Home KRYESORE Presidenca, uniforma e re e Hashim Thaçit

Presidenca, uniforma e re e Hashim Thaçit

Presidenti i “luftës”, paqe në dy fronte… Sfidat që e presin presidentin e ri Hashim Thaçi në mandatin pesëvjeçar, për një Kosovë më të qëndrueshme brenda vendit dhe marrëdhëniet me Serbinë. Orientimi drejt Europës dhe SHBA-së dhe roli për të krijuar stabilitet mes kampeve politike në Kosovë.

Nga Sebi Alla

Fryma Europiane ndihet kudo. Tapeti blu mbi shkallare pret dy presidentë, njëra në ikje dhe tjetri në ardhje. Kreu i ri i Shtetit, Hashim Thaçi, e ka të qartë se rruga e nisur mbetet e vështirë, por në fundin e mandatit është i “dënuar” të lërë pas një Kosovë brenda vetes më të paqtë, të njohur më shumë ndërkombëtarisht dhe për më tepër të thyejë akujt në marrëdhënien e brishtë me fqinjët e Serbisë. Dita e djeshme ishte ndryshe edhe si imazh. Në sfond dëgjohen këngët e Bitëllsave, për t’u “thyer” me disa shpërthime nga gazi lotsjellës, i “dhuruar” nga aktivistë të Vetëvendosjes, që gjithsesi përlotën vetëm sytë e pamësuar me këtë situatë. Gjithçka e menduar të kryhet në sheshin “Skënderbej” të Prishtinës. Në këtë vend që ka parë plot ngjarje të trishta nën sundimin serb, festë pas çlirimit, e përplasje mes partish. Koha kërkon ndryshim! Imazhi i një fryme të re që po nis në presidencën e Kosovës, përhapet kudo. Nuk ka ovacione deliri, as “muzikë” daullesh, fare folklor, por mesazhe të qarta dhe fjalë të përgjedhura. Përgjatë vendit ku mbahej ceremonia, nuk dallohet qoftë edhe një flamur i vetëm i Shqipërisë, veshët nuk të fiksojnë këngë patriotike të krijuara rishtas, apo vargje të gjetura ndër shekuj. Fundja, “patriotizmi” më i madh i sotmi, nuk është përshfaqja me simbolikë, por fryma politike për t’u bërë dy shtete shqiptare të qëndrueshme dhe me nisma të njëjta në ekonomi, arsim, kulturë dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Qëllimet janë të ngjashme për të dyja vendet, teksa destinacioni i fundit për një nisje të re, mbetet Bashkimi Europian. Edhe Shqipëria zyrtare i ka bërë nderet në këtë ceremoni të veçantë të inaugurimit të Presidentit të Kosovës. Të pranishëm ishin dje, kreu i shtetit shqiptar Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Himni i Kosovës dhe ai i Bashkimit Europian, sollën edhe rotacionin presidencial, teksa ish-presidentja Atifete Jahjaga që kreu nderet zyrtare të saj në këtë ceremoni, duke iu referuar më shumë kushtetutës së vendit. “Kam mbrojtur këtë kushtetutë me të gjithë qenien time. Ky themel i shtetit tonë ka qenë udhërrëfyes, në realizim e të gjitha veprimeve për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për të ardhmen e tyre dhe në çdo veprim timin. Mbroje këtë kushtetutë të shtetit tonë dhe synoje qëllimin e saj që të gjithë qytetarët e saj të jenë të barabartë dhe të lirë, që të duan vendin e tyre, të barabartë para ligjit” -tha Jahjaga. Për më shumë, Presidenti Thaçi është kreu i shtetit i zgjedhur me vota, konform kushtetutës, pasi gjykata në vendimin e fundit të saj e konsideroi të ligjshëm zgjedhjen e tij. Kjo mund të qyhet risi, pasi jo çdo gjë më parë ka shkuar mbarë përsa i përket postit të presidentit në Kosovë. Antikushtetutshmërinë fillimisht e provoi Presidenti Fatmir Sejdiu, ku Gjykata Kushtetuese e shpalli si të papajtueshëm me ligjin themeltar, pasi kreu i shtetit ishte njëkohësisht edhe kryetari i LDK-së. Kjo çoi në zgjedhje të reja, ku u zgjodh president Behgjet Pacolli, që pati jetë të shkurtër në postin e lartë, pasi po Gjykata Kushtetuese e konsideroi të paligjshëm zgjedhjen e tij, për shkak të mungesës së kuorumit në Parlament. Por një përsëritje situate nuk mund të ndodhë, pasi edhe juridikisht Thaçi e ka marrë mandatin presidencial. “E nderuara Presidente, do ta ruaj, kultivoj kushtetutën e Republikës së Kosovës, simbolin dhe bazën elementare të shtetësisë së Kosovës në unitetin tonë politik e qytetar. Do jem gardian i kushtetutës, i të drejtave qytetarëve të Kosovës, i Kosovës si atdhe, i të gjithë qytetarëve të Kosovës” -tha Thaçi. Ndësra në hyrje të fjalës së tij përzgjodhi fjalët se do të jetë kreu i shtetit të shumë etnive, kulturave apo komuniteteve. Sot jemi të bashkuar si vend dhe popull. Jemi këtu. Pjesëtarët e komunitetit shumicë, pjesëtarët e bashkësive etnike dhe fetare, por edhe pjesëtarët e LGBTI. Kemi qenë të bashkuar në kohë të mira dhe në situata të rënda. Në kohë hidhërimesh dhe gëzimesh. Bashkimi na ka ngritur si komb dhe si shtet. Uniteti ynë ka qenë dëshmia më e madhe dhe më e fuqishme për botën se ne jemi një shoqëri e dedikuar për një sistem politik që garanton të drejtat më bazike individuale dhe kolektive” -tha Presidenti Thaçi. Fjalimi i tij nuk mund të mbetej pa iu drejtuar edhe historisë dhe shumë brezave që dhanë jetën për një Kosovë të lirë e që tashmë i duhet të bashkëjetojë mes harmonisë fetare apo me minoritetet e etnive të tjera. “Jemi këtu, para monumentit të Skënderbeut. Shumëkush e sheh si luftëtar në mes qytetërimeve, por unë sot e shoh si një njeri që preku dy botëra. Vendi ynë është i vëmendshëm për traditat fetare tradicionale islame dhe krenar për gjurmët e shenjtorëve të krishterë që nga koha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Dhe çmojmë margaritarët e Kishës Ortodokse Serbe. Vetëm pak metra nga këtu e ngrita monumentin e hebrenjve të Kosovës, një dëshmi tjetër e diversitetit tonë” -tha Presidenti.

Presidenti “brenda” Kosovës

Në Kosovë gjithçka zien edhe atëherë kur qetësia është e pranishme, ajo shkon në kufijtë e frikës. Kampet politike që grinden jo vetëm me kundërshtarin, por edhe brenda llojit, nuk e kanë problem të lëshojnë shkëndija ndarjeje. Po tashmë kreut të shtetit Hashim Thaçi, i zgjedhur me 71 vota pro, të siguruara nga mbështetësit e tij nga PDK-ja, LDK-ja dhe partitë e minoritetit nga lista serbe, do i duhet të jetë mbi palët. Kjo jo vetëm se kështu e “thotë” kushtetuta, por për të krijuar profilin e një lideri në frymë europiane. Është gati e pabesueshme që Thaçi të jetë në një tavolinë me liderët e Vetëvendosjes, që vezët e gazin lotsjellës i kanë kthyer në instrumente politike, por një qëndrim më i zbutur, pranues e bashkëpunues do i duhet. I mësuar me pushtetin, ku ka njohur të gjitha shkallët më të larta hierarkike të drejtimit, presidenti i ri, e ka të qartë se diçka duhet lëshuar, edhe atëherë kur ngjan e pamundur. Në këtë gjykim, nuk ka si të mbesë mënjanë edhe loja politike e afrimit me drejtues të partive opozitare. Nga ana tjetër, ngjan sikur e ka më të lehtë të merret vesh me të “tijtë”, ku barra kryesore e drejtimit të vendit sigurisht që i mbetet kryeministrit Isa Mustafa, dikur kundërshtar i fortë, sot bashkëpunëtor i domosdoshëm. Sa për partinë e tij LDK-në, e ka lënë në duart e Kadri Veselit. Një figurë jo konfliktuale e në çdo rast për çdo nismë ka derën e hapur për të dhënë orientimin e tij. Të gjitha këto mbesin pikat ku Thaçi me gjasë ka vendosur të ndryshojë profil, si në sjellje, ashtu edhe në gjuhën që do përdorë.

Thaçi dhe ndërkombëtarët

Presidenti i ri duhet të ketë si “busull” në tavolinën e tij të punës mërrëdhëniet me shtete që kanë krijuar ekzistencën e vetë shtetit të Kosovës. “Unë jam i obliguar nga qytetarët tanë, që ta ruaj si sytë e ballit miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmoj Kuvendit dhe Qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB” -artikuloi Thaçi në fjalimin e tij. Tashmë në Kosovë është momenti që për shtetet mike të mos jetë vetëm mirënjohja (e cila nuk ka munguar), por edhe të dëgjohen sugjerimet e tyre në lidhje me politikën brenda dha jashtë vendit. “Kosova do të jetë iniciuese e nismave për paqe dhe dialog. Kosova po ndërton raporte të mira me fqinj. Kosova po kultivon frymën e dialogut. Kosova e njeh kulturën e negocimit. Për të gjitha çështjet që mund të merremi vesh i kemi dyert dhe zemrat e hapura. Por, le të jetë e qartë se me ata që kërcënojnë lirinë në botë, me ata që rrezikojnë dhe sulmojnë miqtë tanë, me ata që synojnë shkatërrimin e mënyrës tonë të jetës, liritë dhe të drejtat tona, nuk do të ketë asnjëherë kompromis. Jemi krenar që Kosova është pjesë e përpjekjeve globale në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm”.

Serbia dhe pajtimi….

Në postin e kreut të shtetit do i duhet që të kapërcejë mbi ndjesitë personale, duke lënë pas emocionet e dhimbshme të së shkuarës në marrëdhëniet me Serbinë. Nevojitet shtrimi i një rruge, ku bashkëpunimi kërkohet edhe nga Europa e SHBA. Gjithnjë duke treguar se do të dijë të sillet si kreu i një vendi sovran dhe aspak inferior nga fqinjit të saj. “Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian dhe dialogun me Serbinë, sepse qytetarët na kanë obliguar ta anëtarësojmë Kosovën sa më shpejt në BE dhe NATO. Ky është një obligim dhe detyrim nacional që edhe në momentet më të vështira, edhe në bisedat më të rënda dhe në çastet më provokuese, mos t’i dorëzohemi dëshpërimit, mos të dorëzohemi para urrejtjes. Ne do të ndërtojmë fqinjësinë e mirë. Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë nga faza e normalizimit të marrëdhënieve në procesin e pajtimit në mes të dy shteteve dhe dy popujve. Jam i bindur se pajtimi do të ndodhë”, -tha Presidenti Thaçi. Në këtë pikë, reagimet brenda vendit do të jenë disi të forta, sidomos nga opozita, e cila do ketë në duar një motiv më shumë për të shtuar kundërshtitë, për aq kohë sa plagët e një lufte të përgjakshme ende nuk janë shëruar. Këtu pritet edhe roli i presidentit të ri, ku krahas dorës së zgjatur të pajtimit, do i duhet të tregojë që në bisedime mund të futen si të barabartë, pas ndjesisë së inferioritetit. Vetë shteti i Kosovës, tashmë është i konturuar dhe ka krijuar pjekurinë për të qenë nismëtar edhe i pajtimeve të mëdha me fqinjët, me të cilët  ka kaluar shekuj lufte, dhune dhe masakra./Mapo.al

Share: