Home KRYESORE Bikini kundër hixhabit (mbuleses se gruas)

Bikini kundër hixhabit (mbuleses se gruas)

Nga Capajev Gjokutaj

Bikini kundër hixhabit. Nuk është montazh, por foto e bërë gjatë ndeshjes Gjermani – Egjypt, zhvilluar pardje në Rio. Ka ngjallur shumë diskutime, jo vetëm në rrjet por edhe në disa media prestigjoze.

Disa shohin në të dallime të papajtueshme dhe ndeshje civilizimesh. Të tjerë zbulojnë të kundërtën: forcën përbashkuese të sportit.

Shihni volejbollin dhe jo trupin e femrës si objekt seksi, thumbon njera. Ideal i lashtë i lojrave olimpike, replikon tjetra, ka qenë dhe mbetet trupi njerzor; pse duhet ta mbulojmë kur është mishërim bukurie dhe burim krenarie?

Kjo larmi qendrimesh të kundërta më shtyn të dyzoj: përmbajtja e një fotoje, një ngjarjeje, një zakoni etj. përcaktohet nga brendia e tyre apo nga ajo që kemi ne në kokë? Duhet të përqëndrohemi tek ajo që na afron apo tek ajo që na ndan?

Eshtë kundër logjikës së këtij sporti (volejboll në rërë) të vishesh rëndë. Eshtë kundër idealeve të lojrave Olimpike të fshehësh bukurinë trupore.

Eshtë jo humane ta shohësh trupin e gruas si burim ngasjeje dhe dëshirash djallëzore, si diçka që do mbuluar për të na larguar nga e keqja.

Burka, hixhabi, ferexheja etj. nuk shërbejnë për të mbuluar trupin djallëzor të femrës. Në fakt, në fakt ato fshehin dobesinë, pasiguritë dhe frikërat e burrit patriarkal.

E megjithatë është më mirë ta pranojmë tjetrin, atë matanë rjetës, ashtu siç është, të komunikojmë dhe bashkepunojmë me të, se sa ta përçmojmë, perjashtojmë apo, larg qoftë, të përgjakemi në emër të feve dhe civilizimeve.

Rastet e regresit fetar dhe kulturor në Egjypt, Turqi e gjetkë dëshmojnë se shekullarizmi dhe moderniteti duhet te zhvillohen natyrshëm në gjirin e një shoqërie dhe jo te imponohen, qoftë edhe me qëllime progresive.

Bota është shumë e ndërlikuar dhe nuk e formësojmë dot si loder plasteline, për të realizuar dëshirat tona ideale. Në të kundërt rrezikojmë të luftojmë me mullinjtë e erës. Dhe ta pësojmë si Sojliu i Mançës.

Share: