Home KRYESORE Kur do ecësh vetë Ben Blushi?

Kur do ecësh vetë Ben Blushi?

Nga Çim Peka

Ku është futur Ben Blushi, këto kohë kur lufta politike majtas, djathtas, brenda e jashtë partive është bërë “bombë e flamur”? Pyesin të gjithë të habitur dhe kalkulojnë të gjitha variantet e kësaj heshtje të “çuditshme”. Disa thonë se është mbyllur për të shkruar romanin e tij të radhës ku përshkruhet beteja e tij “epike” me Ramën, për të shpëtuar të majtën dhe Partinë Socialiste të vërtetë nga kthetrat e “Rilindjes”.

Të tjerë hedhin variantin se ai po pret si do shkojë sherri brenda koalicionit, do të bjerë Rama, apo do të rilind si Kryeministër dhe sipas asaj që do ndodhë, pritet të vendosë, do ta krijojë partinë e tij në shtator apo jo. Ka edhe variante të tjera, por më i besueshmi është ai që Blushit i është hedhur së fundmi nga Rama, jo më një kockë, se ato nuk denjon ai t’i kafshojë, por gjithë gjëja e gjallë, pra i është ofruar PS-ja vetë. Për të paraqitur këtë ofertë që ka vlerë për kohën e ardhshme dëshirore të pakryer, Rama duket se ka ngarkuar “mikun e përbashkët” dhe armikun e Erion Veliajt, ministrin Sajmir Tahirin. Edhe pse për mediat me shijet e Endri Fugës ka tërhequr vëmendjen Saimir Tahiri si “motorist”, lajmi është Saimir Tahiri si “shkues” dhe takimet e shpeshta jashtë vëmendjes së publikut me Ben Blushin. Edi Rama, paralelisht me synimin e përçarjes së PD dhe demonizimin e LSI, aktualisht të gjitha investimet e tij i ka drejtuar brenda Partisë Socialiste. Ai po kalkulon deri në detaje të ardhmen e tij politike dhe po punon për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për këtë i duhet së pari, unitet brenda socialistëve. Ben Blushi me tezat e tij faktikisht i prish shumë punë në rrethanat e reja politike brenda mazhorancës, prandaj Edi Rama duket se ka vënë në zbatim një plan që deri në zgjedhjet e vitit tjetër, ta bëjë atë të paktën të heshtë. Dhe mund të themi se ja ka arritur. Por cila është oferta që ka kafshuar Blushi ndoshta me naivitet, por me më shumë gjasa me dëshirë? Edhe pse vetë nuk e beson, Rama ka shpërndarë në rrethin e tij të ngushtë dhe më pas me mjeshtëri edhe në media, “legjendën” e pasardhësit të tij në krye të Partisë Socialiste, nëse humbet zgjedhjet e vitit që vijnë ose të parakohshmet. Paralelisht me këtë, ai nuk lë rast pa përmendur se së shpejti do të nisë “një jetë të tretë”, pra do të braktisë politikën dhe do t’i kushtohet pikturës dhe librave. Dy janë të përzgjedhurit; Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri. Për ta bërë sa më të besueshme këtë “legjendë urbane”, Rama është kujdesur që sidomos kohët e fundit, në media të flitet për një luftë protagonizmi brenda PS mes këtyre të dyve.

Ky është edhe grepi që duket se Ben Blushi e ka kafshuar me dëshirë të plotë. Me shumë gjasa Tahiri i ka kërkuar mikut të tij që betejën brenda Partisë Socialiste kundër Erion Veliajt, ta bëjnë së bashku pasi i vetëm nuk e mund dot. Dhe nëse e fitojnë, Blushi të jetë pasardhësi i Ramës në opozitë. A e beson Ben Blushi “shkuesin” e Edi Ramës? Sigurisht që jo, por i shijon si “ushqim” i servirur në drekat e shpeshta me Saimir Tahirin pasi vet duket krejt i painteresuar dhe i paaftë t’i shkojë një lëvizje politike deri në fund. Të paktën me këtë variant siguron edhe një herë mandatin e deputetit si një socialist ndryshe, që “rilindasit” e Ramës e mirëkuptojnë.

Ndryshe nuk shpjegohet fakti që kur të gjithë heshtin për problematikat e qeverisë së “Rilindjes” Blushi flet, dhe kur të gjithë ulërasin për dështimin e kësaj qeverisje, Blushi hesht. Kohë më parë thoshte se po votonte ligjet e “Rilindjes” duke zënë hundët. Sot as këtë nuk e thotë. Madje u tregua i gatshëm të votonte edhe pa konsensus njëlloj si deputetet socialistë që deri dje i akuzonte për trafikantë dhe kriminelë. Dhe pa “zënë hundët”. Duke bashkuar votat pa asnjë kusht dhe asnjë brengë me “aromën e krimit” që Edi Rama i “Rilindjes” kishte futur në grupin socialist. Dhe ky nuk është më një konstatim “jetim”. Këtë e tregon edhe mosinteresimi i reporterëve të terrenit ndaj “lajmsit” dhe kur nuk ka lajm, Ben Blushi. Nga “star” dhe “gjah” për mediat, sot thjesht nuk ekziston. Që deputeti Peza të kishte një adhurim të fshehtë për Ben Blushin dhe ta ndiqte në hapat e tij edhe si shkrimtar mirëkuptohej, por që Ben Blushi të kthehet sërish në “pseudonim” i “Koha Jonë” për të thënë ndonjë fjalë tek-tuk kundër Edi Ramës, të paktën deri javën e kaluar nuk mendohej. Si përfundim, duket se socialistët mund të kenë humbur një luftëtar simpatik kundër “Rilindjes”, por Nikoll Lesi do të fitojë një editorialist brilant, edhe pse ndoshta me pseudonim …/SYRI.net/

Share: