Home KRYESORE Letër Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

Letër Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

Nga Hysen Haxhija

Isha në 38 vjetorin e ekzekutimit tuaj më 17 korrik 1977 në luginën e maleve të Librazhdit. Atje duke iu kujtuar lotët më rridhnin papushim, sot po plotësoj kohën që kaluam mbas pushkatimit tuaj. Përse?! Për ëndrrat e talentin tuaj, të cilat pa sharë dhe ofenduar asnjë qënie të gjallë, i hodhët në fletore. Për këtë ua morën jetën, ata që bashkë më Miladinin dhe Dushanin i stërviti kominterni i utopistëve francezë, ata që vrisnin qenie njerëzore vetëm se mendonin ndryshe nga ata, vrisnin ata që e donin Shqipërinë të lirë dhe të bashkuar.

Vilson vëlla, unë kur lexova dijet e tua të shkruara aq sinqerisht dhe me aq pasion, kur lexova ato përkthime nga kolosët e letërsië botërore në shqip, mu duk vetja i vogël, ngrita sytë nga qielli duke pyetur: pse more atë gjeni o zot dhe më le mua të gjallë të jetoj kohën e misionarve të atij sistemi që mori ato jetë dhe la maskat e pinjollëve të tyre për t’i bërë homazhe hipokrizie në emër të demokracise dhe pushtetit? Ju patët guximin të shkruanit atëherë sa i qërruat sytë atyre që iu kapën e iu bënin hetuesi, hetuesi me ndjenjat tuaja, me mendimet dhe ëndrrat që më pas do t’i vaditnin me gjak.

Si i pranoi toka trupat dhe shpirtrat tuaj? Si është e mundur që në shekullin XX të kishte mbi tokë të tilla bisha me fytyrë njeriu që, për fat të keq, i thërrisnin prokurorë, gjyqtarë të drejtsisë, ku në fakt ata ishin misionarë arkivolesh të ndjenjës njerëzore, të shpirtit demokrat, të lirisë së mendimit dhe të dashurisë për jetën? Si është e mundur që njerëz të tillë të firmosin vdekjen e rinisë dhe të intelektit të kombit të tyre, të atij intelekti që duhet t’i printe shoqërisë shqiptare? Në fakt sot janë po ata, po ajo pjellë e tyre që del në podium dhe salla akademikësh duke folur për lirinë, demokracinë, shkencën, ekonominë, ku gjysma e popullit vuan për bukën e gojës. Këtë kërkuat dhe ju atëherë, miq të mire, që ky vend mos kishte të varfër, të mos kishte të lënduar, të mos kishte të shfrytëzuar.

Vetëm një zot e di se si ju dhe bashkë me ju të gjithë ne, si shtresë e persekutuar, duruam ato dhimbje, duruam ato duke qenë të prangosur e të brengosur që atdheu kishte marrë drejtimin për nga humnera komuniste. Sot në jemi gjallë për të dëshmuar qëndresën tuaj ndaj torturave, ndaj personit dhe kërcënimit, për të dënuar deri në pikën e fundit të jetës ku ëndrrat do t’i vadisnin me gjak. Po jo vetëm ëndrrat. Duke iu vrarë juve u vra dhe shpirti i artistit, i shkrimtarit, i gjuhëtarit, shpirti që donte që liria të mos matej me metra katror po me qiell! Zhgënjimi dhe përplasja e duarve të tyre për Europën e bashkuar, ku për fat të keq si përfaqësues të vendit tonë janë po ata ose më saktë parimet e tyre, që në një sistem tjetër i kanë kthyer në ligje.

Ligje që vijnë me ca europianë dhe që këtij populli të traumatizuar ia shesin si konsultë me komisionin e e Venecias, por që në fakt e kanë zhytur vendin në mjerim dhe krim. Të gjithë këto 25 vite janë torturë që nuk durohet, torturë demokratike që jetën nuk po na e merr me plumb si ju, por dalë ngadalë, për të qënë dëshmitarë se fara e keqe ka mbetur thellë në këtë vend. Nuk dua të bëj moralistin, por unë i kam zili ata që humbën jetën në këneta, kanale dhe miniera dhe ju që u vratë nga plumbat e bishave të komunizmit. Ju kam zili sepse ju mbaruat ëndrrën shpejt, ndërsa ne vërtet nuk po vritemi vetë po shohim sesi zgjat vrasja e një ëndrre të një populli.

Kemi parë me sytë tanë se si janë shitur vajzat tona në Europë, në ato vende nga presim të marrim shembull humanizmi dhe drejtësie, kemi parë se si trupi dhe nderi i tyre vlen pak dollare. Kemi parë dhe po shohim madje më shumë se si prokurorë dhe gjyqtarë vrasin jo me plumba por me vendime, vrasin jo me urdhër por me seanca “demokratike”, ku kandari i drejtsisë është bërë më i frikshëm se arma e kallashnikovit. Kemi parë dhe po shohim sesi masakrohet një shoqëri, sesi masakrohet një gjuhë, një shpirt që në fakt ju e deshët aq shumë dhe jatë jetën. Vëllezër, ju nuk e dini ose e shihni dhe nuk na vini dot në ndihmë. Sa shumë na kanë lodhur dhe plakur duke na mashtruar, përçarë, madje këtë të fundit më mirë se paraardhësit e tyre. Na kanë bërë të shohim njëri -tjetrin si armiq deri te vëllai vëllanë. Po vëllezër ju u vratë për një ideal, për një ëndërr, për një sistem që nuk e deshët, ndërsa sot vritet vëllai me vëllain për një pëllëmbë tokë, për një vijë uji.

Kjo është demokracia që ne po jetojmë. Kjo në fakt është vdekja jonë për së gjalli. Sot nuk vriten për fjalë apo për poezi si ju, sot vritesh po kërkove pronat e tua, trashëgimëninë brez pas brezi, pasi prokurori apo gjyqtari zbaton ligjet nën kujdesin e rreptë të komisionit të Venecias. Sot ka shumë makina dhe këto i solli demokracia, por ata më shumë se fytyra e demokracisë janë kthyer në fytyrën e krimit, transportojnë tritol; ato më të bukurat mbajnë kriminelë Brenda, ato më të shtrenjtat të shtypin dhe në këtë rast qëllojnë vetëm fukarenjtë dhe aq më shumë që në mungesë të katilave që iu vranë juve, sot të detyrojnë të vetvritesh, të digjesh i gjallë në mes të kryeqytetit që kërkon të jetë pjesë e Europës.

Po po, besojeni si Lirak Bejko. Lartësitë e këtij vendi që duken luks demokracie janë kthyer në trekëndësha të vdekjes në podium ku poshtë atij luksi qëndron arkivoli i njerzëve të zhytur në dëshpërim. Varfëria dhe problemet sociale po shkatërrojnë familjet, ligji antikombëtar i pronës i miratuar me konsensusin e famshëm PD-PS, ligji 7501, jo vetëm po vret njerëz, po pronën tonë të shenjtë po e degdisin kanaleve të grekëve dhe serbëve. Njerëz anonimë me interesa të shitura janë sot pronarët e pronave të shqiptarëve. Vëllezer ju nuk i keni kaluar këto mynxyra të post komunizmit europian. Ata na kanë lënë pa fshat, pa atdhe, pa varret e të parëve tanë. Kemi 4000 vëllezër të vrarë nga 1943-1944, por më makabria kriminelët që vrisnin pa gjyqe jo vetëm që nuk janë penduar, jo vetëm që nuk kanë kërkuar falje, por nuk tregojnë as groposjet për të qarë kockat e atyre që në shumicën e rasteve i kanë bërë grabitqarë mbi sipërfaqen e tokës.

Ju ndoshta nuk e besoni, po edhe të vdekur na urrejnë, u dhembin sytë, duhan të na mohojnë jo vetëm gjenezën tonë, por dhe atë që donim të sillnim në këtë vend. Por jo vetëm kaq. Ligji 7501 është ndryshuar deri tani 18. Jo për ne jo, popër interesat e tyre. Së fundmi nxorën një tjetër ligj që edhe pse ke pasur sipërfaqe të mëdha toke të trashëguar, këta të dëmshpërblejnë vetëm më 300 m2. Qesharakja me çmimin e vitit 1945 jo me flori si e kanë blerë të parët tanë, po me letër. Mashtrimi i madh jo vetëm për ne, por edhe për ekspertët e Europës që po e gjejën gjuhën me këtë popull që deshën ta linin pa komb dhe pa atdhe; edhe atje ka pinjollë, ka trashëgimtarë bishash, mashtrues të korruptuar, vrasës, hipokritë, por për fat të keq të gjithë kanë qëlluar konsulentët tanë, ekspertët e këtij vendi që po kërkon të futet ne familjen europiane. Këtu po vdes shpresa, këtu edhe ata që dijnë heshtin, këtu dhe ata që shohin padrejtësi nuk guxojnë.

Mjerë ne çfarë po shohim. Ju guxuat dhe patët kurajon të demaskonit sistemin me fjalë dhe ato qenë më të rënda dhe më të forta se plumbat që ata derdhën në trupat tuaj. Tani nuk ka vëllezër të asaj bote. Po ju shkruaj sot jo për t’u kujtuar juve, ju nuk do të harroheni kurrë nga njerëzit kuptohet se nga pushteti nuk japim garanci. Jo jo, mos ma merrni për keq këtë letër. Po ju shkruaj sot për t’u thënë se kemi nevojë për këshillën tuaj, se nuk dimë çfarë të bëjmë. Të jetojmë duke ju kujtuar ju apo të vdesin për të mos parë se si po vazhdon ekzekutimi i ëndrrës suaj për një tjetër jetë me liri dhe demokraci. Sot mund t’u themi që ne nuk e harrojmë kurrë vepren tuaj, madje ajo po na jep forcë të jetojmë me shpresën se kur te vijmë aty tek ju tu themi se ëndrra juaj nuk është më e tillë, ajo është realitet. Ndaj kemi frikë të vijmë dhe jo se na dhimset jeta.

E vetmja gjë që mund të bëjmë të themi ty Genc e ty Vilson se janë të mallkuar ata që iu dërguan para plumbit. Ata që iu qëlluan dhe që menduan se gjaku juaj do të pushonte shpejt së ekzistuari, ne na ka mbetur në fakt vetëm mallkimi. Mos na i vini re se kaq kemi në dorë. Sot nuk na vrasin si juve. Sot ka metoda të tjera, ka fjalë të tjera. Sot po na vrasin jo në emër të internimit, të dënimit, të burgosjes. Jo jo. Kemi fjalën e bukur tani demokratike, vrasje në emër të integrimit dhe për këtë po kujdeset Europa që heshti kur ju vranë ju.

Share: