Home KRYESORE Zgjidhja e ngërçit të pronave në Himarë, një histori që duket se...

Zgjidhja e ngërçit të pronave në Himarë, një histori që duket se nuk do përfundojë kurrë!

Në pjesën e bregdetit të Bashkisë së Himarës, ose në territorin e vjetër të kësaj njësie të qeverisjes vendore, procesi i regjistrimit të tokave ka qenë gjithnjë problematik dhe i vonuar. Në 25 vite tranzicion, ekspertët e fushës kanë etiketuar gjithnjë një zonë problematike të pamenaxhueshme, duke bërë që nismat e mëparshme për t’i dhënë zgjidhje problemit të dështonin. Në mars 2015, Bashkia e Himarës në bashkëpunim me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nisën zbatimin e një projekti pilot në fshatin Dhërmi.

Në procesin e ndarjes së tokave bujqësore, në bregdetin e Himarës është respektuar ligji 7501. Por, në një pjesë të fshatrave, në fillim të viteve ‘90-të, kur nisi procesi i ndarjes së tokave, ligji 7501 u trajtua në funksion të pronave të vjetra.

Nga ana tjetër, ka edhe banorë autoktonë që nuk kanë pasur prona të trashëguara, por kanë përfituar përmes ligjit 7501. Edhe ata kanë çështje gjyqësore të hapura me persona që pretendojnë për pronësi, sipas hartave të vjetra të para vitit 1946.

Ndërkohë, shoqata “Bregdeti”, prej vitesh kërkon që për shkak të specifikave të veçanta, në Himarë tokat të ndahet sipas hartave të vjetra dhe secili të marrë pronën e trashëguar nga paraardhësit. Dhe, aktualisht, tabloja e pronësisë mbi tokën në të gjitha fshatrat e Himarës, është e larmishme e mbushur edhe me konflikte gjyqësore.

Ky realitet ka krijuar edhe ngërçin ligjor që reflektohet tek pamundësia e zbatimit të procesit të regjistrimit të tokave.

Në fakt, për t’i dhënë zgjidhje procesit të regjistrimit është provuar me një përpjekje në vitin 1996, me një projekt të financuar nga USAID. Projekt u zbatua në fshatin Qeparo, por më pas u ndërpre. Katër vite më vonë, Bashkia e Himarës e kundërshtoi vazhdimin e tij, duke e argumentuar këtë qëndrim me problemet e pazgjidhura të pronës. Tentativa e fundit ishte 4 vite më parë me një projekt të financuar nga OSBE, i cili kishte për qëllim ndërtimin e një harte të problematikës së pronës në zonë.

Në mars 2015, nisi një tjetër projekt i përbashkët i Bashkisë Himarë me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme, Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut. Por edhe ai hasi shumë probleme për shkak mungesës së dokumentacionit, largimit të banorëve në emigracion, si edhe çështje që lidhen me mënyrën se si është ndarë toka. Komisionet e mëparshme të ndarjes së tokës kanë marrë vendime të cilat, në një masë të konsiderueshme kanë krijuar edhe konflikte të ndryshme, të cilat tani janë shndërruar në pengesa për realizimin e procesit të regjistrimit/360grade.al

Share: