Home KRYESORE Replika e Lavderim Lita me Nebil Cika, Armand Maho dhe Herion Mesi

Replika e Lavderim Lita me Nebil Cika, Armand Maho dhe Herion Mesi

I dashur Nebil Cika, Armand Maho dhe Eri Herion Mesi,

Të dashur kolegë,

Lexova me kujdes shkrimet dhe replikat tuaja online në lidhje me vizitën e kreut të Partisë Demokratike,z. Lulzim Basha në konventën amerikane të partisë Demokratike (krahu liberal) dhe dyshimet se kjo vizitë është siguruar nga Xhorxh Soros, multimilioner dhe ndikues në proceset e tranzicionit të demokracive të reja. PD duhet të ndjehet e nderuar për ftesën për pjesëmarrje sepse është konfirmim i ndjekjes së vijës euroatlantike. Nuk dua të futem në debatin se kush e ka bërë ftesën sepse më mjafton komunikimi zyrtar i NDI amerikane, që ka ftuar përvec Bashës edhe disa eksponentë të tjerë shqiptarë, për të cilët ata mendojnë se përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë politike në këtë shfaqje të ushtrimit të demokracisë amerikane. Për mua këtu mbyllet cështja e ftesës.

Tjetër.

I dashur Nebil dua të të kujtojn se e majta amerikane nuk është njëlloj sic është e majta europiane, që është më shumë një e majtë soc-komuniste. Madje, mund të thuhet se liberalët amerikanë nuk janë fare socialistë nga ana ideologjike.

Ndjekja e zgjedhjeve në SHBA, në perandorinë e fundit të historisë, është një domosdoshmëri për një vend të vogël si Shqipëria, që të vetmit aleat strategjik në arenën ndërkombëtare ka pasur SHBA-të. Dhe po të kisha të drejtë vote në Amerikë do të votoja, padyshim Hillari Klinton për një sërë arësyesh.

Në radhë të parë për historinë e familjes së saj, për clirimin e Kosovës, mbështetjen e pavarësisë së saj dhe antarësimin e Shqiperise në NATO. Në radhë të dytë, në fjalimin e znj. Klinton në Tiranë në nëntor të 2012, në 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar, ajo tha se SHBA do të jetë bashkë me Shqipërinë edhe për një gjysmë mijëvjecari. Pra, me Hillarin si president të SHBA kemi një garanci më shumë në Shtëpinë e Bardhë. Apo jo?

Së treti, në mandatin e parë dhe të dytë të presidentit Obama, lobi serb i Cikagos i përfaqësuar nga ish shefi I kabinetit të Obamës, Rahm Emmanuel, bëri shumë presione që cështja shqiptare dhe agjenda jonë kombëtare të pësonte një devijim në një binar të vdekur. Dhe shpresoj shumë që ky lobim të humbë fuqinë e saj reale në nëntor të këtij viti.

Padyshim, me Trump si president të SHBA, ne si shqiptarë nuk kemi asnjë interes konkret, përvecse simpatisë që është amerikan konservator që ia dalë në jetë. Madje, kandidati për president Trump ka si këshilltarë të politikës jashtme njerëz që kanë lobuar kundër pavarësisë së Kosovës, qoftë me fjalë e qoftë me vepra.

Këto janë disa arsye që mendoj që shqiptarët duhet të votojnë për Hillari Klinton. Dhe besoj kaq mjaftojnë.

I juaji,

Lavdrim Lita

Share: