Home KRYESORE Përbindëshat e mëdhenj të liqenit të vogël

Përbindëshat e mëdhenj të liqenit të vogël

Nga Gentian Aliaj

Legjenda e përbindëshit të  liqenit të Lochness, që ka tmerruar për shekuj banorët e një qyteti skocez duket se  po i vjen fundi i lavdisë. Përbindësha të tjerë më të fuqishëm ka kohë që kanë dalë në horizont, në një liqen tjetër, por kësaj here nuk bëhet fjalë për legjenda por për realitet. Të paktën në një fushë mund të mposhtim çdo vend në botë, prodhimin e përbindëshave që nuk përpijnë vetëm njerëzit por dhe vetë liqenet, lumenjtë dhe detet.

Liqeni i vogël i Tiranës është rrethuar prej dekadash nga përbindësha më të mëdhenj se ata të Lochness, përbindësha me zemër hekuri dhe dhëmbë të florinjtë. Shkëlqimi i florinjtë, vret sytë dhe hipnotizon banorët përqark që të hutohen dhe ngatërrojnë përbindëshat me xhinda të mirë.

Po si iu turrën liqenit të vogël përbindëshit lara lara. Po rifreskojmë pak kujtesën e popullit televiziv.

Rama ishte i pari që ndjeu “freskinë e liqenit” dhe hodhi bazat për betonizimin e tij me bekimin e një projekti “të jashtëm”. Berisha, pas hezitimeve dhe negociatave për pjesën e betonit, vijoi projektin e shkatërrimit, duke kthyer me ligj destinacionin e liqenit dhe hapur kështu rrugën shkatërrimit. Dhëndrri i familjes, mblodhi të gjithë përbindëshit dhe i kënaqi me nga një pjesë dhe së bashku me votat e vampirëve të integrimit, miratuan më në fund planin e çrregullimit të territorit dhe lejen për 440 000 mijë metra katrorë beton, që do përkëtheheshin në qindra miliona euro. Të mjaftueshme jo për përbindëshit por dhe për vemjet përqark me kollare dhe mikrofona.

Kryetari fringo i bashkisë, bën ftesë popullit dhe shoqërisë civile për të rezistuar së bashku përpara gjykatës së apelit. Kasta nuk mjaftohet me të gjitha institucionet nën kontroll, por do të kontrollojë dhe shoqërinë civile. Si gjithmonë qytetarët nxiten të marrin pozicion mes dy zgjedhjeve të rreme, kur zgjidhja e vërtetë është gjithmonë jashtë skemës.

Realisht qëllimi kryesor ky është që qytetarët mos të arrijnë të kuptojnë në asnjë moment së zgjidhja është përtej alternativave të rreme që i servir pushteti sepse nëse do kuptohej kjo gjë atëherë  kasta do humbiste privilegjet e saj.

Cila është kjo zgjidhje, pro apo kundër vendimit të gjykatës?

Gjykatat në rendin juridik zbatojnë ligjet që janë në fuqi. Presioni ndaj gjykatave para vendimit është në vetvete një akt eversiv, paradoks shqiptar kur kryhet prej një segmenti të pushtetit.

Zgjidhja normale  është ndryshimi i bazës ligjore, ose më mirë i planit të rregullimit të territorit, në pjesën ku parashikon ndërtime.  Por kush mund ta bëjë këtë ndryshim të pjesshëm të ligjit vendor të planit të rregullimit të territorit? Sigurisht organi që e ka miratuar atë sipas ligjit të pushtetit vendor, që është këshilli bashkiak. E majta ka jo vetëm Kryetarin por dhe shumicën në Këshill për të realizuar ndryshimin. Ndryshime të tilla janë tashmë praktikë e kolauduar, duke kujtuar anullimin e krejt planit prej Bashës, ndryshimit disa herë të sheshit Skënderbeu prej të dyja palëve etj.

Por modifikimin e ligjit mund ta kryejë edhe pushteti qendror. Eksperienca dhe praktika e deritanishme ka njohur shumë raste të tilla, ku pushteti qendror ka ndërhyrë në përcaktimin e territorit dhe ndërtimeve në kompetencat e pushetit vendor. Kujtojmë rastin e Zogut të Zi, rastin e Piramidës, rastin e qeverisë aktuale mbi ndryshimin e planit për Bulevardin etj.

Sigurisht kasta e gjen rrugën dhe metodën ligjore, ekstraligjore dhe antiligjore për të nxjerrë përfitime klienteliste, por bëhet çuditërisht rigoroze ndaj ligjit, kur ligji shkatërron të mirën publike.

Përderisa Veliaj i ka të gjitha mjetet për të ndryshuar bazën ligjore atëherë përse nuk e bën këtë gjë por krijon një show duke bërë protestë kunder një vendimi gjykate?

Përgjigjia është evidente. Çështja e ndwrtimeve implikon shumë aktorë të kastës (majtas, djathtas) dhe prandaj lufta kalon pragjet e gjykatave të superkorruptuara për tu zhvendosur në rrugë.

Pushteti bën protestë kunder pushtetit. A nuk është qesharake?

Sistemi uzurpon hpësiren publikë (shiko Jurgen Habermas) në mënyrë të tillë që çdo formë organizimi të jetë nën “kujdesin” e tyre dhe rrjedhimisht nën kontrollin e tyre.

Veliaj bën njëkohësisht rolin e Kryetarit të bashkisë dhe shoqërisë civile. Duket se eksperienca e tij tek “Mjafti” e ka bërë superior në adulterin e tij aventurior dhe mbështetja që ai ka nga qarqet anti-shqiptare po ja mesojnë mirë teknikat e manipulimit.

Loja e tij, e inskenuar nga dikush tjeter në fakt, po përpiqet të krijojë versionin “tallava” të drejtësisë përmes militantëve të tij.

Tashmë era e nevojës për pjesmarrje qytetare në reformimin e sistemit të drejtësisë po ndihet.

Kasta po perpiqet ta pararendë me raste banale si ai i protestës përpara Gjykatës apo rasti i të ashtuquajturit “referendum” për kryetar nga Partia Socialiste. Apo marrim rastin e referendumit të kërkuar nga PD-ja për shfuqizimin e vendimit për parkun e liqenit, ku me vetëdije të plotë mbi faktin që nuk ka ligj për referendum në shqipëri nuk propozon në parlament një ligj por merret me show ekranesh e banalitete propagandistike.

Në të dyja rastet nëse jemi të vëmendshëm morën pjesë militantët, me teser partie dhe jo të gjithë qytetarët.

Pikerisht ky është qëllimi që format e pjesëmarrjes qytetare në jetën politike të vendit të jenë gjithmonë nën kupolen e partive.

Nuk është aspak çudi kur shikojmë kryetarin e bashkisë të bëjë rolin e shoqërisë civile.

Versioni “tallava” i drejtësisë konsiston pikërisht në shpërqëndrimin, zvetnimin e rolit të institucioneve përmes përdorjes së militantëve, identifikimin e drejtësisë me pushtetin sepse vetëm kështu drejtësia do të mbetet siç ka qënë këto 25 vite, privilegj dhe në mëshirën e një pakice.

Loja e shëmtuar e kastës, nuk magjeps më shqiptarët, që asistojnë të pafuqishëm se si rudhen jo vetëm hapësirat e gjelbra por dhe të drejtat dhe kushtet e jetesës në vend.

Problemi i ndertimeve tek liqeni është vetëm maja e ajzbergut të qindra milionave eurove që zhvaten nga tentakulat e kastës në dëm të së mirës publike. Prandaj nëse ne mbesim thjeshtë në diskursin e ndertimeve të liqenit pa i hyrë problemit nën rrogoz thjeshtë do të bëjmë lojen e kastës.

Problemi është sistemik, i strukturuar dhe i mireorganizuar.

Duhet që përmes arsyes tonë të ngrihemi përtej banaliteti aktual pët ta kuptuar të keqen në gjenezë, në themel sepse aty qendrojnë edhe përbindëshat e mëdhenj, aty qendrojnë privilegjet si streha e përbashkët ku futin koken të gjithë eksponentët e klases politike sot.

Share: