Home KRYESORE Alfred Lela: Per Bashen qeveria Rama-Meta, nuk ka më dy gjysma të...

Alfred Lela: Per Bashen qeveria Rama-Meta, nuk ka më dy gjysma të së njëjtës së keqe!

Nga Alfred Lela

Në një intervistë për kolegen e ABC News, Moza Koçiu, shefi i opozitës Lulzim Basha, ka përforcuar idenë që duket se do të jetë beteja e tretë e madhe e ‘shatorres’ së tij politike, pas dekriminalizimit dhe reformës në drejtësi. Pikërisht qeveria teknike. Pavarësisht skeptikëve, si jashtë ashtu dhe brenda kampit të tij, z. Basha duket i vendosur për të vazhduar me këtë betejë. Fitorja e së cilës duhet thënë do ta kthente atë në ‘një betejë sa një luftë’.

Për t’ia arritur këtij triumfi Bashës i nevojiten disa gjëra. Më shumë se këmbëngulja e tij dhe e ndjekësve, vlejnë, në çdo rast, aleancat. Se ku, kur, dhe kujt do t’ia kërkojë këto aleanca meriton një përgjigje aspak befasuese: në të gjithë vendet e pritshme, te të gjithë aktorët e dukshëm, pa hezitim.

Duke filluar, paradoksalisht në dukje, nga Ilir Meta, kryetar i Kuvendit dhe i LSI. I anatemuar deri në kërdisje nga vetë Basha, z. Meta ka fituar përgjatë dy muajve të fundit forcën e butësisë së një mallëngjimi në mjediset demokrate. Fakti që ‘besohet’ te Meta, nuk ka të bëjë dhe aq me Metën vetë se sa me idenë akomoduese të pushtetit në horizont.

Z. Basha në intervistën për ABC e ka çmuar rolin prej ‘konsensualisti patriot’ të Metës duke lëshuar në adresë të tij edhe një kinse kritikë, që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse një ftesë. Shefi i opozitës ka folur për ‘mëkatin’ e Metës që ka të bëjë me mbajtjen në këmbë të një qeveri të korruptuar. Vini re se nuk ka më një qeveri Rama-Meta, nuk ka më dy gjysma të së njëjtës së keqe, nuk ka më një dikotomi sunduese. Në imagologjinë opozitare sundon tashmë i vetëm, demoniak, i mbrapshtë, i paarsyeshëm, uzurpator, konfliktual, Edi Rama. Dhe, siç shkon slogani i ri opozitar, “Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën”.

Të mos harrojmë: ky proces nxirjeje i z. Rama është në të njëjtën kohë zbardhje e figurës së Ilir Metës. Politikisht kjo është taktika më me vend e Lulzim Bashës. Pa ‘faktorin Meta’, pushteti i tij dhe i PD, duhet të presë vitin 2021. Me të pushteti, teorikisht, mbërrin që vitin tjetër. Gjasat e një qeverie Basha-Meta  janë si xhirimet e filmit Heat 2: vetëm se në dyshen Paçino-de Niro, mungon ky i fundit (Berisha) zëvendësuar nga më riu dhe më trendi Christian Bale (Basha).

Të pashmangshëm pas Metës mbeten një trio të djathtësh të cilët i ka ndërkohë në aleancë, por një saktësim i termave të bashkëpunimit do të qartësonte lidershipin e Bashës dhe tonin e aktivitetit të tyre. Agron Duka, Fatmir Mediu dhe Nard Ndoka, përfaqësues të tri partive afër PD, përbëjnë një pol, sa interesant aq edhe të paeksploruar, të paktën në rastin e PAA. Agron Duka mund t’i nënshkruajë PD-së një kontratë afatgjatë me fshatin shqiptar, mbështetur këtë radhë jo në premtime të pambajtura, por në ide, kapacitete dhe ambicie që Partia Agrare Ambientaliste nën lidershipin e ri, duket se i ka. Luajaliteti i z. Duka, sigurisht ka peshën e vet; edhe për faktin se tradhtitë dhe bishtpërdredhjet janë bërë rutina e politikës së ditës.

Çuditërisht, Basha ka zgjedhur një taktikë të dyshimtë (të paktën për këtë editorialist) duke ndenjur në zyrë për treshen e lartpërmendur, apo faktorë të tjerë, dhe duke dalë prej saj për Kreshnik Spahiun, kreun e AKZ, e cila nisi si lëvizje, mëtoi të kthehej në parti për të përfunduar aty ku është: një gjest hermafrodit diku me kënasë dhe brilantinës. Se si kryetari i ri i një prej dy forcave kryesore politike në Shqipëri, edhe pse konservator, mendon se mund të joshë të rinjtë me dikë një dekadë më të vjetër se vetja, thyen çdo rekord në kureshtje. Të rinjtë reagojnë ndaj mesazhit dhe imazhit, jo individit. Të cilit i lejohet vetëm një stinë populizmi. Kreshnik Spahiu e ka konsumuar të tijën.

A kanë shkuar ndërkohë aq larg Bamir Topi dhe Shpëtim Idrizi sa një ‘bri lufte’ të mos i ftonte edhe ata në betejë? Hamendja e parë të çon te fakti se me Metën në bord ata nuk i duhen, por legjitimitetit i hyjnë në punë. Partia e z. Topi do krijonte një tretësirë të djathtë për një LSI që megjithëse nuk është e majtë në kuptimin klasik (është vektor pushteti, jo ideologjie) i trazon rropullitë e atyre që nuk e deshën Metën herën e parë dhe s’kanë si ta durojnë të dytën. FRD është dënuar me më pak se sa meritonte në zgjedhjet e fundit, ndërsa PDIU blatuar me më shumë se pesha e vet. Një ekuilibër i të dyjave mund të ishte fryma e paktit të ri me ta.

Një leksion që z. Basha nuk mund t’ia shmangë historisë politike të opozitave dhe të z. Berisha janë paktet me liberalët, ose hapjet e mëdha. Sa herë fitorja e së djathtës ka nuhatur kohën e vet, Sali Berisha e ka hapur partinë. Zgjedhjet e 2005 janë shembulli më i qartë. Liberalët nuk janë të organizuar në një parti apo grup, por ndoshta te ky mosorganizim qëndron forca e joshjes së tyre.

Sigurisht, është edhe Gjergj Bojaxhi me ‘Ne, Shqipëria’ dhe, si gjithmonë, Spartak Ngjela, politikan nomad pa parti. I pari herë zhytet e herë ngre krye mbi valët e asaj që njihet si profil publik, ndoshta ende i pasigurt për zgjedhjet, por një zgjidhje duhet ta bëjë: politika nuk është zeja që ushtrohet me kohë të pjesshme.

Këto nuk janë këshilla apo guida për shefin e opozitës. Thjesht qëmtime të asaj që, duket ose jo, në qendër dhe në periferi të politikës. Kombinimi i tyre do të ofronte pushtetin, por kur e kërkon nëpërmjet një qeverie teknike, do të mundësonte kohezionin e kushtit. Kushtet e të vetmuarit mund të lexohen edhe si nevoja apo dëshira. Për të mos thënë dëshpërim.

Bashës, nesër në betejë, i duhet të mendojë për të gjithë.

Share: