Home KRYESORE Burtha

Burtha

Nga Edison Ypi

Të gjitha luftrat të humbura. Të gjithë kufijtë të cunguar. Aq larg Europës sa as krizat e saj nuk na kapin. Ky është bilanci ynë katastrofik me në krye karikaturat e burrave, burrthat.

Historia e vjetër dhe e re e Shqipërisë është plot me burrtha.

Që Shqipëria udhëhequr nga burrthat një ditë do katandisej si sot, vizionarët tanë e kanë paralajmëruar qyshkur.

Ndër të parët, ishte Naimi i madh që paralajmëroi rrezikun e burrthave në të famshmen “Bagëti e Bujqësi”, vetë titulli i së cilës, si dhe kryekrejt përmbajtja, flasin vetë për burrthin e kudondodhur.

I ëmbli Naim, flet mjaft qartë qysh në fillim të poemës; “Do tu këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni”. Që domethënë do tu çel sytë për burrthat që mbani mbi kurriz. Dhe më qartë akoma pak më poshtë ku tallet fare hapur; “O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni”. Pra “O shqiptarë, me burrthat që keni në krye ju mua më gajasni”.

Poeti e dinte se Historia e Shqipërisë ishte plot me me burtha hajdutë, llafazanë, mburravecë, grindavecë, dembelë, hileqarë, intrigantë. Prandaj ulëriti Naimi.

Por profecisë naimiane pak ose aspak rëndësi iu dha, dhe burrthat ende sot vazhdojnë të mbretërojnë ndër ne.

Një tjetër shqiptar vizionar tha; ” Burrat e dheut e thirrshin nanë”. Që domethënë se burrat e vdekur e thirrshin nanë për ta dashur, ndërsa burthat e gjallë e konsideojnë plaçkë për ta vjedhur.

S’është për tu çuditur pse shumica e shqiptarëve i lexojnë në të kundërt mesazhet e vizionarëve për burrthat. Raste të këtyre lloj keqkuptimeve ka edhe në letërsinë botërore. Pinoku për shembull. Të cilin miliona dashamirë naivë të letërsisë anembanë planetit e kanë lexuar dhe e lexojnë dhe e ngrenë në qiell si historinë e këndëshme moralistike të një buratini të cilit i zgjatet hunda sa herë gënjen, çka është vetëm njëra nga pasojat që fare pak lidhje ka me thelbin.

Pinoku ka në themel një shkak madhor, një pus pafundësisht të thellë; dëshpërimin uluritës të një burri të ndjeshëm por pa femër që ka frikë se nuk është burrë por burrth, dhe i shtyrë pikërisht ky ankth, në pamundësi të një fëmije prej mishi, gdhend një fëmijë prej druri. Por dihet se thelbet e thella lexuesit të cekët pak i interesojnë, dhe pak i kupton, dhe mirë bën.

Prej qindra vitesh Shqipëria vuan prapësitë e burrthave dyshues, vuajtës dhe agresivë.
Ende sot, zeja më e përhapur ndër shqiptarë është ajo e burrthave që përmes frikërash vjedhin, dhe pasi vjedhin ulurasin. Dhe jo vetëm ulurasin, që do të ishte vetëm një pjesë e së keqes. Burrthat shqiptarë, pasi vjedhin, rehatohen, trashen, dhjamen, nisin e shtiren apo shiten për ç’tu teket, ndërkohë që Shqipëria fundoset e fundoset pambarim përmes ciklesh vetshkatërruese provokuar prej burrthash.

Emërtimet femërore pothuaj të të gjitha mjeteve vrasëse shkatërruese si thika, shpata, pushka, koburja, predha, djegorja, gëzhoja, mortaja, janë cilësime burrthash.
Stërnipat e sotëm të burrthit naimian, atij që “blegërin dy a tri herë dhe ikën e merr dhenë”, pra burrthit që pasi bën sherr ja mbath, si dhe burrthave çajupianë, ata që “nënë hije, lozën kuvëndojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”, të bëjnë për të qarë.

Share: