Home KRYESORE Prokuroria dhe xhaketat e vjetra politike

Prokuroria dhe xhaketat e vjetra politike

Nga Ndriçim Kulla

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, me të drejtë ka udhëzuar vartësit e tij që të mos e teprojnë me arrestimin e personave me rrezikshmëri të ulët shoqërore, duke i mbushur ambientet e paraburgimit dhe më pas burgjet me ta. Z. Llalla, me të drejtë ka udhëzuar që duhet t’u kushtohet vëmendje më e madhe veprave penale, si: shpërdorimi i detyrës dhe korrupsioni. Inkurajimi i vartësve për t’u marrë me këto vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për të cilat opnioni publik është shumë i ndjeshëm, ishte një gjë tepër e nevojshme. Aq më tepër kur po vihet re një vonesë në miratimin e Reformës në Drejtësi, e për pasojë një vonesë sa i përket krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, që duhet të merrej në mënyrë të veçantë me këto vepra penale, për të cilat tërhoqi vëmendjen Prokurori i Përgjithshëm. Sigurisht që kjo vonesë nuk është për faj të Prokurorisë, por të politikës që ka krijuar një ngërç në miratimin e Reformës në Drejtësi.

Por z. Llalla, me deklaratën e tij iu tërheq vëmendjen prokurorëve, se pavarësisht që po vonohet krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, këto vepra penale ekzistojnë në Kodin Penal, prandaj është detyrim i prokurorëve që të merren me to, edhe në kushtet e tanishme të organit të akuzës. Në fund të fundit, çdo punë që bëhet tani në këtë drejtim, shërben për t’ia shtruar rrugën Byrosë Kombëtare të Hetimeve, kurdo që të krijohet.

Një nga arsyet kryesore për të cilat organi i akuzës në këta 25 vjet ka arritur rezultate që lënë shumë për të dëshiruar në luftën kundër këtyre dy veprave penale, shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, është se nga ana e Prokurorisë ka patur një lloj druajtjeje ndaj xhaketave të vjetra të politikës, si të majta, ashtu dhe të djathta, të cilat kanë arritur që të krijojnë aureolën e pandëshkueshmërisë për këto vepra penale. Ç’është e vërteta, xhaketat e vjetra të politikës e kanë hijen e rëndë, si kur janë akoma në pushtet, ashtu edhe kur nuk janë. Xhaketat e vjetra të politikës janë të vetëdijshme për hijen e rëndë të tyre, deri edhe mbi prokurorët, dhe e përdorin këtë për të siguruar imunitet të plotë nga ligji. Xhaketat e vjetra të politikës nuk ngurojnë që të bëjnë edhe aleanca të çuditshme, majtas-djathtas dhe anasjelltas, kur ndiejnë rrezik për vetveten.

Duhet pranuar se në këta 25 vjet, dështimi më i madh i organit të akuzës në Shqipëri, është gjunjëzimi para xhaketave të vjetra të politikës, si të majta ashtu edhe të djathta. Duke mos arritur ta fitojë luftën ligjore me xhaketat e vjetra të politikës, madje shpesh as duke mos e nisur këtë luftë, Prokuroria, pavarësisht se cili ka qenë në krye të saj, nuk ka pasur kredencialet e duhura për ta bërë këtë luftë me xhaketat e vjetra të politikës. Se si është krijuar kjo ndjenjë e druajtjes nga xhaketat e vjetra të politikës në institucionin që drejton z. Llalla sot, kjo është një histori e gjatë dhe nuk është vendi këtu për ta shpjeguar. Natyrisht që z. Llalla nuk është përgjegjës që është krijuar kjo frymë në institucionin që ai drejton, ai e ka gjetur atë atje, dhe (nuk ka bërë pak në këtë drejtim), e nuk mund të pritej prej tij që ta çrrënjoste si me shkopin magjik këtë ndjenjë të druajtjes nga xhaketat e vjetra të politikës, ndër të tjera edhe për shkak të presionit që ka ushtruar politika vazhdimisht ndaj prokurorisë.

Ai nga i cili duhet të presim që ta çrrënjosë këtë frymë duhet të jetë drejtuesi i ardhshëm i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, i cili e ka apriori të gjithë mbështetjen ndërkombëtare dhe veçanërisht atë amerikane, ashtu siç nuk e ka parë as në ëndërr ndonjë koleg i tij më parë. Por kjo nuk do të thotë se puna për çrrënjosjen e kësaj fryme duhet të nisë pasi të krijohet Byroja Kombëtare e Hetimeve. Kjo punë duhet të nisë paraprakisht. Qoftë edhe në mënyrë deklarative.

Z.Llalla do të hyjë në histori nëse do vazhdojë t’u drejtojë vartësve të tij apelin publik që të mos kenë druajtje nga xhaketat e vjetra të politikës dhe të mos magjepsen, as nga politika, e cila nuk rresht për t’i shkarkuar problemet e saj që ka me drejtësinë dhe korrupsionin, vetëm tek organi i akuzës. Inicimi i krijimit të një fryme të tillë në organin e akuzës do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në mbarëvajtjen e punës së ardhshme të prokurorisë, por edhe te punonjësit e ardhshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimeve, të cilët në fund të fundit janë njerëz të këtij vendi dhe nuk janë imunë nga fryma që sundon këtu.

Share: