Home KRYESORE A po përpiqet Trumpi të ndërtojë një perandori mediatike?

A po përpiqet Trumpi të ndërtojë një perandori mediatike?

Nëse keni menduar se fushata e vjetër e Trumpit ishte i çmendur, shkruan Eugene Robinson në Uashington Post, vetëm prisni sa të shihni të renë. Kandidati republikan për president, me sa duket po ndjehej “i futur në kafaz” dhe i “kontrolluar” nga disa prej njerëzve që kishte përreth, e që në fakt dinin diçka në lidhje me politikën. Kështu, Trumpi javën e kaluar zbriti në detyrë kryetarin e fushatës së tij, Paul Manafort (i cili gjithësesi po përballej me pyetje të vështira, për lidhjet financiare me liderin e rrëzuar të Ukrainës, Viktor Janukoviç, dhe më pas dha dorëheqjen nga ekipi i Trumpit). Në “sediljen e parë” tashmë është një njeri i quajtur Stephen Bannon, i cili është i sigurt që “jo vetëm ta lërë Trumpin të jetë Trumpi, por edhe ta nxisë atë që të jetë edhe më Trump”. Bannon ka të tijën Breitbart Neës, një faqe interneti e ashpër e krahut të djathtë, dhe është një “provokator me përvojë” dhe propagandist: themeluesi i ndjerë i faqes, Andrew Breitbart, një herë e përshkroi atë, plot admirim, si “Leni Riefenstahlin e lëvizjes Tea Party”.

Me mbështetjen në sondazhe që po i bie me shpejtësi, Trumpi “kishte nevojë për të bërë një ndryshim”, shkruan Olivia Nuzzi në The Daily Beast. Dhe i papërmbajtshmi Bannon – një ish oficer i marinës dhe bankier i Goldman Sachs, i cili ka pasur edhe aventurat e tij në në Hollywood – është një njeri shumë i përshtatur me “kallëpin” e Trumpit. Megjithatë, Bannon nuk ka drejtuar një fushatë politike, kështu që mbetet për t’u parë nëse ai do të mund të bëjë ndonjë gjë për të përmirësuar perspektivën e Trumpit, në zgjedhjet e përgjithshme.

Teoria që po qarkullon është se ky riorganizim fushate nuk ka lidhje me fitimin e zgjedhjeve, shkruan John Cassidy në The New Yorker. Përkundrazi, është një “lojë biznesi”: Trumpi është “duke hedhur bazat për një perandori mediatike të re konservatore”, për të sfiduar Fox News, rrjetin kabllor të lajmeve, themeluar nga Rupert Murdoch dhe Roger Ailes. Trumpi duket se ndjen keqardhje që fushata e tij ka sjellë kaq shumë rritje të ndjekësve për shumë organizata lajmesh, dhe dëshiron që të hyjë vetë në veprim. Kjo ide duket se është shumë bindëse, shkruan Levi Tillemann dhe Julian E. Zelizer në Los Angeles Times.

Trumpi ka lënë të kuptohet edhe më parë, se Amerika ka nevojë për një rrjet të ri, dhe është përplasur me Fox News. Me ndihmën e Bannon dhe Ailes – i cili u largua së fundmi nga Fox News mbi akuzat për ngacmime seksuale dhe tani është këshilltar i Trumpit para debateve presidenciale të muajit të ardhshëm – ai është në pozicion të mirë, për të shkundur establishmentin e mediave konservatore, ashtu sikurse shkundi edhe Partinë Republikane. Ne kemi parë hotelet Trump, Universitetin Trump dhe verën Trump. “E ka radhën TV Trump”. /bota.al

Share: