Home KRYESORE Rama u ripremton dibranëve premtimin për Rrugën e Arbërit por mandatit të...

Rama u ripremton dibranëve premtimin për Rrugën e Arbërit por mandatit të tij po i vjen fundi

Reagim i Grupit të Lobimit në lidhje me komentin e Edi Ramës për Rrugën e Arbërit në prezantimin në Peshkopi të kandidatit socialist për bashkinë e Dibrës

Grupi i Lobimit për Rrugën e Arbërit ndoqi me interesim të veçantë vizitën dhe fjalën e Kryeministrit Edi Rama në takimin prezantues të kandidatit të së majtës për drejtimin e Bashkisë së Peshkopisë dhe anëtarëve të tjerë të koalicionit.

Ne vëmë re me shqetësim se politikanët akome nuk kanë mësuar të flasin me programe dhe në bazë të premtimeve, por sipas interesave të tyre të momentit.

Ne mendojmë se Kryeministrit do t’i shërbente më mirë heshtja rreth kësaj çështje. Duke folur dhe duke ripremtuar, ai i është bashkuar armatës së madhe të politikanëve majtas e djathtas, deputetëve, ministrave e kryeministrave paraardhës, duke dëshmuar kështu se, rreth Dibrës, askush nuk ka folur e punuar seriozisht deri më tani.

Edi Rama ka premtuar në fushatën e kaluar se Rruga e Arbërit është një nga prioritetet e kësaj qeveria dhe në programin e saj, zhvillimi i infrastrukturës në vend nis nga kjo rrugë.

Premtimi se ai nuk largohet nga posti pa mbaruar Rrugën e Arbërit është i papranueshëm për ne. Ne nuk na intereson se kush është kryeministër kur rruga të ndërtohet, por se cili kryeministër e çon procesin përpara.

Edi Rama u ripremton dibranëve premtimin për Rrugën e Arbërit ndërsa mandatit të tij po i vjen fundi. Rama ka një tabor këshilltarësh, mes tyre edhe dibranë, por me sa duket asnjëri prej tyre nuk pati zemër t’i thonte se përse heshtja rreth çështjes së Rrugës së Arbërit në takimin e fundit në Peshkopi do t’i bënte më mirë fushatës së tij.

Rama nuk ka kohë të merret me intelektualë që nuk i bëjnë temenara. Por ne do të kemi kohë të merremi me të për aq kohë sa do të zgjas mandati aktual.

Në besojmë se çështja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit nuk është çështje partie, por është një detyrim që qeveria shqiptare ua ka banorëve të këtyre krahinave. Dibra nuk ka kërkuar shumë nga qeveria: vetëm një rrugë prej 20 vitesh. Çdo kërkesë tjetër ka qenë e parëndësishme.

Ne do të vazhdojmë lobimin rreth kësaj çështje. Tani që procesi po vonohet, ne kemi detyrim që të angazhohemi më shumë në mënyrë që ta bindim qeverinë se çdo vonesë në këtë proces është përpjekje për të lënë një Dibër të pazhvilluar e të paintegruar dhe një Shqipëri të prapambetur.

GRUPI I LOBIMIT

23 Gusht 2016
___________
Ju ftojmë të lexoni një koment rreth fjalës së Kryeministrit Rama në Dibër në lidhje me premtimet për rrugën e Arbrit, me konkluzionet e së cilës ne pajtohemi plotësisht.

___________
Ju lutemi nënshkruani peticionin online për Rrugën e Arbërit në këtë link:

Share: