Home KRYESORE Gënjeshtrat dhe të vërtetat e Gushtit politik që po vjen

Gënjeshtrat dhe të vërtetat e Gushtit politik që po vjen

Nga Artur Zheji

E vërtetë, Rama dhe Meta, janë bashkë vetëm për arësye taktike dhe sepse për të dyja palët, ashtu si edhe në një divorc, ku mbas ndarjes, duhet ndarë shtëpia, orenditë dhe fiset, ka një stepje dhe një përllogaritje të dëmit dhe të përfitimit.

Është e gënjeshtërt, që kjo ndarje të mund të parashikohet saktësisht sekur do të ndodhë në qiell të hapur.

Qeveria Rama-Meta, është tashmë, si një makinë në oficinë, që mekanikët duhet ta ndajnë në pjesë, dhe pjesët e marra nga makina që shpërbëhet, ti integrojnë në një makinë të re politike.

Është e vërtetë, politikanët e kanë marrë vendimin e tyre, që sot ose nesër do të jenë përballë, dhe jo më në krah të njeri tjetrit. Por po mendohen të zgjidhin tre pikëpyetje krysore:

E para, kush do të ketë më shumë avantazhe më pas?

E dytë, cila është rrugëdalja dhe rrugëtimi më i leverdisshëm, kur të fillojë të jetohet e nesërmja e Carjes së Madhe?!

E treta, cilat janë shanset më të mëdha për të gjunjëzuar përfundimisht kundërshtarin.

Është e gënjeshtërt, kjo qetësi përpara stuhisë.

Palët, ose më saktë Rama dhe Meta, janë shumë të qartë për një tre gjëra kryesore:

E para, Rama, pasi u bë kryeministër, dhe mund të bëhej kryeministër vetëm me votat e Metës, e sheh qartë, se tani vetë Meta është pengesa, për fazën tjetër më kulmore të karrierës së tij.

Një karrierë kryeministrore, që Rama, e parasheh si:

a. Lideri i vetëm i të Majtës. Pra pa Ilir Metën rrotull, në krah, përpara ose pas.

b. Realizmi i të paktën 3 mandateve qeverisëse me kryeministër veten e tij. Si e vtemja mënyrë, për tu ngopur plotësisht nga politika dhe kënaqësia e e vecantë që jep, të drejtuarit me dorë të fortë dhe të patrazuar dot nga askush të vendit.

E dyta, Meta është i qëndrueshëm, luftarak dhe nuk nënshtrohet dhe nuk shndërrohet asnjëherë dot, në patericën e përjetshme, që të mbajë në këmbë, një qeveri të përjetshme Rama.

Meta, e ka shumë të qartë dhe e ka të lexuar me gërma të mëdha, se aleati i vet, në këto tre vite, ka shfrytëzuar me mjeshtëri pushtetin:

a. Për tu superfuqizuar si politikan dhe si një zë i vetëm në PS. Me aleanca ekonomike të reja dhe me rritje të influencës së vet personale.

b. Se ai, Ilir Meta, është pengesa e “tejkalimit të masës”, që është edhe pasioni më i përzgjedhur pushtetdashës i kryeministrit tonë.

c. Se ai, Ilir Meta, e ka tashmë krejt të qartë, se ka qenë dhe është në rrezik real, nga bashkëjetesa me Ramën. Sepse aleati, miku dhe armiku, Rama, nuk rresht së punuari, për shkatërrimin e tij politik. Se “pastrimin e rrugës” së 10 vjecarit të ardhshëm, të sundimit “Edi Rama i Parë”, nga miku-aleati i djeshëm, është pengesa më e madhe e tija e sotme.

Që do të thotë me fjalë të tjera, se Rama, e ka objektiv shkatrrimin politik të Metës.

Mjafton të kujtojmë se “armiqtë” historikë të Metës, janë sot në një lulëzim të plotë dhe të favorizuarit ekonomikë numër Një, nga mbështetja e qeverisë Rama.

Është e vërtetë, që Rama, është një Hap përpara Metës në këtë drejtim.

Mbipushteti kryeministror, aftësia sistematike e përllogaritjeve dhe përdorimi i pushtetit, me “guxim” dhe dorë të lehtë, për të bërë ndere të mëdha dhe për të grupuar rreth vetes një oligarki financiare të fuqishme, i jep përparësi të mëdha kryeministrit.

Gjithashtu, kryeminstri ka në favor, gjëndjen e trullosur të një Opozite, që ende nuk e ka marrë veten nga humbja e vitit 2013 dhe që ka të paktën 3 probleme kryesore:

a. Një lider të Opozitës, që nuk është në Kuvendin e Shqipërisë, ku betejat politike dhe verbalke janë shumë më të lexueshme dhe më të qënësishme për opinionin publik.

b. Një mungesë reale reformizmi të PD.

c. Prania e disa “sheikëve” që e kanë si strehë dhe jo si llogore politike Partinë Demokratike. Si edhe prania e disa të tjerëve, që mbijetesën e tyre e nxjerrin duke “konspiruar” kundër Lulëzim Bashës.

Meta, nga ana e tij, ka edhe ai të paktën tre aleatë në betejën e pritshme me Ramën.

E para, situata ekonomike e rënduar dhe mosmbajtja dot, e premtimeve elektorale nga ana e kryeminsitrit.

E dyta, treguesit statistikorë, tashmë historikë, që dëshmojnë se, elektorati shqiptar, është ndarë në 3 pjesë kryesore të qëndrueshme.

Simbas një skeme që shkon 40%+40%, dy partitë e mëdha, dhe një 20% i qëndrueshëm i LSI.

Pra Meta, ka gjithmonë në dorë, bërjen dhe shbërjen e qeverive. Ka një elektorat besnik, mirënjohës dhe të “skeduar”, i cili, ndryshe nga të dy partitë e “mëdha”, e njeh, e prek, jep votë dhe merr mirënjohje e përkujdesje direkte, nga kryetari i vet.

E treta, Meta, si edhe u pa, në rastin e përplasjeve për Reformën, cliron më shumë energji dhe karizëm, në “luftë” se sa në paqe.

Thënë të gjitha këto, konflikti Rama-Meta, është e vërtetë të thuhet, nuk sjell asgjë të mirë për Shqipërinë, por nga ana tjetër, zvoglon rrezikun e një ëndre të përcartur, për një pushtet absolut, të një personi të vetëm./360grade.al

Share: