Home KRYESORE U Fronezua Metropoliti i Apollinise se Fierit

U Fronezua Metropoliti i Apollinise se Fierit

Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në mbledhjen e tij të datës 7 prill 2016, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, vendosi themelimin e dy mitropolive të reja: a) Mitropolinë e Shenjtë të Apollonisë dhe të Fierit, ku bën pjesë rrethi i Fierit, zona e Patosit dhe e Libofshës, të shkëputura këto nga Mitropolia e Beratit, Kaninës dhe Vlorës; b) Mitropolinë e Shenjtë të Elbasanit, ku bëjnë pjesë zonat e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, të shkëputura nga Kryepiskopata e Tiranës dhe Durrësit.

Gjithashtu, kjo mbledhje, në përputhje me Statutin, pas propozimit të Këshillit Kleriko-Laik, ndërmori plotësimin e vendeve vakante të Mitropolive të mësipërme të sapokrijuara me anë të votimit të rregullt. Për Mitropolinë e Apollonisë dhe të Fierit, u zgjodh Hirësia e Tij, Episkopi i Apollonisë, Nikolla (Hyka), deri tani drejtor i komanduar i Akademisë Theologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” – Shën Vlash, Durrës. Fronëzimi i Mitropolitit të ri u caktua të bëhej në datën 16 prill.

E shtuna, 16 prill 2016, e veshi qendrën e qytetit të Fierit me petkun e festës. Qindra e qindra besimtarë, mes tingujve të muzikës popullore dhe të valleve, ishin mbledhur për të pritur Mitropolitin e tyre, Hirësi Nikollën. Kjo zonë dallohet si për traditat e lashta të krishtera ashtu edhe për numrin e madh të besimtarëve orthodhoksë. Vetëm zona e Myzeqesë, që përfshihej deri tani e gjitha në Mitropolinë e Beratit, ka më shumë orthodhoksë se sa nxori Censusi i deformuar i vitit 2011.

Në orën 12.00, mbërriti Kryepiskopi Anastas dhe Mitropoliti i ri, të cilët u pritën nga besimtarë të shumtë që kishin mbushur të dy anët e rrugës përpara Katedrales së Shën Gjergjit (e dyta në Shqipëri për nga madhësia, pas Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë). Në oborrin e madh të kishës ishin mbledhur edhe klerikë e laikë nga të gjitha dioqezat, përfaqësues të pushtetit lokal dhe deputetë të zonës etj. Kishin ardhur edhe drejtues të komuniteteve të tjera fetare në qytet. Në fronëzim morën pjesë të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë. Mes psalmeve të kënduara nga kori bizantin “Joan Kukuzeli”, Kryepiskopi Anastas dhe Hirësi Nikolla, së bashku me anëtarët e tjerë të Sinodit hynë në kishë të rrethuar nga ngrohtësia e besimtarëve fierakë. Pasi Hirësi Nikolla zuri vend në fronin episkopal, Protoprezviter Joan Trebicka lexoi vendimin e Sinodit të Shenjtë, drejtuar besimtarëve të Mitropolisë së Apollonisë dhe Fierit, ku njoftoheshin për vendimet e fundit dhe i ftonte të mbështesnin kryebariun e tyre. Në emër të besimtarëve të zonës së kësaj Mitropolie të re, stavrofor Ilia Bita i uroi mirëseardhjen Hirësi Nikollës e më pas Mitropoliti mbajti fjalën e rastit. Ndër të tjera, Hirësia e tij tha:

“Ju Fortlumturi jeni Ai që keni meritën për zgjedhjen dhe fronëzimin e Mitropolitit të Mitropolisë së Shenjtë të Apollonisë dhe Fierit. Sepse Ju jeni Ai, që më keni shkolluar në Akademinë Teologjike në Shën Vlash, në Universitetin Teologjik “Kapodistria” të Athinës, në studimet e mia pasuniversitare në Universitetin Teologjik “Aristoteli”, në Selanik, por për më tepër më edukuat me jetën Tuaj. Qëndrimi pranë Jush që nga koha kur jam dorëzuar dhjak deri më sot, ka qenë universiteti më i madh i jetës sime. Dhe, mbi të gjitha, keni qenë Ati im shpirtëror.

Fjalët janë të pakta për të shprehur gjithë falënderimin dhe mirënjohjen time. Ju falënderoj Ati dhe Kryebariu im. Perëndia ju dhëntë shumë e shumë vite të tjera në udhëheqje të Kishës sonë, me shëndet dhe me urtësi.

Ju falënderoj për besimin që keni pasur ndaj meje për detyrat dhe përgjegjësitë që më keni dhënë. Ju falënderoj edhe për këtë përgjegjësi të Re dhe të Madhe të kujdesit baritor të Mitropolisë së re e të Shenjtë të Apollonisë dhe Fierit…

…Kam pranuar të vij në këtë vend dhe në këtë detyrë për të shërbyer. Por jam i vetëdijshëm se unë nuk mund t΄a përmbush i vetëm këtë shërbesë. Prandaj kërkoj ndihmën dhe mbështetjen Tuaj. Dhe ju klerikë të kësaj Dioqeze të re jeni bashkëpunëtorët e mi të parë dhe më të afërm dhe vazhdimisht do të kërkoj ndihmën dhe kontributin tuaj.

Zoti më ka bekuar shumë në jetën time. Më ka dhënë shumë më tepër se mendoj që mund të kisha apo ti kërkoja Atij. E di që Fronëzimi i sotëm është një nder i madh dhe privilegj i veçantë për mua, të cilin unë padenjësisht e marr. Por veç privilegjit është një shërbesë e vështirë…”
Në fund, të gjithë të pranishmit thirrën njëzëri “I denjë”, për Mitropolitin e ri dhe e uruan për suksese në detyrën e re.
Pas mbarimit të shërbesës, pati një pritje, ku Hirësi Nikolla mori përsëri urimet e hierarkëve, klerikëve, autoriteteve dhe besimtarëve të Mitropolisë së tij.

 

 

 

 

Share: