Home KRYESORE Opozita e pesë pemëve

Opozita e pesë pemëve

Nga Gentian Kaprata  

Partiakja triumfoi mbi politiken, në debatin mbi ndërtimin apo jo të një luna parku në territorin e gjelbëruar të Parkut të Liqenit. Ashtu sikurse pritej dhe sikurse çdo herë, politikja u ekzekutua nga partiakja. Aktorët e shoqërisë civile u larguan ose u asimiluan nga strukturat partiake, të cilat tashmë mund të luftojnë mes njëra-tjetrës, në gjuhën e tyre. Pozita me z. Veliaj në ballë, u mbushi mendjen një pjese të aktorëve shoqërorë se aty nuk do të pritet asnjë pemë dhe nuk do të hidhet asnjë metër kub beton. Kurse opozita zyrtare, deputetë dhe koordinatorë të PD-së, bindën pjesën tjetër se ndërtimi i këtij luna parku është e keqja më e madhe që ka gjetur shqiptarët e sotëm. Në fakt, të bën të ndihesh si “jashtë shtetit” kur dëgjon se partitë kryesore shqiptare po kacafyten mes vetes për një çështje pemësh dhe betoni. Sikur kacafytja fizike të zëvendësohej me polemika intelektuale, do ishim gënjyer të gjithë se ‘ata po zihen për të mirën e qytetarëve’!

Sepse duhet thënë që në fillim dhe me forcë: Nëse partitë do të donin ta gjenin fjalën, sikurse ka ndodhur me dhjetëra herë veçanërisht për punët urbane, fjala gjendet lehtësisht. Ekzistojnë të gjitha mundësitë teorike që ato pemë të shpëtojnë dhe ai beton të mos shkarkohet në atë parcelë dhe në të njëjtën kohë edhe luna parku të ndërtohet. Mirëpo, asnjë palë ndërluftuese nuk e do këtë. Ata nuk janë në luftë, për çështjen për të cilën po bëjnë sikur po luftojnë, por për luftën në vetvete. Atyre u duhet lufta për të shtrënguar radhët e vathëve të tyre, si një mënyrë për të mos i lënë njerëzit të mendojnë me mendjen e tyre, por nën frikën e forcimit të palës kundërshtare. Shumë e justifikueshme kjo për mazhorancën qeverisëse, e cila prej tre vjetësh po shkon nga ‘fitorja në fitore’, por aspak produktive për opozitën. Së cilës, teorikisht, i nevojiten votat e njerëzve që kanë nevojë për përgjigje të zgjuara për pyetjen fatale: ‘Pse duhet ta votoj opozitën?’.

E emërtuar shpesh ‘votuesit gri’, kjo bashkësi në rritje progresive votuesish, vështirë të gënjehet me gërr-mërre për ca pemë të prera, ca beton të derdhur apo ca leje të pa dhëna/marra. Ajo shtron si domosdoshmëri: ‘Pse’, ‘si’ dhe ‘çfarë’ të reja dhe bindëse, nga aktorët sfidues në garë. Ajo kërkon të dijë qëndrimin e PD-së për Reformën Territoriale dhe Administrative. A ka PD një qëndrim politik për kufijtë e bashkive të sotme? Sepse pas zgjedhjeve të qershorit 2015, PD nuk është shprehur më. Po për marrëdhënien pushtet qendror – pushtet vendor? Dhe kush është ai? Nuk kemi dëgjuar të flitet për decentralizimin, veçanërisht atë fiskal. Përveçse kur kryebashkiakët demokratë ankohen se nuk janë të kënaqur nga mënyra “Rama” e shpërndarjes së fondeve qëndrore. Për të ardhur te ‘ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’ të 2014, i cili  na kthen te qasja e homologut të tij i vitit 1978, dhe na kujton se PD zyrtare nuk është shprehur akoma për të.

Po për projektin antikombëtar ‘Durrana’ që kërkon t’i grumbullojë gjithë shqiptarët në Tiranë e Durrës, a ka ndonjë qëndrim politik elita patriotike e PD-së? Apo për vllaun e vogël të tij, ‘Bulevardin e Ri’ që e tejshtrin Tiranën edhe me 25 % të territorit të saj! I cili ndërton në Tiranë edhe disa mijëra apartamente të reja mbi ato ekzistuese të pashitura, ndërsa qytezat shkretohen e boshatisen . Nuk janë pemë të prera dhe betone të derdhura këto, njësoj në cilësi e shumëfish në sasi? Po për projektin ‘Rilindja Urbane’ që gëlltiti miliarda? Të fundit para të mbetura në xhepat e shqiptarëve të sotëm dhe borxhe pafund për shqiptarët e ardhshëm. A kishin leje ndërtimi apo vlerësim mjedisor këto punime ndërtimore, meqenëse luna parku te Parku i Liqenit nuk kishte! Po rikontruksioni dhe rivlerësimi i godinave dhe “baçeve” të Kryeministrisë dhe disa ministrive, a kishin leje ndërtimi, vlerësim mjedisor apo leje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës? Jo!

Janë këto pyetje dhe përgjigjet për to, që vënë në pikëpyetje të madhe “aksionin opozitar” kundër legjitimitetit të munguar të punimeve te Parku i Liqenit. Sepse është e vërtetë që projekti është në shkelje të çdo ligji të mundshëm, është gjithashtu e vërtetë që heq pemë e vendos beton, porse në asnjë rast nuk është projekti më dëmtues urban i ndërmarrë nga kjo mazhorancë antihumane e antiurbane. Kaq mund të themi vetëm për dimensionin kritizues dhe kundështues të opozitarizmit në çështjet urbane, por opozita ka edhe dimensionin propozues e projektues të së ardhmes ndryshe. Votuesit gri presin shumë më shumë se kaq sa opozita u jep. Ata janë në pritje që opozita t’iu shpalosi modelin e saj të zhvillimit ekonomik, modelin e saj të shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar, modelin e saj të kthimit e kompensimit të pronave, modelin e saj të zhvillimit territorial dhe urban, modelin e saj të decentralizimit të funksioneve qeverisëse.

-Urbanism & Democracy

Share: