vrau fëmijët. Disi më rrallë ka ndodhur që gruaja të vrasë burrin. Rrallë, gjithashtu,  ka ndodhur që vëllai të vrasë motrën.

Por opinioni nuk mban mend vrasjen e vëllait nga motra. Në gjithë këtë të keqe që po rrëshqet në kob, më fisnikja  brenda familjes mbetet nëna dhe vajza. Armiku i brendshëm i familjes, përveçse ka gjetur strofkë te i njëjti gjak, te i njëjti shtrat dhe nën të njëjtën çati, ai është egërsuar së tepërmi dhe ky është pragkobi – madje, midis gjakmarrjes për të cilën flitet më shumë dhe “vrasjes brenda familjes” për të cilën flitet më pak, ndoshta ky,  krimi në familje, përbën shqetësimin shoqëror e shtetëror më të jashtëzakonshëm, si për nga rrezikshmëria ashtu edhe për nga dendësia, sepse ky kancer social sulmon për vdekje qelizën.

Kur tronditet zemra e dhembshurisë njerëzore të  pacak brenda familjes, shoqëria shkon me shpejtësi drejt vrazhdësisë së epërme në marrëdhëniet brenda saj. Për krimin në familje, sidomos kur burri vret gruan apo e kundërta, tashmë ligji është ashpërsuar. Po çfarë është vërejtur më pas? Burrat vrasës të grave, duke e ditur se do të mbeten përjetësisht në burg për krimin e kryer, kanë bërë kujdes më të madh që, pas ekzekutimit të bashkëshortes, të godasin siç duhet edhe veten, për të mos mbetur gjallë. Një lloj statistike mund ta ndriçonte këtë dukuri pas ashpërsimit të ligjit.

Ky lloj krimi duket sikur nis e përfundon si “çështje familjare”, sidomos kur vetëvritet edhe ekzekutuesi. Në të vërtetë çdo rast mbetet një dosje e hapur për shtetin dhe shoqërinë. Shoqëria jonë e individualizuar deri në mosnjohjen e fqinjit në katin e epërm a të poshtëm, gjendet e goditur keqas në trupin e vet. Këto lloje vrasjesh të çmendura i kanë të gjitha të këqijat me vete.

Familja: cilin të qajë, të vrarin apo vrasësin e vetëvrarë a të mbetur gjallë? Shteti: si ta shohë, çështje të familjes apo dhe çështje të tij? Shoqëria: të  veprojë apo secili në punë të vet? Çdo gjymtyrë mbetet plotësisht përgjegjëse: shteti, shoqëria, familja, individi. Krimi brenda familjes nuk mbyllet me pjesëmarrjen mortore në varrezë dhe mbulimin me dhe të të ndjerit, sepse edhe atje njerëzit shkojnë të përçarë e të përçartë, kthehen prej andej  të ngatërruar e të pangushëlluar, cili të vajtohet e kush të shahet?

Kjo gjëmë duhet rrokur siç duhet dhe faktorët bazë të saj ndoshta janë katër: ekonomia, prona, marrëdhëniet dhe emigracioni. Shqiptarët janë populli me shpirt të trazuar thellë, qetësimi i tyre nuk vjen pa u marrë fort me të gjithë faktorët që përcaktojnë shëndetin e qelizës bazë të shoqërisë – familjes. Shteti dhe shoqëria shqiptare (për këtë sëmundje s’ka ndihmë nga jashtë), duhet të identifikojnë e të binden se brenda familjes frymon një armik, ai është egërsuar skajshmërisht dhe e keqja që vjen prej tij s’do të ketë të ndalur nëse nuk e ndalin.

Ai duhet bërë zap sepse, nëse për gjakmarrjen,  aq sa është si dukuri, edhe mund të shkohet te pajtimi e dilet nga ngujimi, për vrasjet brenda familjes vërtetë s’ka ngujim por s’ka kurrë pajtim; ka të vrarë të kallur e të gjallë plot zemërim; ka shterrim lotësh e s’ka shpirt në qetësim; ka vragë të  thellë kujtimi  që s’lë shteg për harrim. Familja lëshon britmë  për zgjidhje: duhet të veprohet me tërë fuqinë për të mos lejuar të ndodhin vrasje brenda saj. Familja është si ena e qelqtë: vrasja e bën copash e nuk mblidhet me…

Share: